
Kryeministri Sali Berisha ka marrë pjesë në ekspozitën e organizuar me rastin e 33-vjetorit të Pontifikimit të Papa Gjon Palit të dytë, ceremoni e organizuar nga Ambasada Polake në vendin tonë. Në fjalën e tij së bashku me ambasadoren, kreu i qeverisë foli për takimin me Papën në vitin 1991 dhe vizitën e tij në Tiranë. “Për shqiptarët, Papa Gjon Pali II është një nga miqtë më të mëdhenj, më të çmuar në tërë historinë e tyre kombëtare. Në takimin tim të parë, në vitin ’91, me Atin e Shenjtë, në Selinë e Shenjtë, ai do më rrëfente se lutej çdo ditë për Shqipërinë. Askush asokohe nuk kishte ndjekur më me vëmendje, më me përkushtim, tragjedinë e madhe të shqiptarëve nën regjimin e Enver Hoxhës. Ai ishte lutur çdo ditë për shqiptarët, por thirrjet e tij në Puglia ishin një frymëzim i madh në fillim të viteve ’80, pasi do të njoftonte qytetarët e këtij vendi, të zhytur në izolimin më të thellë, se ata nuk ishin të harruar”, u shpreh kreu i qeverisë. Sipas tij “Para se të largohej (nga vizita në Shqipëri), në një bisedë tërësisht private, ai do më shprehej se për atë kjo ishte një ditë ringjalljeje. Dhe kjo ishte e vërtetë, sepse në Shkodër shuguroi për ipeshkëv imzot Frano Illian, i cili, atë ditë, 24 vite më parë, në një gjyq farsë të diktaturës, kishte marrë komunikimin e gjykatësit se dënohej me vdekje. Po kështu, në këtë vizitë, Papa Gjon Pali II shuguroi Katedralen, një ndër më të mëdhatë në Ballkan dhe që gjatë regjimit ishte shndërruar në palestër, magazinë dhe destinacione të tjera”. Kryeministri Berisha theksoi gjithashtu se Papa Gjon Pali II udhëhoqi jo vetëm Kishën Katolike, por frymëzoi popujt e shtypur të Europës në përpjekjet e tyre për liri dhe dinjitet njerëzor. “Mesazhi i tij hyjnor drejtuar polakëve, por dhe të gjithë popujve të shtypur- “Mos kini frikë”, do të mbetet thirrje e përjetshme për liri, për të gjithë ata të cilët vuajtën nga regjimet shtypëse dhe barbare”, u shpreh Berisha.
Vizita në Tiranë
“Ajo vizitë pati një simbolikë të veçantë. Në Aeroportin e Tiranës pata fatin dhe nderin ta pres së bashku me Nënë Terezën, edhe Kjo, dhurata më e madhe që kombi shqiptar i ka bërë njeriut dhe njerëzimit, në të gjitha kohërat. Kjo ishte dita e Lumturimit tokësor më të madh të Nënë Terezës”, u shpreh kreu i qeverisë në ceremoninë e djeshme.











