Berisha pret delegacionin e KiE: Zgjedhje të qeta dhe transparente

Apr 13, 2011 | 14:20

TIRANË- Kryeministri Sali Berisha ka garantuar delegacionin e vëzhguesve zgjedhorë të Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Evropës se qeveria është e angazhuar për proces të qetë, transparent e në përputhje me standardet. Gjatë takimit të sotëm, të zhvilluar me delegacionin, Berisha  shprehu kënaqësinë që ftesës së qeverisë shqiptare i janë përgjigjur një numër i madh vëzhguesish si kontribut për rritjen e transparencës në zgjedhje.

Sipas Berishës procesi zgjedhor në Shqipëri bazohet mbi një Kod Elektoral konsensual, në një sistem unik e transparent të numërimit të votave, një sistem ky, i cili u dëshmua funksional në zgjedhjet e vitit 2009 të cilat u certifikuan nga raporti i OSBE/ODIHR-it.

 

Kryeministri theksoi gjithashtu se këto zgjedhje zhvillohen me lista të votuesve plotësisht të dixhitalizuara e transparente dhe të një saktësie shumë të lartë, të hartuara nga vetë pushteti vendor dhe ku çdo ndërhyrje për përmirësimin e tyre është bërë konform ligjit.

 

Kreu i qeverisë njohu delegacionin me kornizën e re për financimin e partive politike të hartuar në përputhje të plotë me rekomandimet e GRECO-s dhe me urdhrin e nxjerrë prej qeverisë për ndalimin e përdorimit të çdo aseti publik në fushatë elektorale, përfshirë automjetet e kabinetit qeveritar.

 

Duke u ndaluar në tensionet dhe incidentet e fushatës, Berisha theksoi se nuk ekzistojnë arsye për tensionimin e fushatës dhe shprehu bindjen për një fushatë të qetë, duke nënvizuar se ndryshe nga fushata me retorikë politike e Partisë Socialiste dhe liderit të saj Rama, Partia Demokratike po zhvillon një fushatë pozitive të fokusuar tek interesat e qytetarit dhe komunitetit.

 

Kryetarja e delegacionit, tha se misioni i tyre kishte për qëllim njohjen hap pas hapi me situatën parazgjedhore dhe përgatitjet për procesin zgjedhor si dhe vëzhgimin e zhvillimit të zgjedhjeve. Ajo shprehu gatishmërinë e Këshillit të Europës për të kontribuar sa më shumë për transparencën e zgjedhjeve dhe forcimin  demokracisë në Shqipëri.

© Panorama.al

Te lidhura