Elis Bakaj ka shkëlqyer në fitoren e djeshme 3-1 të Dinamos Bukureshtit kundër Unirea Urzicenit. Fantazisti i Kombëtares shqiptare është shpallur lojtari i ndeshjes, pasi ka fituar një penallti dhe ka realizuar një eurogol në minutën e fundit të takimit. Ky ishte goli i parë për Elis Bakajn me fanellën e Dinamos së Bukureshtit në kampionatin rumun. Bakaj ka fituar një penallti në minutën e 27-të të ndeshjes, e cila u shndërrua në gol nga Danilesku dhe çoi rezultatin në 2-0. Në minutën e 90-të të takimit ai mori një pasim në të majtë të mesfushës dhe, pasi depërtoi në qendër, arriti të shënonte nga jashtë zonës pas një gjuajtjeje potente me të djathtën, duke realizuar një gol shumë të bukur. Në një prononcim për “Panorama Sport”, fantazisti kuqezi thotë: “Të them të drejtën unë e prisja prej shumë ditësh këtë gol. Kjo ishte ndeshja ime e gjashtë në kampionat dhe e dyta ku unë luaj gjatë gjithë 90 minutave. Mendoj se ky gol erdhi në momentin e duhur, pasi edhe tifozët po kërkonin të shikonin se çfarë isha në gjendje të bëja. Besoj se sot (dje) u dhashë një sinjal të qartë atyre. Megjithatë, duhet të them se unë kam pasur një mbështetje të madhe nga tifozët e Dinamos së Bukureshtit dhe kjo më ka ndihmuar shumë”, ka thënë Bakaj. Lojtari në fund është shpallur si më i miri në fushën e lojës. “Kjo është hera e parë që vlerësohem kaq shumë këtu, por ju siguroj se kjo nuk do të jetë as e fundit. Ndihem shumë mirë në këtë skuadër dhe e ndiej se ky është vetëm fillimi”, ka përfunduar Bakaj.
Vangjeli, fushatë kundër racizmit
Në Athinë zhvillohet të enjten një tryezë e rrumbullakët për fenomenin e racizmit në sportin grek, ku do të jetë i ftuar dhe futbollisti shqiptar, Kristi Vangjeli, aktualisht mbrojtës i skuadrës së Arisit në kampionatin grek të futbollit, si dhe mbrojtës i Kombëtares Shqiptare. Referuar sajtit grek “sportnet.gr”, Vangjeli është i ftuar special në këtë organizim, pasi ka qenë për vite me radhë viktimë e koreve raciste. “Do të jetë një aktivitet ndërgjegjësimi për fenomenin e përhapur të racizmit në sportin grek. Kemi të ftuar special lojtarin e Arisit, Kristi Vangjeli”, thuhej në njoftimin në fjalë.











