Berat, rrugët me gropa, shoferët: “Po na shkatërrohen makinat”

Apr 4, 2011 | 11:51

BERAT- Amortizimi i infrastrukturës në rrugët e Beratit, por edhe në aksin nacional që lidh këtë qark me Lushnjën, ka sjellë reagimin e pronarëve të mjeteve të transportit urban. Janë rreth 200 pronarë të autobusëve, taksive e furgonëve të cilët kërcënojnë me bojkotim të zgjedhjeve, nëse nuk do të merren masa në përmirësimin e kësaj infrastrukture. Sipas tyre, ata kanë marrë premtime në çdo fushatë nga kandidatët e subjekteve politike, por më pas nuk është bërë asgjë. “Rrugët e shkatërruara dhe plot gropa po na nxjerrin jashtë përdorimit makinat. Na ankohen edhe udhëtarët, kryesisht ata që vuajnë nga veshkat dhe sëmundje të tjera. Duhet të ndërhyhet për të përmirësuar infrastrukturën”, u shpreh drejtuesi i një furgoni të linjës me fshatrat e Beratit. Por ndërkaq, për rrugët plot gropa ankohen edhe drejtuesit e mjeteve të rrugës nacionale Berat-Lushnjë. Selfo Demaj, pronar i një autobusi u shpreh se ky aks është një torturë e vërtetë për udhëtarët, pa llogaritur këtu edhe shkatërrimin e mjeteve. “Për mashtrimin që na kanë bërë qeveritarët dhe deputetët, ne 200 pronarët e autobusëve, furgonëve dhe të taksive, së bashku me familjet tona, do të bojkotojmë zgjedhjet lokale”, u shpreh ai. Ashtu sikurse drejtuesit e mjeteve, për rrugët e amortizuara reagojnë edhe banorë të Beratit. Sipas tyre, edhe rrugët nëpër qytet lënë shumë për të dëshiruar. Në shumë vende ato janë gjithë gropa.       d.xh

© Panorama.al

Te lidhura