Berisha mbështet Tahirin: Bisedimet teknike mes dy vendeve të pavarura

Apr 1, 2011 | 10:57

Zëvendëskryeministrja e Kosovës dhe njëkohësisht kryetarja e ekipit të Kosovës në dialogun e ri me Beogradin, Edita Tahiri, ka marrë dje në Tiranë mbështetjen e kryeministrit Sali Berisha për negociatat Kosovë-Serbi. “Në takim u rikonfirmua qëndrimi i prerë dhe pa ekuivok se këto janë vetëm bisedime teknike, që kanë të bëjnë me çështje të jetesës së përditshme të qytetarëve të këtyre dy vendeve, të pavarura e sovrane, dhe nuk bëhet fjalë, në asnjë rast, për çështje që kanë të bëjnë me sovranitetin apo për ndryshimin e kufijve”, ka njoftuar zyra e Kryeministrit. Për më tepër, në takim u theksua se ekzistojnë shumë Mitrovica në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe çdo lloj aludimi apo ideje për rikonfigurim të kufijve nuk i shërben stabilitetit, sigurisë dhe paqes në rajon. Të dy palët në takim kanë shprehur mirënjohje për SHBA-në dhe BE-në, për mbështetjen e këtyre bisedimeve teknike. Berisha vlerësoi faktin se sot Kosova është jo vetëm një ndër vendet më të sigurta, me treguesit më të ulët të kriminalitetit në rajon dhe në Europë, por është shndërruar qartësisht në një faktor të rëndësishëm paqeje, stabiliteti, sigurie dhe promovimi të bashkëpunimit dhe të miqësisë në rajon. Tahiri e vlerësoi kontributin e kryeministrit Berisha në mbështetje të çështjes kombëtare, e në veçanti në mbështetje të Kosovës.

© Panorama.al

Te lidhura