
Krimi brenda familjes goditi fshatin Vërdovë të rrethit të Pogradecit, atëherë kur babai 72-vjeçar vrau djalin në sy të familjarëve. Policia tha se ngjarja ka ndodhur rreth orës 15:30, ku gjatë një grindjeje për motive të dobëta, i zoti i shtëpisë ka qëlluar me sëpatë djalin e tij 33-vjeçar, pasi ushtronte vazhdimisht dhunë fizike ndaj prindërve të moshuar. Autori është Njazi Kromollari, i cili goditi për vdekje të birin, Kudretin, kur ky i fundit kishte shkuar në shtëpi në gjendje të dehur dhe kishte goditur brutalisht të dy prindërit e tij. Vetëm pak momente para krimit makabër, 33-vjeçari ishte kthyer në shtëpi nën avujt e alkoolit, duke rrahur të ëmën. Ngjarja e përsëritur për të disatën herë radhazi ka ngjallur reagimin e të atit të moshuar, i cili në kushtet e tronditjes ekstreme ka goditur me mjet të fortë të birin. Nga të dhënat e siguruara në fshat mësohet se sherri babë e bir është përsëritur për të disatën herë, pasi prindërit nuk mund të duronin më dhunën e vazhdueshme. Sipas fqinjëve, Kudret Kromollari dhunonte të dy prindërit e tij, pasi u kërkonte të holla, të cilat më tej i shpenzonte për të pirë alkool. Ata pohojnë se shpesh janë bërë dëshmitarë të grindjeve të vazhdueshme, ku disa herë është njoftuar edhe policia. Po ata, shprehen se kanë dëgjuar sherrin e nisur rreth orës 14:45 të së shtunës, kur 33-vjeçari ka nisur të fyejë dhe më tej të rrahë nënën e tij, pasi kjo nuk i jepte lekë. Dhuna e ushtruar në sy të të atit ka sjellë reagimin e këtij të fundit, i cili në grindje e sipër me të birin, ka marrë sëpatën dhe e ka goditur 3 herë radhazi në kokë viktimën. Vdekja ka qenë e menjëhershme për të, duke i shkaktuar kështu vdekjen e menjëhershme. Policia ka theksuar se viktima është goditur në kokë dy herë me pjesën e pasme të sëpatës dhe njëherë nga ana e tehut. Sipas të dhënave, grindja babë e bir ka nisur brenda në banesë dhe pas konfrontimit fizik, 33-vjeçari ka dalë në ballkonin e banesës ku ka ndodhur edhe krimi. Kudreti ka humbur jetën ende pa u transportuar në spitalin e qytetit të Pogradecit, ndërsa prindi i tij, si autor i vrasjes, është shoqëruar menjëherë në Komisariatin e Pogradecit, ku më pas është vendosur arrestimi i tij në flagrancë me akuzën e vrasjes për motive të dobëta të djalit të tij. Pas ngjarjes, 72-vjeçari Njazi Kromollari është shoqëruar për në Komisariatin e Pogradecit, duke pranuar edhe autorësinë e krimit. Ai ka rrëfyer se shkak i grindjes me të birin ka qenë dhuna e vazhdueshme fizike dhe psikologjike që ai ushtronte ndaj familjarëve gjatë 3 muajve të fundit, si pasojë e konsumit të tepërt të pijeve alkoolike. Burime nga Policia e Komisariatit të Pogradecit bënë të ditur se kanë pasur edhe më parë denoncime për rastin e dhunës në familjen Kromollari, në fshatin Vërdovë të rrethit të Pogradecit, ku protagonist, sipas Policisë, ka qenë djali i kësaj familjeje.
Viktima 33-vjeçar la gruan shtatzënë
Viktima 33-vjeçar, vetëm një vit më parë ishte kthyer nga emigracioni dhe përballej me papunësinë, ndërsa jetonte në të njëjtën banesë me prindërit dhe bashkëshorten shtatzënë. Pak para kthimit nga emigracioni, Kudret Kromollari kishte nisur jetën bashkëshortore, ndërsa së fundmi priste dhe fëmijën e parë nga kjo martesë. Mësohet se në momentin e ngjarjes, në shtëpi kanë qenë vetëm prindërit dhe vëllai më i vogël i viktimës, ndërsa bashkëshortja 27-vjeçare ndodhej te disa të afërm të saj. Nga të njohur të familjes, viktima njihej si një person i qetë para kthimit nga emigracioni, ndërsa gjatë qëndrimit për disa vite në shtetin grek ka punuar rregullisht. Gjatë kohës që jetonte e punonte në shtetin grek, ai ka lidhur fejesë edhe me një vajzë nga fshati, me të cilën ishte martuar rreth një vit më parë dhe së fundmi priste ardhjen në jetë të një fëmije. Familja Kromollari në harkun kohor të një viti, shpesh është tronditur nga sherret e vazhdueshme, ku protagonist kryesor ishte viktima. Sipas të dhënave, nuk mungonin as grindjet me bashkëshorten e viktimës, por më së shumti ai konfliktohej me prindërit e tij pensionistë, pasi u shpenzonte thuajse gjithë pensionin për t’u dehur. Të vetmet të ardhura të familjes ishin pensionet e dy të moshuarve, si dhe pak ushqime që siguroheshin nga tokat në pronësi të 72-vjeçarit Njazi Kromollari.
POGRADEC/ DHORJELA DEMKOLLI











