Basha: Do të investohen 200 milionë euro në Tiranë

Apr 12, 2011 | 10:42
Basha dje gjatë inspektimit të punimeve në Unazën e Madhe

Kandidati demokrat për Bashkinë e Tiranës, Lulzim Basha, shpalosi dje strategjinë e tij për të rritur investimet në Tiranë. Gjatë një takimi me banorët e zonës së Saukut, aty ku kanë nisur punimet e Unazës së Madhe të Tiranës, Basha tha se investimet në Tiranë, me fondet e Bashkisë, për katër vitet e ardhshme do të arrijnë në 200 milionë euro. “Strategjia ime do t’i mundësojë Tiranës që në 4 vitet që vijnë të investohen 200 milionë euro vetëm me fondet e vetë Bashkisë, dhe jo as 50 milionë, si katër vitet që shkuan. Këtyre fondeve do t’u shtohen edhe fonde të tjera shtesë përmes aftësive të shtuara kredimarrëse të Bashkisë, fonde nga projektet e suksesshme të Bashkisë te donatorët e ndryshëm, veçanërisht te Bashkimi Europian, edhe më shumë kapitale private përmes partneritetit publik privat dhe, natyrisht, fondet nga buxheti i shtetit”, u shpreh Basha. Duke inspektuar punimet e nisura për Unazën e Madhe, kandidati demokrat për Bashkinë tha se ky ndërtim do të hapë 5 mijë vende të reja pune. “Investimet në infrastrukturë do t’i shërbejnë hapjes së menjëhershme të mijëra vendeve të reja të punës, krahas zhvillimit të Tiranës. Ndërtimi i Unazës së Madhe do të gjenerojë direkt hapjen e mbi 5 mijë vendeve të reja pune”, u shpreh kandidati demokrat. Sipas Bashës, në 4 vjet do të asfaltohet çdo rrugë e Tiranës, do të hapen akse të reja që tani nuk ekzistojnë, ndërsa vëmendje e veçantë do t’u kushtohet parkimeve. “Duke përfaqësuar interesat e çdo qytetari dhe gjithë komunitetit, do të bëjmë gjithçka që Unaza e Madhe të jetë një realitet i prekshëm sa më shpejt. Si pjesë e planit tim infrastrukturor për Tiranën, do të fillojë hapja e akseve të tjera rrugore që tani nuk ekzistojnë, bazuar gjithmonë në një plan afatgjatë zhvillimi të qytetit. Brenda 4 vjetësh, të gjitha rrugët e Tiranës do të asfaltohen, do të shtrohen, duke përfshirë edhe trotuaret. Do të ndërtohen të paktën 4 vend-parkime të mëdha publike, përmes një bashkëpunimi edhe me sektorin privat”, u shpreh Basha. Ai garantoi se do të kompensohen me vlerën e tregut për çdo metër tokë që do t’i shërbejë ndërtimit të veprave publike, siç është Unaza e Madhe. “Tokë apo truall, çfarëdo statusi që të kenë, do të vlerësohen me vlerë tregu”, tha Basha.

© Panorama.al

Te lidhura