Basha: Bizneset që punësojnë 50 persona, 4-5 vite pa taksa

Apr 15, 2011 | 11:09
Basha dje, gjatë fushatës në Tiranë

Bizneset që do të punësojnë mbi 50 punonjës nuk do të paguajnë taksa për një periudhë 4-5 vjeçare.Kështu u shpreh dje kandidati i PD-së për Bashkinë e Tiranës, Lulzim Basha. Ai parashikon në programin e tij të punësimit, përmirësim të infrastrukturës dhe klimës së biznesit, lehtësira fiskale dhe thithje të investimeve të huaja. Gjatë një takimi me përfaqësues të biznesit në kryeqytet, Basha tha se do të ketë lehtësira fiskale për 4-5 vjet për bizneset që punësojnë mbi 50 punonjës si dhe do të krijohen parqe industriale bazuar mbi Planin e Përgjithshëm Rregullues, i cili do të përfundojë brenda 12 muajsh. “Prioriteti ynë numër një mbetet punësimi në të gjithë kuptimin e fjalës. Vende pune, kushte më të mira pune, paga më të larta dhe trajtim më të mirë. Që ta bëjmë këtë, ne duhet që Tiranën ta kthejmë në një qytet që e lakmon biznesin jo në një qytet ku largohet biznesi”, u shpreh kandidati demokrat. Sipas tij “të përmirësojmë klimën e biznesit duke ulur taksat, të përmirësohet klima e biznesit duke krijuar mundësi për parqe teknologjike ku jo vetëm punohet me një regjim fiskal të favorshëm, por edhe transferohet përvoja e punës edhe tek brezi i ri. Këto inkubatorë do të jenë pa taksa deri në 3 vjet. Gjithashtu, unë do të heq taksat për të gjitha bizneset që punësojnë 50 ose më shumë punonjës për 4 deri në 5 vjet. Unë kam shpallur prioritet kryesor një fond prej 2 milionë eurosh, me të cilat do të hapen 6 mijë vende pune. Bashkia duhet të konkurrojë për ta thithur kapitalin, kapital do të thotë punësim, kapital do të thotë rroga të larta, kapital do të thotë mirëqenie”. Heqja e 60, nga 85 taksat dhe tarifat e bashkisë, ulja e barrës fiskale nga 40 deri në 60 mijë lekë ne vit, ulja 3 deri ne 5 herë e kohës për marrjen e lejeve ose licensave, parashikohen nga kandidati për kryetar të Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha. Bashkia e Tiranës, tha Basha, do të angazhohet dhe konkurrojë për thithjen e investimeve të huaja duke e bërë kryeqytetin tonë një vend atraktiv për biznesin. Gjatë ditës së djeshme, banorë të Njësisë Bashkiake numër 4, kanë kontestuar investimet elektorale të Edi Ramës. Vetëm pak minuta pas vizitës së Ramës në këtë njësi për të inauguruar një segment të shkurtër rrugor, banorët kanë shprehur indinjatën për mungesën e investimeve në brendësi të lagjeve, mungesa që, sipas banorëve, nuk i gjen as në fshatrat më të thella në Shqipëri. Ata i shprehën ankesat e tyre kandidatit për kryetar të Bashkisë, Lulzim Basha, i cili sapo kishte përfunduar takimin me sipërmarrës ku po shpaloste programin e tij për politikat fiskale. “Kemi kaq vite që jetojmë në pellgun e ujit këtu, nuk është mbajtur asnjë premtim. Nuk bëhet problem se cila parti fiton, ne flasim thjesht për publikun, jetojmë në mushkonja, jetojmë sipër bodrumeve të mbushura me fekale”, i tha Bashës një banore. Kandidati për kryebashkiak i siguroi qytetarët se problemet e tyre janë prioriteti i tij. “Problemi është se taksat paguhen dhe shërbimet nuk jepen. Taksat paguhen dhe na tregohet një rrugë që është e asfaltuar tri herë. Kurse këtu ka 20 vjet që nuk ka vënë dorë njeri. Unë ju them që kështu nuk mund të vazhdohet. Ne kësaj mënyrë të vepruari, apo të mos vepruari, duhet t’i japim fund. Ne duhet t’i rikthejmë sytë nga lagjet tona, nga pragu i shtëpive të qytetarëve dhe ta fillojmë aty”, u shpreh Basha.

Spahiu: Votoni PD dhe PLL
Partia Lëvizja e Legalitetit zhvilloi takimin elektoral të radhës në Elbasan. Me këtë rast, kryetari i kësaj partie, Ekrem Spahiu, bëri thirrje që në maxhoritar të votohet për kandidatët për kryetar të njësive vendore të koalicionit “Aleanca për qytetarin”, ndërsa për këshillat vendorë të votohet për PLL-në. “Tradita po rilind jo thjesht si një nostalgji, por si një domosdoshmëri dhe kërkesë qytetare për një qeverisje edhe më të mirë”, tha Spahiu.

Bogdani: Rama vodhi idenë e Bashës për tramvajin

Deputeti i Partisë Demokratike, Gerti Bogdani, shprehu dje shqetësimin për trafikun e rënduar në kryeqytet. Sipas tij, mungesa e theksuar e infrastrukturës së rrjetit rrugor kryesor dhe rrugëve dytësore ndikojnë negativisht në komoditetin e lëvizjes së qytetarëve. “Si pasojë e mungesës së mbikalimeve apo nënkalimeve, janë shënuar 34 të vdekur brenda 4 vjetësh në Laprakë”, tha ai, ndërsa shtoi se idenë e tramvajit Edi Rama e vodhi nga Lulzim Basha.

 

ADI SHKEMBI

© Panorama.al

Te lidhura