Berisha: Distanca mes Tiranës dhe Korçës do shkurtohet me 60 për qind

Apr 11, 2011 | 9:57
Berisha dje në Korçë

Kryeministri Sali Berisha ka prezantuar dje në qytetin e Korçës kandidatin për kryetar të Bashkisë, Andrea Mano. Nga ky qytet kreu i Ekzekutivit ka premtuar mbështetje të fortë për përfaqësuesin e Aleancës për qytetarin, teksa ka sulmuar edhe kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama. Sipas tij, kundërshtari politik ka ndërtuar ‘aleancën e betonit’. “Ju duhet ta keni të qartë se me këtë material ndërtimi nuk kam asgjë, përveçse admirimit për kryeveprat që janë ndërtuar me të. Por, kur ky material përdoret për të zënë pëllëmbë për pëllëmbë e metër për metër hapësirat e qytetarëve, ai shndërrohet në një tiran të vërtetë të rrugëve e rrugicave të qyteteve tuaja. Kur ai mbisundon në rrugët, rrugicat e lagjet tuaja, nuk ka më të pamëshirë, nuk ka më shkatërrimtare për pronën e qytetarëve, sesa “betoni dhe aleanca e tij”, nga e cila do të ndahemi në 8 maj”, u shpreh Berisha. Sipas kryeministrit, gjatë katër viteve të kaluara në qarkun e Korçës janë investuar rreth 150 milionë euro në ujësjellës dhe kanalizime. Kryeministri tha se me ndërtimin e dy akseve të reja rrugore shkurtohet ndjeshëm distanca mes Tiranës dhe Korçës. “Qeveria po investon në të gjitha drejtimet, në mënyrë që Korça dhe Tirana të afrohen së paku, në kohë, 60 për qind më shpejt dhe më afër njëra-tjetrës. Me rrugët e reja që ndërtojmë; autostradën Tiranë-Elbasan, autostradën Qukës-Qafë Plloç, ne shkurtojmë distancën Korçë-Tiranë, nga 185 km në 125 km. Por, po të keni parasysh cilësinë e rrugëve, distanca Korçë-Tiranë shkurtohet së paku me 60 për qind të kohës”. Para qytetarëve korçarë kreu i maxhorancës ironizoi edhe sloganin e Partisë Socialiste për zgjedhjet e 8 majit “E vetmja rrugë”. “Le t’i themi këtu se secili prej nesh, burra dhe gra në këtë sallë, burra e gra të mbarë Shqipërisë, ka rrugën e vet dhe nuk ka nevojë për rrugën tënde dhe mos tento kurrë t’i marrësh tjetrit rrugën, sepse çdo njeri zgjedh rrugët që do. Ne të gjithë së bashku do të zgjedhim rrugën që përfaqëson interesat tona, punësimin, shkollimin, infrastrukturën, tregun, zhvillimin. Ai kërkon beteja politike”, u shpreh Berisha. Më tej, Kryeministri tha se kjo fushatë elektorale nuk është një betejë politike. “Unë do t’i them para jush: kësaj radhe vazhdoje vetëm luftën me “mullinjtë e erës”, sepse në këtë fushatë unë jam njëri prej jush, ndërsa ju, qytetarë të Korçës e të mbarë Shqipërisë, jeni ministra, kryeministra, presidentët e mi, që do të më udhëhiqni mua drejt fitores më të thellë. Do të vendosni Andrea Manon si qytetarin tuaj të parë. Do ta shndërrojmë këtë pranverë në pranverën e fitores së madhe”. Pak ditë pas miratimit në Komisionin e Ligjeve të projektligjit të qeverisë për amnistinë fiskale, Berisha përsëriti edhe njëherë ftesën për opozitën që të votojë draftin, i cili do të kalojë pas disa ditësh në Kuvend. “Edhe një herë nga Korça, ftoj opozitën të votojë ligjin e amnistisë. Të mos harrojë se biznesi ka votuar e voton gjithmonë për Shqipërinë, se biznesi është gjeneratori kryesor i punësimit, i të ardhmes së qytetarëve shqiptarë. Ndaj, le të votojmë së bashku ligjin për të amnistuar detyrimet e tyre, sepse janë ata që me gjeninë e tyre krijuese, me sakrificën e tyre, me mundimin e tyre, së bashku me reformat e qeverisë, bënë që Shqipëria, nga një vend me ekonomi të falimentuar, të qëndrojë sot si një vend me një ekonomi që vrapon”. g.a

© Panorama.al

Te lidhura