Berisha: Rama është pakicë, do shumicën

Oct 4, 2011 | 11:20
RAMA E BERISHA GJATE NJE TAKIMI

Kryeministri Berisha iu përgjigj dje kundërshtarit të tij politik për paktin me 10 pika të ofruar nga opozita. Gjatë fjalës së tij në mbledhjen e Grupit Parlamentar demokrat, Berisha shprehu gatishmërinë e maxhorancës se është gati të bashkëpunojë në interes të vendit, duke nisur nga reforma zgjedhore, por jo për të ndarë pushtetin në tavolinë. “Përgjigjja ime është shumë serioze. I nderuar zotëri! Jemi plotësisht të vendosur të bashkëpunojmë në interesin më të mirë të vendit për reformën zgjedhore. Një koncept të qëndrimit tonë të hapur ne e kemi paraqitur dhe sërish ritheksoj jemi të gatshëm në kushte pariteti, të ulemi në një komision parlamentar të reformës zgjedhore, i cili duhet të ketë axhendë të tij, adresimin e 52 rekomandimeve, të 2 ekipeve të OSBE-ODIHR që vëzhgojnë zgjedhjet e përgjithshme e lokale. Jemi 100% të hapur dhe kam propozuar që delegacioni ynë në PE, të autorizojë dy deputetë, një nga pozita e opozita, të marrë rregulloren e PE, ta ballafaqojmë dhe jemi të gatshëm të ndryshojmë”, u shpreh Kryeministri Berisha. Kryeministri akuzoi Ramën se me veprimet e tij po kërkon shumicën. “Qëndrimi i Grupit Parlamentar socialist në këtë sesion është identik me qëndrimin e tyre me sesionin e një viti më parë, edhe atëherë ishin në Parlament, edhe atëherë shtypnin butonat për praninë, por ligjet nuk i votonin. Zotëria premtoi në unison se do të votojë dhe pastaj, për të mos votuar, lëshoi një seri ultimatumesh. Këto ne nuk mund t’i pranojmë, jashtë rregullit kushtetues. Ne i themi, zotëri nuk kemi votat për Avokatin e Popullit dhe ai thotë jo, dua edhe guvernatorin, dua edhe KLSH-në. Jo zotëri, ti nuk mund të bëhesh kurrë shumicë, sa të jesh pakicë. Shumicë të bëjnë shqiptarët ty, nuk të bën Sali Berisha. Sali Berisha dhe kjo maxhorancë të respekton, por shumicë; janë të tjera ata që përcaktojnë shumicat dhe pakicat në zgjedhje”, u shpreh Kryeministri. Duke iu përgjigjur ftesës së Edi Ramës, Kryeministri tha se bie dakord për ngritjen menjëherë të komisionit për reformën zgjedhore. “Përgjigjja jonë është kjo, në rast se ju jeni i interesuar dhe nuk e keni farsë dhe hipokrizi këtë, urdhëroni të ndërtojmë komisionin parlamentar të zgjedhjeve javën që vjen, madje që këtë javë, që ditën e enjte, me ato parime që ka, me barazi të plotë, me prani të OSBE/ODHIR, me axhendë të thjeshtuar me të gjitha rekomandimet e OSBE/ODHIR.  Mendoj se kjo është përgjigjja, por druaj se ky është skenari i para Kongresit të radhës dhe kjo është zgjedhja e tij dhe jo jona”, u shpreh Berisha.

Editoriali
Përmes një editoriali, të tetit në serinë e tyre, kryesocialisti i kërkoi kreut të maxhorancës debat publik për 10 pikat e paktit të propozuar prej tij, për të nisur bashkëpunimin në Parlament. Rama i kërkon Berishës të përgjigjet nëse është dakord apo jo me pikat e këtij pakti, dhe ky qëndrim sipas tij nuk duhet të kalojë si retorikë politike, por si qëndrim që duhet të shprehet para shqiptarëve përmes një debati publik.

Gjiknuri: Dërguan një e-mail të dielën
Negociatorët e PD: I kthyem përgjigje PS-së për reformën
Dy negociatorët e PD për reformën zgjedhore iu përgjigjën deklaratës së kryesocialistit, se kanë dhënë përgjigje për propozimet e PS. “Në cilësinë e të ngarkuarve nga Partia Demokratike për të komunikuar me përfaqësuesit e PS-së për probleme të reformës zgjedhore, informojmë publikun se ne kemi shqyrtuar me seriozitet propozimet e PS-së për këtë reformë dhe i kemi kthyer me shkrim përgjigjen tonë, të bërë publike tashmë edhe nga kryetari i PD-së, për rrjedhojë, deklarata e z. Rama se ne nuk kemi kthyer përgjigje, nuk qëndron”, u shprehën përmes një deklarate dy negociatorët e PD-së, Oerd Bylykbashi dhe Viktor Gumi. Negociatori i PS-së, Gjiknuri, në përgjigje të deklaratës së demokratëve, tha se përgjigjja i ka ardhur të dielën. “Kemi qenë në një proces intensiv këmbimi mendimesh dhe, kur sot papritur dëgjojmë një deklaratë të negociatorëve të PD-së, të cilët thonë ju paskemi kthyer përgjigje me shkrim, si duket për të mbuluar atë hap të nxituar të diplomacisë së megafonit që bëri Kryeministri Berisha ditën e premte nga Gjinari. Sepse e vetmja përgjigje që kanë sjellë, ka qenë një e-mail, i ditës së djeshme në orën shtatë të darkës. Pra, ditën e diel, në darkë vonë”, u shpreh Gjiknuri.

ADI SHKEMBI

© Panorama.al

Te lidhura