Kandidati i Partisë Demokratike për Bashkinë e Tiranës, Lulzim Basha, premtoi dje ndërtimin e tramvajit që do të lidhë zonat kryesore të kryeqytetit.Në ditën e pestë të fushatës derë më derë në Tiranë, Basha u takua me banorët e Kombinatit, pjesë e Njësisë Bashkiake Nr. 6. Kjo zonë, që ka rreth 60 mijë banorë, vitet e fundit është larguar nga kryeqyteti dhe aktualisht gjendet një orë larg qendrës. “Një orë bëjmë të shkojmë në Tiranë me autobus”, i thanë banorët dje Lulzim Bashës, kandidatit për kryebashkiak në Tiranë. Transporti publik është një nga problemet që ka kjo zonë. Banorët i treguan Bashës mungesën e pusetave dhe pasojat që sjell kjo situatë. Nga ana e tij, kandidati demokrat u shpreh se në program parashikohet ndërtimi i një tramvaji, i cili do të lehtësojë shumë qarkullimin në kryeqytet. “Sa kohë ju merr për të dalë nga këtej në qendër? Unë kam planin për tramvaj, duhet të lidh pikat më të largëta të qytetit, të lidh Kinostudion me Kombinatin, trenin e më poshtë me Tiranën e Re dhe të lë autobusët për linjat e tjera”, u shpreh Basha. “Ujërat e zeza janë ngado”, ankohen më tej banorët gjatë takimit me kandidatin demokrat. Rrugët janë të prishura. Sipas tyre, fëmijët nuk kanë ku të luajnë, ndërsa të moshuarit nuk kanë një hapësirë ku të çlodhen. “Duhet dhe do të bëjmë ambiente sportive në çdo shkollë, palestra dhe fusha që fëmijët të kenë ku të argëtohen dhe të stërviten. Do ta bëj rrugën, por do ta bëj me plan zhvillimi, ku të ketë edhe shesh për të luajtur fëmijët dhe për të kaluar kohën të moshuarit”, u angazhua Lulzim Basha gjatë takimeve që pati në Kombinat me qytetarët. Disa banorë të tjerë i thanë kandidatit demokrat për Bashkinë e kryeqytetit se banesat e tyre janë të vjetra dhe në gjendje të rënduar, teksa i kërkuan Bashës që të ndërhyjë për këtë situatë. Kandidati i PD-së për Tiranën i garantoi qytetarët se për të gjitha hallet dhe problemet që ata kanë do të kenë vëmendjen e tij të vazhdueshme kur ai të jetë në krye të Bashkisë.
Dje ishte dita e pestë e fushatës së kandidatit për kryebashkiak në Tiranë, Lulzim Basha, në turin e tij të dëgjimit të halleve të banorëve dhe ofrimit të zgjidhjeve për problematikën e akumuluar në vite. Në shpalosjen e programit të tij për Bashkinë e Tiranës, Basha ka premtuar më shumë investime në infrastrukturë dhe mbështetjen e biznesit nëpërmjet uljes së taksave.
PS: Basha nuk e njeh Tiranën
“Disa banorë më thanë se Saliu e kishte urdhëruar Lulin të dukej këtej dhe të dilte të njihte Kombinatin. Dhe në fakt bën mirë që del ta shohë Kombinatin edhe kandidati i Saliut, se nuk e njeh as Kombinatin, as Tiranën. Po ky kandidat i Saliut, ju e mbani mend të gjithë, është po i njëjti, ai që i shpëtoi gjykimit të sistemit gjyqësor kur e morën të pandehur për atë që bëri në rrugën Durrës-Kukës”, u shpreh dje deputeti i PS-së, Sajmir Tahiri.
PD: Rama vjen duarbosh më 8 maj
I menjëhershëm ishte reagimi i PD-së përmes kandidates për këshilltare të Këshillit Bashkiak, Jorida Tabaku. “Lulzim Basha mendon dhe vepron ndryshe. Ai e njeh shumë mirë Tiranën dhe gjithë Shqipërinë. Ashtu siç ndërtoi me sukses rrugën Durrës-Kukës, veprën historike kombëtare, po ashtu do të ndërtojë të gjitha akset e reja të kryeqytetit. Tashmë të gjithë e dinë se Edi Rama vjen në këto zgjedhje duarbosh dhe pa bilanc”.
Aristir Lumezi
© Panorama.al











