Berisha, premio 10 mijë euro për kokë kuqezinjve

Apr 1, 2011 | 12:15

Qeveria vendosi dje të shpërblejë financiarisht ekipin kombëtar të futbollit, pas fitores që ai arriti në ndeshjen e fundit me ekipin e Bjellorusisë, për turin eliminator në kampionatin europian të futbollit.Kështu, lojtarët e ekipit kombëtar shpërblehen me 10 mijë euro, ndërsa golashënuesi dhe trajneri me 15 mijë euro. Vendimi u bë i ditur nga kryeministri Berisha, i cili e vlerësoi përballjen e fundit të ekipit kombëtar të futbollit ndër lojërat më të bukura të zhvilluara dhe shpërblimin, të merituar. Kryeministri tha gjithashtu se ky shpërblim jepet edhe në respekt të qindra të rinjve, të cilët e ndjekin dhe janë shndërruar në mbështetjen morale të ekipit tonë kombëtar. “Sot miratojmë vendimin për shpërblimin me 10 mijë euro secilin lojtar të ekipit kombëtar dhe me 15 mijë euro Lorik Canën, trajnerin, mjeshtër i vërtetë i futbollit, zotin Kuzhe dhe golashënuesin, zotin Hamdi Salihi. Me drejtshkrim e kuptoni vetë si del. Këtë vendim, qeveria e merr, sepse Kombëtarja shqiptare në këtë sezon ka shënuar arritjet më të mëdha, në tërë historinë e ekzistencës së futbollit shqiptar. Kjo kombëtare ka realizuar lojëra të mëdha. Të memorizuara në historinë e saj janë barazimi me ekipin më të fuqishëm të kohës, ekipin e Bekenbauerit, që e lëndoi jo pak me atë barazim. E pashlyer mbetet në historinë e futbollit edhe dita kur Greqia mike erdhi mbretëreshë në fushën e stadiumit tonë dhe la kurorën, u largua princeshë. Por duhet të pohoj se ndeshja më e bukur ishte ndeshja me Bjellorusinë. Një fitore e merituar, me një gol që, në fakt nuk mund të mos e them, ishte ogur i bardhë i kësaj pranvere, i këtij sezoni dhe i kësaj gare. Ndaj, këtë shpërblim ata e kanë plotësisht të merituar. Por ky shpërblim është gjithashtu një respekt i madh, i veçantë për ata qindra e mijëra djem e vajza të rinj, të cilët e ndjekin dhe janë shndërruar në një mbështetje të jashtëzakonshme morale të ekipit tonë kombëtar në stadiumin kombëtar, por edhe në fushat e Evropës. Në fakt, edhe ata janë një faktor i rëndësishëm i kësaj performance, i këtij suksesi. Kjo është ngjitja më e madhe e ekipit tonë kombëtar dhe i urojmë atij suksese gjithnjë e më të mëdha”. Lojtarët e përfaqësueses shqiptare do të përfitojnë një premio të majme edhe nga Federata. Sipas vendimit të Komitetit Ekzekutiv, para fillimit të edicionit ata shpërblehen me nga tre mijë euro secili për çdo fitore, por në këtë rast, shuma pritet të shkojë në pesë mijë euro secili.

Batuta e Lalës: Berisha e di Canën kryeministër

Kryeministri Sali Berisha ka komunikuar dje se do të shpërblente me 15 mijë euro trajnerin Kuzhe, dhe lojtarët Cana dhe Salihi. Ky i fundit është trajtuar në mënyrë të “veçantë” prej golit të vetëm të takimit, ndërsa Cana, me bindjen se është kapiten i skuadrës. Në fakt, kapiten është Altin Lala, por mesfushori i Hanoverit e ka marrë me sportivitet. “Së pari, përshëndes qeverinë shqiptare për faktin që inkurajon dhe mbështet futbollin në Shqipëri. Kjo është një gjë shumë e mirë dhe mendoj se do të jetë një shtysë më shumë për të dhënë gjithçka në fushën e lojës. Cana kapiten? Unë mendoj se kemi të bëjmë me një lapsus, ndaj nuk mërzitem. Edhe sa i përket shpërndarjes së parave, nuk mendoj se ka vend për keqkuptim. Nuk janë bërë diferencime me tendencë, absolutisht jo. Intuita më thotë se në logjikën e një zyrtari apo të një drejtuesi, shpërndarja bëhet në bazë të postit. Pra, drejtori merr më shumë, të tjerët më pak. Ose kryeministri merr më shumë dhe ministrat më pak. Thjesht në këtë rast, kapiteni, cilido qoftë ai, edhe Cana…(qesh) është konsideruar si kryeministër, por ju siguroj se nuk jam xheloz”, tha Lala.

 

JETMIR HALILAJ

© Panorama.al

Te lidhura