Basha: Lumi i Tiranës, zonë rekreative, do të ulim taksat

Apr 5, 2011 | 10:35

Kandidati i PD-së për Bashkinë e Tiranës, Lulzim Basha, ka zhvilluar takime me banorët e Njësisë Bashkiake Nr. 9, si dhe ka vizituar ekspozitën e 16 artistëve shqiptarë. Gjatë këtyre takimeve, kandidati demokrat ka premtuar shndërrimin e Lumit të Tiranës në një zonë rekreative në kryeqytet. “Sot, Lumi i Tiranës është një katastrofë e vërtetë nga çdo pikëpamje, pamore, e higjienës, e ndotjes ekologjike. Por, me projektin që unë kam, ky korridor kthehet në rekreativ, me një kaskadë ujore të kompletuar, me një korridor transporti me Unazën e Madhe, por këtu në mes të korridorit të transportit, pjesa më e rëndësishme për mua është pjesa e korridorit rekreativ të Lumit të Tiranës. Pikërisht këtu ne duhet të shfrytëzojmë të gjitha mundësinë për bashkëpunimin me artistët e kryeqytetit, për t’i dhënë atë fytyrë qytetare që sot i mungon Tiranës, për ta shtrirë në të gjithë qytetin”, tha Basha. Gjatë takimeve në Njësinë Nr. 9 kandidati demokrat për Bashkinë e kryeqytetit ka premtuar sërish uljen e taksave dhe garanci për tokat e qytetarëve autoktonë. “Nuk ecën kurrë dot këtu, ka mungesa parkimi”, tha një banor, ndërsa një tjetër u shpreh se e kishte mbyllur biznesin në pamundësi për të vijuar. “Ne do t’i përvishemi punës që ta rihapësh përsëri dhe të marrësh prapë njerëz në punë. Do të ulim taksat dhe do të japim të gjitha mundësitë”, u shpreh Basha. Banorët e kësaj lagjeje folën për mungesat e mëdha të shërbimeve në jetën e tyre. “Kemi rrugën ‘5 Maji’ që s’ka shkollë, kemi rrugën ‘Besa’ që s’ka shkollë, kemi rrugën ‘Jordan Misja’ që nuk ka shkollë”, tha një prej mësueseve të zonës. Nga ana tjetër, banorët autoktonë kërkuan zhvillimin e lagjeve dhe garanci për pronat e tyre. “Të siguroj që grabitjes së pronave do t’i japim fund njëherë e mirë”, tha Basha, i cili bashkëbisedoi me ta për një formë të menaxhimit të pronës private dhe rifitimit të hapësirave publike.

Përplasja PD-PS për Tiranën

Deputeti i PD-së, Gert Bogdani, akuzoi dje kreun e PS-së, Edi Rama, se ka shpifjen si alternativë të vetme për kryeqytetin. “Të gjithë në Tiranë e dinë se politika e shpifjes dhe e përbaltjes është e vetmja rrugë e Edi Ramës me të cilën ai po kërkon të mbulojë faktin se nuk ka një bilanc të punëve në Bashki dhe faktin që vjen duarbosh në këto zgjedhje”, tha Bogdani. Si kundërpërgjigje, anëtarja e Asamblesë së PS-së, Megi Ajtyresa, u shpreh se “e vërteta është se për çdo 100 lekë taksa që harxhon një qytetar i Tiranës, vetëm 10 lekë shkojnë te Bashkia, e cila pastron, gjelbëron dhe mirëmban qytetin. 90 për qind e taksave shkojnë te qeveria e Lulit, që deri tani ka sjellë 1 milion të papunë e plot 32 të vdekur nga dora e pushtetit”.

© Panorama.al

Te lidhura