Kryetari i Grupit Parlamentar Demokrat, Gazment Bardhi, teksa po zhvillon një vizitë zyrtare në SHBA, është takuar edhe me zyrtarë dhe funksionarë të lartë amerikanë.
Një nga takimet ka qenë edhe me Ndihmës Prokuroren e Përgjithshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pranë Departamentit Amerikan të Drejtësisë, Harmeet K. Dhillon.
Ai nënvizon me një postim në profilin e tij në rrjetin social Facebook, se vendosja në krye e axhendës së luftës ndaj karteleve të drogës nga SHBA-të, “është një lajm i mirë për Shqipërinë”.
“Lufta me tolerancë zero ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit është e vetmja mënyrë që Shqipëria të ecë përpara, si një vend i denjë për të qenë anëtar i NATO-s dhe si vend kandidat për në BE”, shkruan deputeti i PD mes të tjerash.
Postimi i plotë i Gazment Bardhit në Facebook:
“Gjatë qëndrimit në Washington DC, kisha kënaqësinë të takohem me Ndihmës Prokuroren e Përgjithshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pranë Departamentit Amerikan të Drejtësisë, znj. Harmeet K. Dhillon.
Përkushtimi i SHBA për të vendosur në krye të axhendës së sigurisë luftën ndaj karteleve të drogës dhe bashkëpunëtorët e tyre, është një lajm i mirë për Shqipërinë. Lufta me tolerancë zero ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit është e vetmja mënyrë që Shqipëria të ecë përpara, si një vend i denjë për të qenë anëtar i NATOs dhe si vend kandidat për në BE”.
© Panorama.al












