Atentatorët e ndoqën “Tan Leprin” për 50 metra

Apr 15, 2011 | 11:29
DRITAN AVLLAJ (TAN LEPRI)

TIRANE – Dëshmia e shoferit të biznesmenin Dritan Avllaj, i njohur ndryshe si Tan Lepri, zbardh detaje në lidhje me atentatin e ndodhur mbrëmjen e 24 marsit në Tiranë. Burime nga grupi i hetimit thanë dje se personat me motor, të cilët qëlluan gjashtë herë me armë në vendin e ngjarjes, e kanë ndjekur të paktën 50 metra makinën e biznesmenit. Referuar dëshmisë së dhënë nga shoferi që drejtonte automjetin tip “Benz”, por edhe nga deklarimet e vetë biznesmenit, hetuesit thanë dje se autorët e atentatit të ndodhur më tepër se dy javë më parë kanë tentuar të eliminonin Avllajn. Ngjarja, e cila ka ndodhur në afërsi të Tregut Elektrik në Tiranë, në një rrugicë të zonës, në orët e mbrëmjes së 24 marsit, ka mbetur ende pa autor. Sipas burimeve nga grupi hetimor, gjatë dëshmisë së tij në lidhje me ngjarjen, shoferi i biznesmenit dhe vetë Tan Lepri kanë pohuar se pasi kanë dalë në rrugicën ku po lëviznin, kanë parë një motor të madh që lëvizte pas automjetit të tyre. Më pas motori është afruar te automjeti dhe në këtë kohë janë dëgjuar të shtënat e para. Drejtuesi i makinës së biznesmenit ka manovruar në përpjekje për t’u larguar nga vendi i ngjarjes. Me shpejtësi ai ka ecur rrugicës për rreth 50 metra, por motori e ka ndjekur nga pas deri në pjesën e rrugës ku mbaronte asfalti. Gjatë ndjekjes së makinës së Tan Leprit për rreth 50 metra, autorët e ngjarjes kanë qëlluar plot gjashtë herë me armë zjarri, ndërsa biznesmeni është prekur nga një plumb i vetëm në shpatull, pa i shkaktuar rrezik për jetën. Nisur nga kjo dinamikë e ngjarjes, prokuroria e ka klasifikuar krimin si vrasje të mbetur në tentativë. Ndjekja e makinës së Avllajt nga motori mësohet se ka ndaluar vetëm pasi Benzi ka hyrë në një rrugë të dytë, e cila ishte me gropa dhe, me sa duket, e papërshtatshme për lëvizjen e motorit. Për shkak të errësirës, por edhe përqendrimit te manovrimi i makinës, shoferi i biznesmenit ka pohuar se nuk ka mundur të fiksojë markën apo targën e motorit.

© Panorama.al

Te lidhura