Kryeministri Sali Berisha i kërkoi dje kreut të PS, Edi Rama, të ulen dhe të nisin punën për reformën zgjedhore. “Unë ftoj zotin Rama të ulemi në kushte pariteti për reformën zgjedhore. Ne e ftojmë në çdo kohë, që nesër në komisionin për reformën zgjedhore për problemet e ngritura”, u shpreh Berisha. Kreu i maxhorancës tha se i qëndron plotësisht propozimit të tij të mëparshëm. “Në rast se opozita kërkon dhe dëshiron që me ekspertët e saj të hartojë të gjitha amendamentet për të adresuar rekomandimet e OSBE/ODIHR-it dhe t’i dërgojë ato në Komisionin e Venecias dhe në OSBE/ODIHR, pasi të marrë opinionin e tyre, ne i votojmë pa kushte. As nuk kam lëvizur dhe as nuk lëviz nga ky pozicion. Ne i votojmë pa kushte, sepse ne kemi bindje se ajo që vjen nga këto institucione është brenda standardeve ndërkombëtare. Për ne, kjo është më kryesorja. Në mbledhjen e djeshme të Grupit të PD, Berisha zbuloi se komuniteti ndërkombëtar ka bërë përpjekjet më të jashtëzakonshme për të ndihmuar Shqipërinë, por sipas tij, ka pasur të tjera që absolutisht janë përpjekur për të ndihmuar vetëm zotin Rama dhe aspak Shqipërinë, sepse sipas tij jo të gjithë e duan këtë vend. “Këto janë të shkuara, unë ftoj zotin Rama në rast se dëshiron reforma, të ulemi në kushte pariteti, reformën zgjedhore, ku institucionet e vendit ato duhet të ndërtohen sipas Kushtetutës. Nuk do të krijojmë ne me dhjetëra KQZ-ra, një institucion i cili ndërtohet me një mekanizëm të caktuar, siç është komisioni elektoral, që ndërtohet nga partitë, të tjerat ndërtohen nga institucionet. KQZ, KZAZ, KQV dhe Komisioni i Numërimit janë të gjitha produkte akordi ndërpartiak të domosdoshme. Të përpiqesh të transpozosh këtë koncept në shtetin në tërësi, kjo dëshmon se ke probleme serioze konceptesh për shtetin”, tha Kryeministri.











