Kandidati i PD-së për Bashkinë e Tiranës, Lulzim Basha, ka zhvilluar dje një takim me ndërtuesit ku ka detajuar investimet e parashikuara për t’u bërë në kryeqytet dhe që kapin një shifër prej 1 miliard eurosh për katër vjet.Në listën e veprave që pritet të ndërtohen janë tramvaji, që do të lidhë Kinostudion me Kombinatin, dhe pjesa e Unazës së Madhe nga Ura e Brarit në Urën e Kamzës.
Takimi
Gjatë fjalës së tij me shoqatën e ndërtuesve Basha ka garantuar se do t’i jepet fund trajtimit klientelist nga Bashkia dhe të gjithë do të gjejnë hapësirat që meritojnë. Krahas përfundimit të planit urbanistik në një vit, Basha premtoi reduktim të kohës së dhënies së lejeve të ndërtimit në 30 ditë dhe heqje të burokracive. “Jo më vonë se maji i vitit 2012, plani urbanistik do të jetë i zbatueshëm. Që nga ky moment, jo më shumë se 30 ditë, me mbi 80% e procedurës me kontakt minimal me autoritetin bashkiak, me procedurë automatike, ju do të jeni në gjendje të aplikoni dhe të merrni lejet e ndërtimit dhe t’i vini ato në zbatim. Afroj një trajtim jo klientelist, të hapur ku secili prej jush do të gjeje hapësirën që meriton dhe kërkon. Ne do të nisim në një kohë fare të shkurtër një operacion gjigant për sa i përket inftrastrukturës në Tiranë”, u shpreh Basha gjatë takimit. Në detajimin e fondit prej 1 miliard eurosh, kandidati demokrat tha se 270 milionë do të jenë për Unazën e Madhe, 100 milionë për tramvajin dhe 100 milionë për kanalizimet. “Kronologjia e kësaj axhende fillon me tenderimin brenda këtij viti të një pjesë të Unazës së madhe, e cila fillon nga Ura e Brarit deri tek Ura e Kamzës, me një vlerë fillestare të përllogaritur prej 270 milionë eurosh. Si dhe tenderimin brenda këtij viti të projektit të kanalizimeve të Tiranës, me një vlerë 100 milionë euro, nga të cilat më shumë se gjysma janë siguruar. Brenda qershorit 2012, nisjen e punimeve për linjën Kinostudio-Kombinat të tramvajit, dhe Brenda Dhjetorit 2012, nisja e linjës tjetër Bregu Lumit-Selitë po me një vlerë të përllogaritur prej 100 milionë eurosh”, u shpreh më tej kandidati demokrat. Në të njëjtën kohë ai premtoi rreth 340 milionë euro për nënkalime, parkime nëntokësore dhe ndërtimin e një parku të ri në Tiranë. “Kemi 170 milionë euro rezervuar për nënkalime, parkime nëntokësore, akse të reja dhe ndërhyrje të tjera brenda qytetit. Kemi 170 milionë euro për një park të ri, të madh të Tiranës, rrjetin e rrugëve të brendshme të qytetit, sistemimin e lagjeve me infrastrukturë sekondare dhe 230 milionë euro për objekte të tjera të infrastrukurës sociale, kulturore, arsimore, pra kemi në total të planifikuar sipas këtij projekti, investime pak mbi 1 miliard euro në katër vitet e ardhshme”, u shpreh Basha para ndërtuesve. Kandidati për kryebashkiak siguroi se kriteri i vetëm i përzgjedhjes së kompanive që do te kryejnë këto punime, do të jetë cilësia dhe afati i përfundimit të punimeve. “Ajo që më ka interesuar gjithmonë është cilësia e punimit dhe afatet e punimit. Ju mateni me cilësinë dhe afatet e ndërtimit të veprave, unë matem me cilësinë dhe afatin e premtimeve të mia, sepse 4 vjet edhe në konstruksion edhe në politikë, ecin shumë shpejt”, tha Basha. Kandidati demokrat ritheksoi angazhimin e tij për hipotekimin e apartamenteve brenda 6 muajsh, vlerësim real të pronës dhe krijimin e hapësirave publike.
“Do t’i jepet fund diskriminimit të romëve”
Kandidati i PD-së për Bashkinë e Tiranës, Lulzim Basha, dhe kandidatja e Njësisë 5, Erisa Xhixho, garantuan dje se do t’i jepet fund diskriminimit me komunitetin rom. Basha garantoi se në planin e tij parashikohet strehimi dhe punësimi i tyre njësoj si qytetarët e tjerë të Tiranës. Qytetarët romë dhe egjiptianë u ankuan se ata janë të lënë pas dore dhe nuk përfitojnë nga shërbimet e Bashkisë. “Unë do të punoj fort për prioritetin tim numër një, punësimin dhe mirëqenien e qytetarëve të Tiranës pa diskriminim dhe pa dallim”, tha kandidati për kryebashkiak në Tiranë. Nga ana e saj, Xhixho tha se “komuniteti rom do të jetë në vëmendjen e programit tim, sepse unë do të jem gjithmonë avokatja juaj, avokate për zgjidhjen e problemeve dhe shqetësimeve që ju keni. Duke vijuar më tej në shpalosjen e planit të veprimit për këtë komunitet, Xhixho tha se ” ne kemi një projekt për përmirësimin e jetës së romëve, duke investuar në strehimin dhe integritetin e tyre “. Sipas saj, “LSI-ja vjen në këto zgjedhje duke parashikuar të krijojë 11 qendra trajnimi profesionale, ku të rinjtë mos të enden si të papunë, por duke përvetësuar një profesion ata mund të thithen nga tregu i punës dhe ky është një projekt shumë i mirë dhe për këtë komunitet kur ne tashmë jemi njohur me mungesën e hapësirave për një vend pune për komunitetin rom “.
Basha prezanton Alimehmetin
Në takimin me banorët e Njësisë Bashkiake Nr. 7, Lulzim Basha ka prezantuar kandidatin e koalicionit, Krenar Alimehmeti. Brenda vitit të parë të mandatit të tij si kryetar i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha parashikon hapjen e rreth 10 mijë vendeve të reja të punës. Në takimin me banorët e kësaj Njësie, kandidati për kryetar bashkie bëri me dije se do të shqyrtohet ndërtimi në këtë zonë i një prej qendrave më të mëdha të panaireve, e cila do të ndikoje ndjeshëm edhe në shtimin e vendeve të punës. Basha ka parë nga afër gjithashtu diferencat në investime mes zonës së
ish-Bllokut dhe “Kodrës së Priftit”. Ai premtoi se politikat me dy standarde do të marrin fund.
ADI SHKEMBI
© Panorama.al











