
Data 8 maj do të jetë fundi politik i Edi Ramës. Kështu deklaroi nga Ballshi kryeministri Berisha, në vijim të fushatës së tij zgjedhore, ku prezantoi Dallëndyshe Allkajn si kandidate për kryetare të Bashkisë së Ballshit. “Atë të rrugës së vetmisë le t’ia lëmë shokut Edvin Rama. Ec! Vazhdo, vazhdo zoti Rama, se në datën 9 maj do të arrish te banesa e vetmisë. Rruga e vetme është rruga e vetmisë. Ne kemi përpara një fillim të ri, ti ke përpara një fund të ri, plotësisht të merituar”, tha Berisha. Gjatë paradites së djeshme, kryeministri Berisha prezantoi në Patos Dilaver Kamberin si kandidat për kryetar bashkie të koalicionit “Aleanca për qytetarin”. Për Kryeministrin, katër vitet e ardhshme për këtë bashki do të jenë transformuese. “Zotimi ynë për ju është: Patozi 24 orë ujë në të gjithë territorin e tij. Po ndërtojmë kolektorin e ujërave të zeza, si dhe të gjitha rrugët dhe rrugicat e qytetit. Në qytet do të krijojmë parkun industrial, në mënyrë që investimet e vendit dhe të huajat gjatë katër viteve që vijnë të shumëfishohen dhe të shndërrohet ky park në një gjenerator të fuqishëm të punësimit të qytetarëve të Patosit”, tha kryeministri. Pasditen e djeshme, Berisha është ndalur dhe në zonën e Dumresë, ku prezantoi kandidatin demokrat për bashkinë e Belshit. “Dumreja do të bëhet kopshti më i madh prodhues në frutikulturë”, ka deklaruar Berisha. Kryeministri ka bërë të ditur më tej se kandidati demokrat, Asqeri Kuqja, do të hartojë planin turistik për Belshin. M.r.











