Berisha: Rama do që të jetë kryeministër, kryetar bashkie e partie

Apr 23, 2011 | 11:06
Berisha, dje në Krujë

Edi Rama është i vetmi politikan që kërkon Kryeministrinë, Bashkinë dhe Partinë. Kështu ka deklaruar kryeministri Sali Berisha që nga Kruja, teksa prezantoi kandidatin për kryetar bashkie të koalicionit “Aleanca për qytetarin”, Shkëlzen Hoxha. Pasi vlerësoi e mbështeti kandidaturën e Hoxhës, Berisha theksoi se “alternativa jonë u ka JU në qendër, mundin djersën, besimin, ndershmërinë përkushtimin, shpirtin tuaj punëtor, vizionin tuaj, për Krujën dhe Shqipërinë. Krahas kësaj alternative është rruga e vetmisë, apo rruga e vetme. Pyeteni veten, pse shoku Edi ka zgjedhur këtë rrugë, rruga e vetme. Ka zgjedhur këtë rrugë jo vetëm për shkak të trashëgimisë së tij, por sepse ai është i vetmi politikan që kërkon të bëhet edhe kryeministër, edhe kryetar bashkie, edhe kryetar partie dhe çdo funksion tjetër”. Më pas, ai premtoi teleferik për Krujën, si dhe prezantoi disa rrugë të reja, si: Qafë-Shtama dhe ajo Krujë-Tiranë. Po dje, Berisha është ndalur dhe në komunën e Ishmit, ku prezantoi dhe i shprehu mbështetje kandidatit Gëzim Ylli. “Brenda katër viteve do të ndërtohet impianti i pastrimit të ujërave të Ishmit, është në ndërtim rruga Lalz-Raksh me gjatësi 7 km, rruga Shkafanë-Lalz me 6 km, do të ndërtojmë shkolla të reja në Shetaj, Alsufaj, Shën Pjetër, qendra shëndetësore, ujësjellës etj”, premtoi kryeministri, duke vënë në dukje se “Ishmi është Llogoraja e Jonit”. Një tjetër ndalesë e tij ka qenë ajo e Mamurrasit, ku shprehu mbështetjen për kandidatin Ilir Pjetri. Këtu Berisha garantoi se do të pesëfishohen investimet në Bashkinë e Mamurrasit.

© Panorama.al

Te lidhura