Basha: Plan të ri urbanistik brenda një viti për Tiranën

Apr 14, 2011 | 10:15

Kandidati demokrat për Bashkinë e Tiranës, Lulzim Basha, iu përgjigj dje shqetësimeve të adresuara nga grupi i intelektualëve “Iniciativa për Tiranën”.Në sallën e Akademisë së Arteve, edhe dje mungoi kandidati socialist, kryetari aktual i Bashkisë, Edi Rama, ndërsa numri i intelektualëve ishte edhe më i madh. Pasi mbajti shënim një javë më parë të gjitha shqetësimet për qytetin, të ngritura nga figurat e spikatura në fushat e tyre, Lulzim Basha kishte ardhur dje me platformën e tij të detajuar se si do ta administrojë Tiranën pas 8 majit, nëse është fitues i zgjedhjeve. Basha tha se në qendër të platformës së tij është parimi i decentralizimit të pushtetit që sot është grumbulluar në Bashkinë e Tiranës. Sipas tij, kjo do të arrihet përmes një konsensusi me minibashkitë e Tiranës, por dhe në bashkëbisedim me qytetarët. Edhe dje, pjesëmarrësit në panelin e intelektualëve ngritën pyetje se si kryetari i ri i Bashkisë do të zgjidhë çështje që tashmë kanë krijuar një problematikë për të gjithë qytetarët. Basha premtoi një plan të ri urbanistik për kryeqytetin brenda një viti, i cili do të respektojë ambientet publike dhe nuk do ta betonizojë qytetin. “Do të ketë plan të ri urbanistik për Tiranën, i cili do të jetë gati brenda 12 muajve të parë të mandatit. Nuk do të flaken të gjitha vlerat e mëparshme. Do të vendosim një shpërndarje proporcionale të vlerës së pronës private. Lejet e ndërtimit do të merren me procedura më të thjeshta brenda 30 ditëve”, u shpreh Basha. Paneli ishte i përbërë nga emra të njohur si Kujtim Çashku, Besnik Aliaj, Valentina Duka, Aleks Luarasi, Dhori Kule, Adrian Civici, Amik Kasoruho, Zhani Ciko, Isuf Kalo, Jorgaq Kaçani, Halim Kosova, Bujar Kapexhiu, Henri Çili etj., ndërsa moderohej nga pedagogia Grida Duma. Përmes videoprojektorit, kandidati demokrat pasqyroi dhe qytetin e së ardhmes, që nga infrastruktura e deri te ambientet kulturore dhe sportive. Kandidati i koalicionit të djathtë për Tiranën kërkoi votën e qytetarëve mbështetur në sukseset e deritanishme të tij në postin e ministrit. “Unë vij si Lulzim Basha, i lindur në qytetin tim dhe pikësëpari vij me dashurinë për të, besoj se është ajo çka na motivon, vij si njeri i pretimeve të mbajtura dhe i angazhimeve nga të cilat kanë përfituar të gjithë nga infrastruktura. Më shumë se kaq nuk mund të ofroj për kredibilitetin tim. Dua të gjykohem në bazë të veprave, jo fjalëve. Në këto vite, në shërbimin publik në nivel qendror dhe, besomëni, se zotimet që jap para jush janë sfidat, motivi i vetëm në këtë garë dhe plotësimi i tyre”, u shpreh Basha. Duke folur për projektet në infrastrukturë, Basha premtoi ndërtimin e Unazës së Madhe të Tiranës. “Prioritet kryesor në planin urban është ndërtimi i Unazës së Madhe të Tiranës. Ndërtimin e një sistemi tramvaj, sistemit kapilar të transportit, brenda qytetit të Tiranës, me nënkalime, parkime publike, por dhe angazhime të sektorit privat për parkime private, të menaxhuara sipas tarifave të rëna dakord me Bashkinë”, u shpreh Basha, ndërsa nuk la pa përmendur dhe mund-ësitë që do të krijojë Bashkia në hapjen e vendeve të reja të punës përmes një klime të re me biznesin.

Amik Kasoruho
“Unë kam lindur në Tiranë dhe kam jetuar në Tiranë vetëm 17 vjet. Kam 60 vjet që jetoj jashtë dhe e konsideroj, sot e kësaj dite, Tiranën si qytetin tim. E dua atë dhe, si të gjithë ju, dua të mirën e saj, ndoshta ia vlen të përkrahim çdo iniciativë që synon në zgjatjen dhe zbukurimin e jetës së kësaj Tirane. Nuk besoj se ka nevojë për shumë kohë, por për shumë punë, për të cilën unë jam i bindur që ju do ta bëni, është e domosdoshme që të mos bëhen ato gabime që janë bërë deri më sot”, u shpreh kreu i organizimit “Iniciativa për Tiranën”.

Kujtim Çashku
“Mendoj se duhen marrë masa ndaj asaj që ne e quajmë mafie, e cila është e lidhur me politikën dhe juve në këtë mes i vini vetes një përgjegjësi qytetare kur qëndroni përballë kësaj organizate të fuqishme, e cila është totalisht e lidhur me politikën. Disa shenja që shfaqni të një pavarësie, mendoj se janë shenja që shkojnë në drejtim të kulturës qytetare, një term që ju e keni vjedhur për fushatën, kështu që do të doja vërtet që në vazhdim kjo persistencë të jetë pjesë e të gjithë fushatës”, u shpreh regjisori i njohur.

Platforma e Lulzim Bashës para intelektualëve

• Platforma ime propozon një qeverisje të decentralizuar, sa më afër qytetarit.
• Do të kërkoj konsensus jo vetëm nga njësitë bashkiake që mund të drejtohen nga opozita, por dhe nga qytetarët në një format si ky, se ku duhet të shkojë Tirana.
• Thelbi i konceptit tim në krye të Bashkisë është bashkëqeverisja e bazuar në interesat më të mira të qytetit, qytetarëve dhe në konsensusin më të gjerë të mundshëm formal dhe joformal të qytetarëve.
• Administrata profesionale, të bazuar në kritere të përgatitjes profesionale për performancë në raport me shërbimin që do të ofrojmë, procedura të thjeshtëzuara që shkurtojnë kohë ndaj shërbimit ndaj qytetarit, qeverisje bashkëpunuese dhe të gjithë faktorëve të tjerë të rëndësishëm të qytetit.
• Çështja kryesore e platformës sime është çështja e zhvillimit ekonomik të qytetit, derivat dhe objektivi im më kryesor si kryetar bashkie është punësimi.
• Prioritet kryesor në planin urban është ndërtimi i Unazës së Madhe të Tiranës.
• Ndërtimin e një sistemi tramvaj, sistemit kapilar të transportit brenda qytetit të Tiranës, me nënkalime, parkime publike, por dhe angazhime të sektorit privat për parkime private, të menaxhuara sipas tarifave të rëna dakord me Bashkinë.
• Platformë e shtrirjes së aksit kryesor të qytetit, nga Universiteti deri te Lumi i Tiranës dhe kthimin e këtij lumi në një korridor për të gjithë qytetin.
• Investime të tilla, të ndërmarra në partneritet me qeverinë qendrore dhe si rezultat i rritjes së kapaciteteve huamarrëse të Bashkisë, kanë në potencial të çlirojnë, vetëm 18 muajt e parë, mbi 5800 vende të reja pune për qytetin tonë. Së dyti, klima e biznesit.
• Një platformë të qartë fiskale, me një program fiskal, i cili dje mori edhe votën e rivalit tim, që synon thjeshtimin e sistemit të ndërlikuar fiskal, duke eliminuar 60, nga 85 taksat dhe tarifat, dhe duke ulur taksat që mbeten 2 deri në 5 herë, ndërkohë që tarifat e domosdoshme kthehen me çmimin 100 lekë dhe me parimin e shërbimit në një sportel.
• Vetëm nëpërmjet uljes së taksave, biznesit të vogël në Tiranë i kursejmë 1.2 miliard lekë, 40-60 mijë lekë në vit, dhe sot kjo shifër dyfishohet sipas llogaritjeve konservatore. Kemi të bëjmë me një potencial për hapjen e 4000 vendeve të punës, vetëm nëpërmjet uljes së taksave që janë rritur 3-4 herë 11 vitet e fundit në Tiranë.
• Nxitja e një sistemi kritik, nëpërmjet një fondi special për hierarkinë e kredive, që do të ketë dorën e Bashkisë në themelimin e tij, me një vlerë minimale, vitin e parë me 2 milionë euro, që do të thotë kreditim me vlerë 20 milionë euro, dhe pritet që kjo skemë të gjenerojë me ndihmën e bizneseve të mesme e të vogla, të gjenerojë 6 mijë vende të reja pune.
• Prioritare në platformën time është nxitja e arsimit profesional. Arsimi profesional është një nga pikat më kyçe afatmesme e afatgjata të zhvillimit ekonomik dhe të shanseve të punësimit në qytetin e Tiranës.
• Zhvillim harmonik të lagjeve të Tiranës, zhvillimi policentrik i qendrave të ndryshme urbane, ku do të ketë edhe komponentë të kulturës, kinematografisë, por ku në thelb qëndron rifitimi i hapësirave publike.
• Një plan konkret që nis muajin e parë, brenda 31 majit, heqjen e 60 taksave, reduktimin e çdo tarife tjetër të domosdoshme sipas parimit të ndalimit në një sportel me një mijë lekë të vjetër për çdo biznes të vogël, të mesëm apo të madh.
• Ulje e taksave ekzistuese 2-5 herë, duke hequr disa prej tyre si taksa e gjelbërimit, e tabelës dhe duke shtuar një sasi absolute parash në xhepat e bizneseve te vogla e të mesme të Tiranës prej 1.2 miliardë
• Do të ketë plan të ri urbanistik të Tiranës, i cili do të jetë gati brenda 12 muajve të parë të mandatit. Nuk do të flaken të gjitha vlerat e mëparshme.
• Lejet e ndërtimit do të merren me procedura më të thjeshta brenda 30 ditëve.

 

ARISTIR LUMEZI

© Panorama.al

Te lidhura