Kryeministri Sali Berisha ka zhvilluar takime në Elbasan dhe Korçë, ku ka kërkuar votat për kandidatët e koalicionit të djathtë në zgjedhjet e tetë majit. Nga zona ku kandidon Durim Hushi, kreu i qeverisë ka bërë të ditur lajmin se brenda pak ditësh do të inaugurohet fillimi i punimeve për rrugën Tiranë- Elbasan. Berisha tha se gjatë fushatës elektorale e ka ndërprerë prerjen e shiritave, por me ndërtimin e kësaj rruge kjo nuk do të ndodhë. “Dua t’ju rrëfej se unë i kam ndërprerë inaugurimet, por në fund të këtij muaji, atë inaugurim nuk e ndërpres dot, do ta bëj. Ai është ëndrra juaj, është ëndrra ime, është ëndrra e të gjithë shqiptarëve që duan Elbasanin, që duan Tiranën. Jam këtu për t’u zotuar se në 18 muaj, dy qytetarët e parë, qytetari i parë i Tiranës dhe qytetari i parë i Elbasanit, zoti Lulzim Basha dhe zoti Durim Hushi do të inaugurojnë tunelin, do të bashkojnë Tiranën me Elbasanin”, u shpreh Berisha. Sipas tij “ana tjetër e medaljes së rrugës së vetmisë janë shpifjet, trillimet, mashtrimet dhe sharjet. Dua t’i them zotit Rama se po zhytesh gjithnjë e më thellë në kazanin e tyre dhe ne nuk kemi ndërmend në këtë fushatë të harxhojmë as edhe një sekondë të vetme me fjalë kazani, që ti përdor gjithë ditën. Ne do të merremi vetëm me qytetarët, me projektet për ta, me projektet për fëmijët e tyre, me problemet e interesat e tyre”. Ndërsa nga Devolli, kreu i qeverisë u shpreh se “në rrugën e lirisë, secili ka rrugën e tij, ndërsa për shokun Edi Rama, rruga e vetme është vetë kryetar Bashkie, sepse tek Bashkia ka lugën e artë, vetë kryetar qeverie, sepse tek kryeministri ka ëndrrën e artë, nuk do t’i plotësohet ndonjëherë. Rruga e vetme është kryetar partie, sepse tek partia ka peshkun e artë, i cili po e çon të sigurt drejt një fundi të merituar, po ecën i sigurt drejt banesës së harresës, drejt shtëpisë të së shkuarës”. m.s











