
Rama: Berisha përshëndeti vrasjen e Gedafit që aleancë plehrash quante NATO-n
Kryeministri Sali Berisha ka sulmuar dje indirekt kreun e shtetit, Bamir Topi, për kthimin në Kuvend të ligjit për mbetjet urbane. Duke folur në mbledhjen e radhës të qeverisë, kreu i Ekzekutivit u ndal te ndotja e mjedisit për shkak të djegies së plehrave. Sipas tij, pavarësisht kritikave nga “aleanca e plehut”, siç e quajti Berisha, mbrojtja e mjedisit është prioritet i qeverisë. “Qeveria ka kohë që merret periodikisht me këtë problem dhe do të merret në mënyrën më intensive, do të përcaktohen të gjitha rregullat për përgjegjësitë, sepse ligjet tona për mjedisin janë shumë të mira, janë ndër ligjet më të avancuara, të standardeve më të mira. Le të thotë çfarë të dojë ‘aleanca e plehut’, apo e antiglobalëve, por kjo qeveri ka pasur dhe do të ketë përparësi absolute mbrojtjen e mjedisit dhe i garantoj mjedisorët se unë jam njëri prej tyre, por jo antiglobal. Në bindjen time më të thellë, mjedisi është jeta dhe nuk ka imperativ më të madh sesa mbrojtja dhe zhvillimi i tij. Ndaj duhet të shënojmë ndryshime urgjente. Ajo që u bë me mbetjet metalike, me makinat, do të vazhdojë. Vendit do t’ia kthejmë fytyrën pa plehra”, u shpreh Kryeministri. Lidhur me këtë deklaratë të Berishës reagoi përmes rrjetit social “Twitter”. “Sot Saliu e quajti frontin antiplehra importi një aleancë të plehut, pastaj përshëndeti vrasjen e Gedafit që aleancë plehrash quante NATO-n!”.
Mbrojtja e mjedisit
Berisha, në mbledhjen e qeverisë, u ndal te djegia e plehrave në ambiente të hapura dhe iu referua ndotjes buzë Shkumbinit. “Zoti ministër, Inspektorati duhet të ndalojë në mënyrë kategorike çdo lloj depozitimi të plehrave në bregun e lumit Shkumbin, të vendosen sanksionet më të rrepta ndaj shkeljes së këtij rregulli dhe të sistemohet me përparësi të madhe nga Ministria e Punëve Publike e Transportit dhe ajo e Mjedisit landfill-i ekzistues i Rrogozhinës. Bashkitë e Kavajës, Lushnjës dhe komunat e Golemit, Synej, Gosës, Tërbufit dhe Dushkut, brenda tre muajve, deri më 15 janar, në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve Publike dhe atë të Mjedisit, të kenë caktuar e miratuar vendet e reja të depozitimit të mbetjeve solide”. Në të njëjtën kohë, Kryeministri paralajmëroi edhe gjoba për qeverisjen vendore sa i takon ndotjes së mjedisit. “Ju kërkoj edhe një herë, zoti ministër, të sillni të sanksionuar në ligj të gjitha penalitetet për qeveritarët vendorë dhe në drejtoritë e mjedisit, të cilët mbyllin një sy apo të dy sytë ndaj ndotjes së mjedisit. Këtë duhet ta marrim me seriozitetin më absolut. Për ne, ky po bëhet një problem tmerrësisht shqetësues dhe në përkeqësim, sepse imagjinoni që vendi në vitin 2004 kishte gjithsej 3.1 milionë banorë e 300 mijë turistë, sot ka 3.4 milionë banorë dhe 3.5 milionë turistë. Imagjinoni, të gjithë zhvillimin e industrive dhe veprimtarive të tjera prodhuese, që të gjitha kanë mbetjet e tyre të lëngëta e të ngurta”, u shpreh kreu i Ekzekutivit. Sipas tij, eliminimi i këtyre ndotjeve duhet të shikohet si një çështje emergjente. Berisha tha se “këto plehra nuk janë thjesht letra që hedhin qytetarët, edhe pse çdo njeri ka përgjegjësinë e vet, por këto janë plehra që i depozitojnë në mënyrën më të papërgjegjshme institucionet shtetërore, bashkitë e komunat e vendit”.
PD: Kodi i mirë, duhen disa ndryshime
Deputeti i Partisë Demokratike, Fatos Beja, tha dje se Kodi Zgjedhor është i mirë, por ai ka nevojë vetëm për ndryshime mbi bazën e disa rekomandimeve të bëra nga OSBE/ODIHR-i. “Kodi është i duhuri, por duhet të bëhen disa ndryshime sipas rekomandimeve. Problemi nuk qëndron te Kodi si i tërë. Pasi Kodi aktual është pranuar nga të dyja palët. Ndërkaq, ndërkombëtarët kanë ofruar ekspertizën e tyre”, tha Beja. Sipas tij, “Shqipëria nuk e mori statusin e kandidatit për në Bashkimin Europian për shkak të bojkotit dhe ngërçit politik. Është shumë e rëndësishme që konfliktet të zgjidhen në institucione. Tani nuk ka më kohë për fjalë, po për vepra”.
Flet ambasadori D’ Elia
Italia: Opozita të votojë ligjet me 3/5
Ambasadori i Italisë në vendin tonë, Saba D‘Elia, i bëri thirrje dje klasës politike të gjejë konsensusin dhe të miratojë ligjet që kërkojnë shumicë të cilësuar. Duke folur në një seminar të organizuar nga Zyra Tregtare e Ambasadës Italiane, kreu i Diplomacisë së Romës në vendon tonë theksoi se duhet krijuar një raport konstruktiv mes palëve në Kuvend për miratimin e këtyre ligjeve. “Është e rëndësishme që të ketë një konsensus politik mes maxhorancës dhe opozitës. Për të proceduar me reformat, është e nevojshme që në disa raste të kemi shumicë të cilësuar, shumicë prej tre të pestash. Reformat dhe ligjet nuk mund të miratohen nëse opozita nuk merr pjesë. E kuptoj që ajo kryen rolin e saj si opozitë, por duhet krijuar një raport konstruktiv në këtë debat politik dhe parlamentar, falë të cilit reformat të mund të aprovohen nga Parlamenti. Ne si Itali e mirëpresim më shumë nga të gjithë integrimin, pasi jemi mbështetësit më të hershëm të procesit të bashkimit të Shqipërisë me Bashkimin Europian”, tha Saba D‘Elia, ambasadori i Republikës së Italisë.
Sanino: Integrimi kërkon dialog politik
Drejtori i Përgjithshëm i Zgjerimit në Bashkimin Europian, Stefano Sanino, zhvilloi dje takime me krerët e shtetit shqiptar. Zyrtari i lartë i BE-së e garantoi Kryeministrin Berisha, se Komisioni Europian dhe Bashkimi Europian do të vazhdojnë ta mbështesin fuqishëm Shqipërinë në përpjekjet e saj për t’u anëtarësuar sa më shpejt në BE. Ndërsa në takimin me Presidentin Topi tha: “Është detyra e klasës politike shqiptare, sidomos e udhëheqësve të saj kryesorë, që të nisin menjëherë dialogun konstruktiv institucional dhe të kryejnë reformat aq të nevojshme dhe jetësore për të ardhmen integruese të vendit. Dyert e Europës vazhdojnë të mbeten të hapura për Shqipërinë dhe popullin shqiptar, por në fillim duhen përmbushur dhe plotësuar të dymbëdhjetë kriteret e nevojshme, në mënyrë që fitimi i ardhshëm i statusit të vendit kandidat të jetë plotësisht i merituar”.
ADI SHKEMBI
© Panorama.al











