Basha, fushatë me Godon: Do ndërtoj 12 shkolla 9-vjeçare dhe 4 gjimnaze

Apr 16, 2011 | 12:19

Ashtu siç ka deklaruar publikisht, politikani i njohur Sabri Godo ka mirëpritur dje në lagjen e tij (numër 2) kandidatin për Bashkinë e Tiranës, Lulzim Basha dhe e ka shoqëruar atë në takimet me banorët, ku është njohur me problematikën e zonës. Infrastruktura, mungesa e hapësirave të gjelbra dhe ambienteve argëtuese, kryesisht për fëmijët dhe të moshuarit, ishin çështjet kryesore që diskutuan të dy, por edhe u vunë publikisht në axhendën e Bashës si kryebashkiak i ardhshëm i Tiranës. Më pas, Basha është fokusuar në arsim, turizëm dhe art. “Prioritet për mua është ndërtimi me shpejtësi i 12 shkollave 9-vjeçare dhe 4 gjimnazeve. Nuk do të kemi më klasa me mbi 30 nxënës në qytetin tonë. Pa përjashtim do të kenë ngrohje qendrore funksionale, përkundër një kostoje të ulët edhe dreka. Këto shkolla në vetvete do të kenë hapësira të bollshme për jetën sociale, kulturore dhe sportive për nxënësit tanë”, tha Basha. Tirana turistike ishte një tjetër angazhim i tij. Në platformën e Bashës për këtë sektor parashikohet lehtësim i barrës fiskale për të gjithë operatorët turistikë, ndërsa si hap i parë do të hiqet taksa e fjetjes në hotele, e cila aktualisht është 5%. Këtë platformë, Basha e bëri publike në një takim me operatorët turistikë dhe gjatë vizitës në panairin për turizmin. Sipas tij, do të investohet në vlerat turistike të Tiranës, ndërsa në planin e ri rregullues do të marrë zgjidhje sinjalistika në funksion të turizmit, vend-parkimet për automjetet turistike etj. Arti dhe kultura zunë dje një hapësirë të veçantë në projektin e Bashës për Tiranën, si metropol europian. Ndër të tjera, në platformën e tij Basha parashikoi ngritjen e galerisë, filarmonisë e muzeut të qytetit, si dhe mbështetje të veçantë për talentet. Këto pjesë të programit për zhvillimin e artit, Basha i bëri me dije në një takim me artistë të njohur të kryeqytetit. “Ne nuk duhet të harrojmë kurrë se investimi në art, përveç investimit në konstitucionin tonë shpirtëror, është një investim në punësim, është një investim në mirëqenie, është një investim në zhvillimin ekonomik”, tha Basha. Në këtë takim ishin të pranishëm artistët më në zë të vendit, si Kujtim Çashku, Muhallaq Luarasi, Edi Luarasi, Suela Konjari, Nik Xhelilaj etj.

Projektet në Allias

Punësimi dhe rritja e fuqisë blerëse janë përcaktuar si prioritetet kryesore të kandidatit për kryetar të Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha. Gjatë prezantimit dje pasdite të kandidatit për Njësinë Bashkiake Nr. 4, Hysen Xhura, Basha bëri të ditur se vetëm nga ulja e taksave, krijimi i fondit të garancisë për kreditimin e biznesit dhe nisja e Unazës së Madhe, do të hapen 15 mijë vende të reja pune. Basha ka falënderuar ironikisht edhe rivalin Rama për votën që i dha projektit të tij për punësimin. “Plani im për punësimin mori para dy ditësh edhe voton e kandidatit tjetër për kryetar Bashkie. Faleminderit për votën, zoti Rama. Më mirë vonë se sa kurrë”, tha Basha.

© Panorama.al

Te lidhura