Babai: E vrava djalin për vetëmbrojtje

Oct 10, 2011 | 11:18
Shtëpia e familjes Kromollari në Vërdovë të Pogradecit

POGRADEC- Keqtrajtimet e vazhdueshme fizike e kanë shndërruar në një baba vrasës, pasi nuk ka mundur të durojë dhunën fizike që ushtronte i biri ndaj tij dhe bashkëshortes. 72-vjeçari Njazi Kromollari, nga fshati Vërdovë i rrethit të Pogradecit, vrau dy ditë më parë me sëpatë djalin e tij 33-vjecar Kudret Kromollari, pasi ky i fundit, prej më se një viti, në gjendje të dehur rrihte nënën dhe babain e tij të moshuar. Mësohet se i moshuari Njazi Kromollari, disa muaj më parë ka denoncuar në komisariatin e Pogradecit dhunën e ushtruar ndaj tij dhe bashkëshortes, duke kërkuar edhe urdhrin e mbrojtjes. “Njazi Kromollari ka kërkuar ndihmë dhe është vendosur nga Gjykata e rrethit urdhër i menjëhershëm mbrojtjeje si për të, edhe për bashkëshorten e moshuar”, bënë të ditur burime të Policisë së Pogradecit. Por, ndonëse ky urdhër mbrojtjeje, siç e parashikon ligji, e ndalonte Kudret Kromollarin që të afrohej në shtëpinë e prindërve të tij për një periudhë njëvjeçare, ai sërish nuk e ka zbatuar vendimin. Madje, ai vijonte të dhunonte prindërit e tij. Djalë i një familjeje me 11 fëmijë, mësohet se viktima ka shkuar edhe ditën e ngjarjes në banesë në gjendje të dehur. Ai është përleshur me të atin, derisa ky i fundit e qëlloi tri herë me sëpatë, duke e lënë të vdekur. “E vrava djalin për t’u vetëmbrojtur”. Kështu mësohet se është shprehur në polici i moshuari, duke pranuar autorësinë e krimit të rëndë brenda familjes. Sipas tij, ai është përleshur më parë me djalin e tij, para se ta vriste atë. dh.d

© Panorama.al

Te lidhura