Përmeti, Tepelena, Memaliaj dhe Divjaka ishin “stacionet” e djeshme elektorale të kryeministrit Berisha, ku kërkoi votat për kandidatët e koalicionit “Aleanca për qytetarin”. Ai startoi fushatën duke dhënë mbështetjen për Kujtim Hoxhën në Bashkinë e Përmetit, ndërsa premtoi 50 milionë dollarë investim për këtë qytet. Më pas, Berisha ndaloi në Tepelenë, ku promovoi kandidatin Sevo Miçi, garantoi katërfishim investimesh, si dhe siguroi që ndërtimi i autostradës së re nuk e shmang aspak Tepelenën, por e shndërron atë në nyje kryesore të transportit. Ndërkaq, ai tregoi edhe një episod personal: “Duke ardhur këtu u ndala me kryetarin e komunës Qendër dhe disa mbështetës. Njëri prej tyre ishte me bindje të majta. Më tha: unë jam i majtë, por erdha të shtrëngoj dorën se ai kryetari im nuk e dinte fare që Memaliaj është bashki. Unë ju them vëllazërisht se nuk keni humbur gjë, se ai mendjen e ka vetëm tek vetja e tij. Njeriu që kërkon të bëhet njëkohësisht kryetar bashkie, partie dhe qeverie, ai është i vetmi në Europë, por e vërteta është se në 8 maj ai do t’i humbasë të treja”, tha Berisha, duke vijuar më tej fushatën në Memaliaj, ku prezantoi kandidaten Hatixhe Qendraj. Me premtimin për asfaltimin e çdo rruge, kryeministri theksoi se do të krijohen kushte të shkëlqyera për hapjen e bizneseve të mesme dhe të mëdha në këtë Bashki, si dhe për punësimin e qytetarëve. Në kthim nga ky turne, Berisha u ndal në Divjakë, ku dha mbështetjen për kandidatin Irakli Goreja. Këtu kryeministri premtoi subvencionim për 2 mijë hektarë tokë në ndihmë të fermerëve, ndërsa ironizoi Edi Ramën se Bashkinë e Divjakës e kujton si komunë. “Edi Rama erdhi këtu duke menduar se po vinte në komunën e Divjakës, nuk mund të them gjë tjetër, veçse aty të çon rruga e vetmisë, të çon mbrapa. Por ti rri atje, ne do të ecim përpara, drejt Europës, për t’u zhvilluar dhe ndërtuar”, theksoi Berisha.











