Berisha në Bulqizë: Rama ju cilësoi skllevër

Apr 29, 2011 | 9:43

Me premtime në infrastrukturë, kryeministri Berisha vijoi fushatën elektorale në Dibër, Bulqizë dhe Klos. Duke konfirmuar fillimisht rikandidimin e Ilir Krosit në Peshkopi, Berisha tregoi një episod për kohën kur ka qenë 3 muaj mjek atje dhe bëri paralelizëm me kreun e PS-së, Edi Rama: “Ato nëna e baballarë, gjyshe e gjyshër që unë mjekoja në spitalin tuaj, kur dilnin nga spitali më refuzonin recetën. Më thoshin se ilaçet nuk i blinin dot. Përpiqesha t’u jepja zemër… I nderuar zoti Rama, mos i lëndo qytetarët shqiptarë me hijen e asaj rruge, se nuk ka ndër mend ta ndjekë asnjë prej tyre”. Akuzat për Ramën ai i vijoi edhe në Bulqizë, ku promovoi rikandidimin e Roland Ketës. “Para disa ditësh ishte këtu vetmitari i rrugës, zoti Rama. E dëgjova disa herë që ju cilësonte ‘skllevër’. Skllevër janë ata që qarkullojnë dogmën e Enver Hoxhës nëpër Shqipëri. Ata janë skllevër të së shkuarës. Kurse ju jeni gratë dhe burrat e lirë, që me mundin, djersën, përkushtimin, po shndërroni gjithnjë e më shumë familjet tuaja”, tha ai, ndërsa premtoi vëmendje për minatorët dhe shkurtimin e distancës Bulqizë-Tiranë me 30 minuta. Gjatë rrugëtimit elektoral, Berisha u ndal në Klos, ku prezantoi kandidatin Ramazan Mjeshtri dhe veçoi ngritjen e industrisë së përpunimit të kromit, nga e cila pushteti vendor do të përfitojë rentën. Ndalesa e fundit e Berishës u zhvendos në Fier, ku dha mbështetjen për kandidatin Ilir Bele. “Kjo fushatë ishte një universitet në jetën time, unë vij si student për t’u njohur më problemet tuaja”, tha ai, ndërsa kërkoi votën e qytetarëve më 8 maj për të finalizuar projektet madhore për komunitetin.

© Panorama.al

Te lidhura