
TIRANE- Kreu i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha ka dhënë sot mbështetjen e tij për studentët e Universitetit Politeknik të Tiranës, gjatë ceremonisë së diplomimit të inxhinierëve të rinj. Ai ofroi punë menjëherë për 6 studentët më të mirë, ndërsa tha se 20 studentë të tjerë shumë shpejt do të kenë mundësi të bëjnë stazhin pranë Bashkisë së Tiranës, kundrejt një pagese simbolike.
“Gjashtë studentët më të mirë të gjashtë fakulteteve që sot marrin diplomë “master”, i pret një vend pune në Bashkinë e Tiranës. Brenda 15 dhjetorit, 20 studentët më të mirë të çdo Fakulteti i pret një vend stazhi me një pagesë minimale prej 100 mijë lekësh (të vjetra), por me një gjatësi 3-ë muaj në Bashkinë e Tiranës dhe në institucionet e varësisë”- tha Basha.
Ai u premtoi studentëve se brenda marsit të vitit që vjen do të ngrihet programi i stazheve i cili do të jetë i instaluar plotësisht dhe gjithsecili prej studentëve që zgjedh, dëshiron të kryejë stazh pune 3-ë muaj në institucionet publike apo private.
Kryetari i Bashkisë, Basha i ftoi të diplomuarit, dhe me këtë rast, të gjithë studentët që të japin mendimin dhe idetë e tyre për planet e zhvillimit të Tiranës.
Basha mori pjesë sot në ceremoninë e diplomimit të 247 studentëve të cilët mbaruan ciklin e masterit shkencor në Universitetin Politeknik të Tiranës.
© Panorama.al











