Kompanitë e ujë-sjellës-kanalizimeve në vend nuk janë eficiente, sidomos në pjesën mbledhjes së të ardhurave, çka i bën ato të varen direkt nga subvencionet. Në këtë kontekst, thirrja e Bankës Botërore është që të rritet çmimi i ujit, pasi kostot e ndërmarrjeve kanë ardhur në rritje. Banka vlerëson se sektori që përfshin ujësjellës-kanalizimet ka shfaqur dhe vijon të shfaqë probleme të vazhdueshme, të cilat herë shkaktohen për boshllëqe në legjislacion, herë për mungesë eficience, arkëtime të ulëta apo ndërhyrjet e jashtëligjshme në rrjet. Kjo nuk është hera e parë që BB hedh alternativën e rritjes së çmimit të ujit, pasi e njëjta thirrje është bërë edhe në 2005-n. Në dokumentin e fundit informativ të publikuar pak kohë më parë me titullin “Decentralizimi dhe Realizimi i Shërbimeve në Shqipëri: Qeverisja në sektorin e ujit”, Banka Botërore jep konstatimet për sektorin. Sipas saj, veçanërisht të pakënaqshëm janë treguesit e eficiencës, madje mungesa e të ardhurave nga uji deri në 70 për qind e bën të pamundur autonominë financiare. “Përqindjet e larta të ujit që nuk sjell të ardhura nga ana tjetër shkaktojnë neglizhimin e mirëmbajtjes dhe amortizimin e përshpejtuar të aseteve. Edhe për Entin Rregullator të Ujit është politikisht e vështire të aprovojë rritje sinjifikative të tarifave në kompani kaq ineficiente. Prapë kompanitë kanë nevoje për tarifa më të larta për të rritur likuiditetin e tyre, që të paguajnë për kostot e operimit, përfshi dhe mirëmbajtjen preventive”, thuhet në raport. Pra, në dukje problemi nuk është se nuk janë rritur tarifat, por se janë rritur maksimalisht kostot. “Shifrat e raportit tregojnë se analize krahasuese e tarifave të aprovuara nga ERU dhe që janë aplikuar nga 30 kompani, në periudhën 2006–2009, tregon se mesatarisht tarifat janë ngritur me 11 për qind, ndërkohë që kostot totale janë rritur me 262 për qind. Kompanitë e marra në ketë analize i shërbejnë 83 për qind të popullsisë. Diferenca e ndjeshme mes tarifave dhe kostove ilustron më së miri dilemën parimore të ERU, sepse ajo mund të kritikohet politikisht për aprovimin e tarifave të rritura në kompani që janë krejt ineficiente. Ekziston gjithashtu risku që kërkesat për tarifat në ERU të jenë modeste, duke pasur parasysh mungesën e dëshirës së këshillave vendorë për të aprovuar këto rritje për përfitime politike”, thuhet në raport.
Konkluzionet e BB
• Niveli i ulët i instalimit të matësve, në më pak se 50 për qind të lidhjeve, kombinuar me lidhjet ilegale në rrjet, sjell që kostot e shërbimit të shpërndahen pabarazisht në të gjithë sistemin.
• Një analizë krahasuese e tarifave të aprovuara nga ERU dhe që janë aplikuar nga 30 kompani, 39 në periudhën 2006–2009, tregon se mesatarisht tarifat janë ngritur me 11 për qind, ndërkohë që kostot totale janë rritur me 262 për qind.
• Vala e rritjeve drastike të çmimeve të energjisë do të ketë konsekuenca të rënda mbi kompanitë urbane që përdorin në mënyre intensive elektricitetin. Rekomandohet një program për eficiencën e përdorimit të energjisë në të gjithë sektorin dhe zbatimi i menjëhershëm i tij.
• Në mënyrë të vazhdueshme, kompanitë kanë pësuar humbje operative. Në 2007, 2008 dhe 2009, respektivisht, të ardhurat kanë mbuluar vetëm 59 për qind, 60 për qind dhe 62 për qind të kostove totale.
• Do të ishte shumë e këshillueshme për Ministrinë e Shëndetësisë sigurimi sistematik i monitorimit dhe kontrollit të cilësisë së ujit në të gjitha sistemet publike të furnizimit me ujë.
NERTILA MAHO











