Basha: Tramvaji e plani urbanistik, brenda një viti

Apr 26, 2011 | 10:36
Basha dje me te rinjte

Kandidati i PD-së për Bashkinë e Tiranës, Lulzim Basha, ka zgjedhur një mënyrë origjinale për t’iu përgjigjur pyetjeve të qytetarëve lidhur me projektin e tij për mandatin katërvjeçar.Për herë të parë një kandidat zgjedh Facebook-un, rrjetin social më të klikuar në botë dhe në Shqipëri, për të komunikuar me zgjedhësit e të gjitha moshave. Për rreth 60 minuta Basha u është përgjigjur pyetjeve të zgjedhësve, përfshi edhe disa pyetje nga të rinjtë e ftuar në zyrën ku u bë lidhja direkte në Facebook. Kandidati i PD-së ka folur lidhur me projektet në infrastrukturë, kryesisht ndërtimi i tramvajit dhe parkimet nëntokësore, politikat për të rinjtë dhe zhdukjen e informalitetit.
Si mund të zgjidhet problemi i parkimeve dhe a është një zgjidhje parkimi nëntokësor me kate?
Çështja e trafikut në Tiranë është një çështje jashtëzakonisht e prekshme për çdo qytetar. Pavarësisht nga pozicioni që çdo qytetar ka, si grup-moshën, i punësuar apo jo, të gjithë jemi pjesë dhe vuajmë problemin e madh të trafikut në Tiranë. Është më të vërtetë një makth i përditshëm që na kushton kohë, na kushton durim, na kushton energji, na kushton karburant dhe, pa dyshim që ka një kosto të rëndë në mundësinë tonë për të ecur përpara. Për këtë arsye, plani im për të zgjidhur trafikun në Tiranë është një plan integral dhe është në krye të prioriteteve. Në qendër të këtij plani ka dy lloj ndërhyrjesh strategjike që do të nisin menjëherë, si Unaza e Madhe, për të cilën zotohem të përfundojë tenderi i segmentit nga Ura e Brarit te Ura e Kamzës dhe të nisë ndërtimi jo më vonë se gjashtëmujori i parë i vitit të ardhshëm. Unaza e Madhe është vepra infrastrukturore më e madhe e Tiranës, e dyta në infrastrukturën shqiptare. Do të krijojë 5800 vende pune dhe do të hapë një zinxhir të tërë punësimi me industritë mbështetëse. Kontributi i Unazës do të jetë i drejtpërdrejtë në lidhjen më të mirë jo vetëm të lagjeve me qendrën, jo vetëm të Tiranës me pjesën tjetër të vendit, por edhe të lagjeve me njëra-tjetrën. Tramvaji do të jetë një realitet i prekshëm për qytetarët e Tiranës jo në 2020-n, por brenda katër viteve të ardhshme. Do të nis menjëherë punimet për tramvajin Kinostudio- Kombinat, mbështetur në një koncept solid urbanistik, në ekspertizën më të mirë të ndërtimit të tramvajeve në Europë. Do të bëjmë realitet brenda vitit të parë, bashkë me miratimin e planit të ri urbanistik, edhe projektin për tramvajin dhe do të inaugurojmë punimet për linjën e parë “Kinostudio-Kombinat” dhe më vonë për linjën e dytë nga Bregu i Lumit deri në Selitë.
Po përsa u përket vend-parkimeve nëntokësore?
Këtu ne do t’i shtrijmë dorën partneritetit me sektorin privat. Bashkia do të vërë në dispozicion trojet e administrata publikisht të qytetit dhe do të kërkojë partneritetin me privatin për ndërtimin e tyre, çka do të shpejtojë bërjen e tyre realitet. Do ta bëjë këtë me një kosto të ulët për qytetin, pa shpenzuar nga paratë e buxhetit apo duke shpenzuar fare pak; por, në të njëjtën kohë, duke iu qëndruar tarifave publike, të cilat do të stimulojnë një nivel të arsyeshëm çmimesh për parkimet, dhe jo çmime abuzive, të cilat mund të kthehen në një kosto akoma më të madhe nga kostoja aktuale e trafikut.
Çfarë do të ndodhë me karburantet poshtë pallateve të banimit?
Çdo ndërtim me rëndësi të veçantë për sigurinë dhe shëndetin publik, ku hyjnë edhe karburantet që janë jashtë normave teknike të sigurisë, do të trajtohet në përputhje me ligjin. Nuk do të tolerojmë më asgjë që kërcënon shëndetin dhe sigurinë e banorëve të Tiranës.
A keni menduar ndonjë gjë për klubin “Partizani”, për ringritjen e atij klubi?
Unë premtoj se do të angazhohem me mish e me shpirt për të rikthyer emocionet e forta të derbit Tirona- Partizani. Këtë ta premtoj dhe natyrisht që Bashkia dhe qyteti do të kujdesen jo vetëm për klubin e vet, por do të kujdesen po kështu që gara tradicionale sportive edhe me 3 klubet e tjera, Partizanin, Dinamon dhe Studentin, të mbeten një traditë e bukur e qytetit tonë dhe për këtë, me ekspertët dhe sportistët e nderuar të këtij qyteti, ne të punojmë për ta rikthyer sportin në qendër të vëmendjes së qytetit, të Bashkisë, jo vetëm si garë e bukur sportive, por si një kulturë jete, cilësi jete, cilësi e munguar, në të cilën Bashkia mund dhe do të investojë.
Çfarë do të bëni për studentët?
Tirana e 100 mijë studentëve do të jetë një realitet gjatë mandatit të ardhshëm. Sot Tirana ka afro 80 mijë studentë dhe është një çështje kohe kur të ketë 100 mijë studentë. Tirana duhet të investojë për studentët e vet dhe çdo lek që investohet për studentët i kthehet 10 dhe 100-fish. Investimi te studentët është investim te pjesa më vitale e qytetit, te pjesa më e kualifikuar e tregut të punës, është investim te truri i qytetit. Sot kryebashkiakët në botë, mburrje kryesore kanë se sa studentë dhe akademikë kanë në qytet. Ne do ta fillojmë duke iu dhënë hapësirat që ua ka marrë apo ka lënë t’i marrë Bashkia padrejtësisht universiteteve për të ndërtuar kampuset kryesore të Universitetit të Tiranës, Universitetit Politeknik, po kështu universiteteve private. Do të vazhdojmë ndërtimin bashkërisht me universitetet dhe qeverinë të një biblioteke universitare bashkiake e aksesueshme edhe nga qytetarët, jo vetëm nga studentët. Do t’i ofrojmë çdo studenti nga shtatori-tetori i këtij viti “Kartën studentore bashkiake”, e cila do t’u japë mundësi studentëve të gëzojnë të drejtën për transport publik falas, për tarifa të reduktuara dhe tarifa zero ndaj një shumice shërbimesh të Bashkisë dhe institucioneve partnere, por edhe në raport me sektorin privat.
Ç’do të bëni me taksidarët e kundërligjshëm të Bashkisë? E kam fjalën jo për ata që mbledhin taksat e ligjshme, por për Policinë Bashkiake, e cila është bërë tmerr i qytetarëve?
Informaliteti është nëna e shumë të këqijave edhe në Tiranë. Folëm për informalitetin e tregjeve, por ky informalitet ekziston kudo dhe jo vetëm që ha të sotmen, por ha edhe të ardhmen e qytetit. Është një lugë hajdute që futet në pjatën e çdo qytetari të Tiranës. Unë ju siguroj se informalitetin, duke e konsideruar si krevatin e korrupsionit, do ta godas me të gjitha format dhe mjetet e nevojshme ligjore, duke nisur me atë që ndodh në bashkëpunim apo me heshtjen e organeve të Bashkisë.

Basha prezanton politikat antikorrupsion për Tiranën

Lulzim Basha ka prezantuar dje paketën antikorrupsion në Bashkinë e Tiranës pas 8 majit. Basha ka zgjedhur për të paraqitur platformën e tij ambientet pranë Qendrës Kombëtare të Licencimit, pasi synon që modelin e suksesshëm të kësaj qendre ta aplikojë në Bashkinë e Tiranës. “Qëllimi kryesor është që qyteti t’u kthehet qytetarëve dhe për këtë transparenca është instrument kyç. E nisim me vendosjen e një linje telefonike falas për çdo qytetar, i cili mendon se ka të bëjë me një sjellje korruptive nga cilido nivel i qeverisjes vendore. Secili mund të telefonojë dhe të bëjë një denoncim që, pa asnjë dallim, do t’i përcillet policisë për hetime të mëtejshme. Do të forcojmë instrumentet e brendshme antikorrupsion të Bashkisë. Do të bëj transparente shpenzimet e buxhetit të Tiranës. Do të bëj realitet transferimin e më shumë kompetencave ndaj njësive vendore të Tiranës. Tirana ka nevojë për vepra konkrete, vepra të cilat mund dhe duhet të kryen, dhe do të kryhen vetëm në kushtet e transparencës së plotë”, u shpreh Basha. Mungesa e transparencës dhe përbuzja e qytetarëve nga Bashkia e Tiranës ka qenë një nga shqetësimet që i është shprehur Bashës nga banorët e Njësisë Bashkiake Nr. 4 në kryeqytet. Në një bashkëbisedim me ta, Basha ka ritheksuar se çdo të premte do t’ua dedikojë tërësisht qytetarëve. Në këto biseda Basha është njohur edhe me shqetësimet e banorëve që lidhen me punësimin, infrastrukturën dhe taksat e larta.

Politikat antikorrupsion

Vendosja e një linje telefoni falas për qytetarët që të denoncojnë korrupsionin

Do të forcohen instrumentet e brendshme të antikorrupsionit

Transparencë mbi shpenzimet e buxhetit

Transferim i kompetencave te pushteti vendor

Çdo ankesë do të trajtohet brenda 3-5 ditësh

Për çdo ankesë do të përdoret parimi “heshtja është miratim”

Çdo të premte, takim me qytetarët

“Prioritet, rrugët nëpër lagje”
Ashtu si në çdo cep të Tiranës, edhe në takimet me banorë
të Njësisë Nr. 2, Basha ka premtuar se platforma e tij parashikon ndërtimin e Tiranës europiane, duke nisur nga lagjet. Edhe këtu banorët shprehën shqetësimin për mungesën e investimeve në rrugë dhe kërkuan ndërtimin e një shkolle në këtë zonë me 11 mijë banorë. “Të jeni të sigurt që rruga do të jetë fillimi i punës. Fillimi i punës do të jetë rruga. Qytetarët paguajnë taksa, shërbimet nuk shpërndahen në rregull, taksat kanë ardhur duke u rritur, shërbimet nuk janë fare. Prandaj, prioriteti numër 1 është ta nisim nga lagjet, me rrugë të standardeve, se ka lagje të reja ku nuk futet zjarrfikësja, ka lagje të reja që nuk futet autoambulanca. Do të bëjmë dhe infrastrukturën arsimore, kopshtet dhe shkolla sipas nevojës. Ndërtimi i Tiranës fillon nga lagjet”, siguroi Basha.

© Panorama.al

Te lidhura