Kryeministri Sali Berisha përjashtoi mbrëmë mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme nëse koalicioni i djathtë do të humbasë zgjedhjet lokale të 8 majit. Në një intervistë në televizionin “AS”, me gazetaren Eni Vasili, kryeministri tha se zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme do të mbahen në qershor 2013.”Këto janë zgjedhje lokale. Kjo ‘sikur’ nuk do të ndodhë, sepse unë do të fitoj. Por rezultati i këtyre zgjedhjeve s’mund të ketë asnjë efekt imediat mbi zgjedhjet e përgjithshme. Ky vend ka një maxhorancë, e cila ka një mori të madhe projektesh në zhvillim dhe zbatim. E diela e fundit e qershorit 2013 do të jetë dita e zgjedhjeve të përgjithshme dhe këto nuk kanë asnjë lidhje njëra me tjetrën. I garantoj qytetarët se do të respektoj me rigorozitet të madh vullnetin e tyre, cilido që të jetë, por, nga ana tjetër, zgjedhjet e përgjithshme janë të dielën e fundit të qershorit 2013″, tha kryeministri. Duke u ndalur në incidentet e fundit, Berisha tha se ato kanë qenë të motivuara politikisht, por jo të organizuara nga selia rozë. Lidhur me zbardhjen e ngjarjes së kryeinspektorit të Bashkisë, kreu i Ekzekutivit tha se ajo ngjarje po hetohet. Në të njëjtën kohë, kryeministri bëri të ditur se në mbledhjen e sotme të qeverisë do të merret vendimi për të ndaluar kandidatët për kryetarë bashkie dhe komune të përdorin burimet e administratës për zgjedhje. Përsa i përket kundërshtarit të tij politik, Berisha tha se “Rama ka një ambiguitet, i cili është shumë i dëmshëm për zhvillimin e qytetit, prandaj dhe qyteti ka mbetur. Ai, përveç mandatit të parë, dy mandatet e tjera ka qenë i obseduar në mënyrën më patologjike për karrigen e kryeministrit. Më ndihmoi mua për të rrëzuar Fatos Nanon. Të kujtohet koreografia e nuseve që bëri? I bëri për të përzënë Nanon. Ai shpresonte se do të vinte vetë, nuk e dinte që ishte në pankinë dhe do mbetej në pankinë për shumë kohë”.











