Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha hodhi akuza ndaj PS-së se kërkon të ecë përpara me Reformën Territoriale në mënyrë të njëanshme pa praninë e opozitës.
Në konferencën e sotme për mediat, kryedemokrati tha se PS kërkon ta miratojë reformën pa pranë e tyre në një kohë kur ende konsultat e parashikuara sipas rregullave ende nuk kanë përfunduar.
Berisha tha se janë kundër variantit të ofruar nga socialistët, duke shtuar se do të bëjmë gjithë përpjekjet tona për të kundërshtuar këtë reformë.
“Ne sigurisht që kemi platformën tonë, por ne e besuam dhe e vlerësuam që të kemi një ndërmjetës, një të urtë, një këshilltar të mençur që ka të gjithë ekspertizën evropiane të reformave territoriale për të bërë më të mirën. Edi Rama, Partia Socialiste, do të shkojë veçmas.”, tha Berisha.
Ndërsa për Reformën Zgjedhore, kur u pyet nëse kanë diskutuar kërkesat e protestuesve për lista të hapura, Berisha drejtoi sërish gishtin nga Rama.
“Siç e dini Edi Rama është i vendosur të mos pranojë asnjë kërkesë të protestës rinore qytetare. Ndërkohë, ne kemi mbështetur të gjitha kërkesat e tyre. Pra këtu ka një dallim të madh midis nesh dhe atyre.”, deklaroi Berisha.
Pjesë nga fjala e tij:
Pyetje: Ditën e sotme ju bojkotuat seancën parlamentare, ndërkohë që Konferenca e Kryetarëve vendosi që të shtyjë deri në muajin tetor afatin e komisionit për reformën zgjedhore.
Ndërkohë kemi një ngërç tek komisioni për reformën territoriale dhe ditën e djeshme dy bashkëkryetarët, zoti Çuçi dhe zoti Mazniku nuk kanë gjetur gjuhën dhe le të themi është bllokuar puna në atë komision.
A ka Partia Demokratike një platformë në lidhje me ndarjen e re territoriale, duke qenë se përfaqësuesit e Partisë Demokratike dje akuzuan Partinë Socialiste se po përpiqet që ta miratojë reformën njëlloj si në vitin 2016 e vetme. Keni ju këtë informacion dhe a ka një platformë Partia Demokratike për ndarjen territoriale për ta paraqitur?
Sali Berisha: Po, faleminderit për pyetjen, konstatimi juaj është i drejtë. Pala socialiste ka ndryshuar qëndrimin dhe kërkon ta miratojë pa Partinë Demokratike.
Ne konstatojmë se po ndërpritet procesi. S’kanë përfunduar konsultat e parashikuara e të miratuara sipas rregullave. Zoti Boçi ka bërë një punë të shkëlqyer, serioze dhe sapo zoti Boçi kërkoi atë që ne kemi pasur kusht që në fillim, që ky komision i reformës territoriale të asistohet nga Kongresi i Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Evropës, që është dhe institucioni me ekspertizën më të madhe në këtë fushë, dhe unë me këtë rast dua të falënderoj edhe qeverinë e Konfederatës Zvicerane, ambasadën e Zvicrës në Tiranë, por edhe përfaqësinë e Bashkimit Evropian për interesin e tyre dhe mbështetjen e tyre direkte të kësaj reforme, tani papritmas aty ndryshojnë gjërat. Edi Rama duket se urdhëron komisionin që të shkojnë në mënyrë të njëanshme.
Ne sigurisht që kemi platformën tonë, por ne e besuam dhe e vlerësuam që të kemi një ndërmjetës, një të urtë, një këshilltar të mençur që ka të gjithë ekspertizën evropiane të reformave territoriale për të bërë më të mirën.
Edi Rama, Partia Socialiste, do të shkojë veçmas. Ajo është pastaj zgjidhja e tyre, jo e jona.
Ne qëndrojmë kundër variantit të paraqitur nga ata, kundër formës ekzistuese dhe do bëjmë gjithë përpjekjet tona për të kundërshtuar këtë reformë.
Pyetje: Për reformën zgjedhore është arritur le të themi një lloj dakordësie për shtyrjen e afatit të tij. Ndërkohë ju keni mbështetur kërkesat e protestuesve, ku një ndër to është proporcional, me lista të hapura. A është diskutuar kjo në këtë komision dhe a ka Partia Socialiste vullnetin për ta pranuar këtë kërkesë dhe këtë propozim?
Sali Berisha: Siç e dini Edi Rama është i vendosur të mos pranojë asnjë kërkesë të protestës rinore qytetare. Ndërkohë, ne kemi mbështetur të gjitha kërkesat e tyre. Pra këtu ka një dallim të madh midis nesh dhe atyre.
© Panorama.al












