KUÇOVE – Kryeministri Sali Berisha vijoi dje turin e takimeve të fushatës elektorale në qarkun e Beratit. Takimin më të zgjeruar Berisha ia ka kushtuar takimit me elektoratin në qytetin e naftëtarëve, ku prej 20 vitesh pushteti lokal është drejtuar nga socialistët. Në fjalën e tij, Berisha iu drejtuar kuçovarëve me thirrjen për të votuar kandidatin e tyre, djalin e tyre, 38-vjeçarin Selfo Kapllani i cili gëzon reputacion të madh në këtë qytet. Më tej, kreu i qeverisë ka shprehur premtimin për investime të mëtejshme në infrastrukturë. “Në qarkun e Beratit janë asfaltuar 430 kilometër rrugë. Ky hov i infrastrukturës do të vazhdojë dhe në komunat e Perondisë dhe Kozares. Ne do të luftojmë për një Kuçovë evropiane. Ne po bëjmë boshtin e jugut, o përfundon boshti Belsh-Kuçovë, i cili do ta nxjerrë Kuçovën nga zona “xhep”. Ne do të ndërtojmë rrugën Kuçovë-Berat-Fier, me 4 korsi”, pohoi Berisha. Ai deklaroi se në këtë qark janë ndërtuar 45 shkolla, prej të cilave 11 në rrethin e Kuçovës. Gjithashtu ai përmendi financimin nga qeveria të një fondi prej 700 milionë lekësh për ujësjellësin Berat-Kuçovë, me qëllim që komunat e rrethit dhe qyteti i Kuçovës të kenë ujë 24 orë pa ndërprerje. Berisha theksoi fakton se qyteti i Kuçovës ka qenë i izoluar prej vitesh nga socialistët, ndërsa shtoi suksesin e arritur vitet e fundit, siç është hyrja në NATO dhe hapat përpara drejt BE-së. Nga ana tjetër, kreu i qeverisë ndërsa theksoi se varfëria u ul nga 18 për qind në 12 për qind, pranoi se jo vetëm në Kuçovë, por dhe në të gjithë Shqipërinë ka familje me lista. “Por alternativa jonë është se do t’i eliminojmë këto lista. Unë ju jap fjalën e besës”. d.xh











