Fund abuzimit me tokën në Tiranë. Kandidati i maxhorancës për Bashkinë e Tiranës, Lulzim Basha, në një bashkëbisedimin me banore të Njësisë Bashkiake Numër 3, Basha garantoi se vlerëson realisht pronën dhe se çdo cm toke që do të përdoret për investime publike, do të kompensohet me çmimin e tregut. “Projekti im për zhvillimin e Tiranës, bazohet në vlerësimin real të pronës”, theksoi Basha, ndërsa dëgjoi ankesat e qytetarëve. “Jemi tironas 100-vjeçarë, këtu na ka marrë 3 metra oborr. Nuk na ka dëmshpërblyer fare, Bashkia nuk na pyeti. E mori oborrin për të parkuar makinat anës rrugës”, tha një qytetare autoktonase, të cilës Basha i dha përgjigjen: “Kjo nuk mund të ndodhë më dhe nuk do të ndodhë më. Me planin e ri urbanistik, çdo pronar do të ketë të drejtë ta zhvillojë pronën e vet në mënyrë proporcionale dhe asnjë centimetër katror pronë nuk do të preket pa dëmshpërblim me vlerën e tregut”. “Taksat janë shumë të larta, taksa e tabelave nuk merret vesh fare”, tha një tregtare. “Taksën e tabelës do t’jua heq, taksën e gjelbërimit do t’jua heq, taksën e pastrimit do t’jua ul deri në tre here. Ky është zotimi im”, u përgjigj Basha. “Kemi dy dyqane të vogla këtu, paguajmë 1 milion e 800 mijë lekë”, tha një tregtar. “Që nga shtesat, që nga hapja e dritareve të gjitha volume e vogla të ndërtimit do të kalojnë në kompetencë të njësive bashkiake”, premtoi Basha. Duke vijuar takimet elektorale, ai u zhvendos te rruga “Komuna e Parisit”, ku garantoi furnizim 24 orë me ujë, rrjet të përmirësuar të kanalizimeve dhe sistem modern të trajtimit të ujërave të ndotura. Normalizimi i çmimeve në Tiranë, ishte një tjetër prioritet që Lulzim Basha e theksoi dje. Në funksion të kësaj, ai garantoi krijimin e lehtësirave fiskale për bizneset e Tiranës.











