Atentati ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoji, ekstradohet nga Dubai Amar Shkëmbi

Oct 14, 2025 | 8:31

Është ekstraduar nga Dubai, Amar Shkëmbi alias Dritan Shkëmbi, i përfshirë në atentatin ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoji, ku humbi jetën shoferi i tij, Andi Maloku, ngjarje e ndodhur më 1 Nëntor 2019.

Amar Shkëmbi alias Dritan Shkëmbi“Si rezultat i bashkëpunimit konsistent të specialistëve të Drejtorisë së Interpolit, me homologët në Abu Dhabi, u finalizua procedura e ekstradimit në Shqipëri, nga Emiratet e Bashkuara Arabe, të shtetasit shqiptar A. Sh. alias D. Sh.”, njoftuan blutë.

Amar Shkëmbi alias Dritan Shkëmbi dyshohet se është i implikuar në ngjarjen e ndodhur më datë 01 Nëntor 2019, në afërsi të mbikalimit të Shkozetit, ku disa shtetas që lëviznin me automjet, kanë qëlluar me armë zjarri, në drejtim të automjetit me të cilin lëviznin Andi Maloki, Arjan Ndoji dhe Aleksandër Laho.

Si pasojë e atentatit humbi jetën Andi Maloku, si dhe u plagosën ish-prokurori Arjan Ndoji dhe i shumëkërkuari i drejtësisë Aleksandër Laho, i njohur edhe si Rrumi i Shijakut.

Ndaj tij, GJKKO ka caktuar masën “arrest me burg” në vitin 2022, për veprat penale:

-“Vrasja e funksionarëve publikë”, mbetur në tentativë, në dëm të shtetasit Arjan Ndoji

-“Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, me pasojë vdekjen e shtetasit Andi Maloku, si dhe mbetur në tentativë në dëm të shtetasit Aleksandër Laho (Pëllumb Muharremi );

-“Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”;

-“Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, e dyshuar e kryer në bashkëpunim me shtetasit Plarent Dervishaj, Endrit Sinani, Bledar Polovina, Julian Meçe dhe Ramazan Rraja, në dëm të shtetasve Arjan Ndoji dhe Aleksandër Laho, vepra penale këto të kryera në kuadër të grupit të strukturuar kriminal;

-“Vjedhja”, kryer në bashkëpunim dhe më shumë se një herë.

LEXONI EDHE: Atentati ndaj Arjan Ndojit/ Në momentin e arrestimit Dritan Shkëmbi mohoi përfshirjen: Kam qenë jashtë shtetit! Si u mbajt në vëzhgim prej dy javësh

 

Njoftimi i policisë:

Policia e Shtetit

Ekstradohet nga Dubai, një shtetas i akuzuar nga GjKKO-ja, për krime të rënda kundër disa personave.

Si rezultat i bashkëpunimit konsistent të specialistëve të Drejtorisë së Interpolit, me homologët në Abu Dhabi, u finalizua procedura e ekstradimit në Shqipëri, nga Emiratet e Bashkuara Arabe, të shtetasit shqiptar A. Sh. alias D. Sh..

Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi në vitin 2022, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale:

-“Vrasja e funksionarëve publikë”, mbetur në tentativë, në dëm të shtetasit A. N.;

-“Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, me pasojë vdekjen e shtetasit A. M., si dhe mbetur në tentativë në dëm të shtetasit A. L. (P. M.);

-“Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”;

-“Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, e dyshuar e kryer në bashkëpunim me shtetasit P. D., E. S., B. P., J. M. dhe R. R., në dëm të shtetasve A. N. dhe A. L. (P. M.), vepra penale këto të kryera në kuadër të grupit të strukturuar kriminal;

-“Vjedhja”, kryer në bashkëpunim dhe më shumë se një herë.

Nga hetimet e kryera dyshohet se shtetasi A. Sh. alias D. Sh. është i implikuar në ngjarjen e ndodhur më datë 01.11.2019, në afërsi të mbikalimit të Shkozetit, ku disa shtetas që lëviznin me automjet, kanë qëlluar me armë zjarri, në drejtim të automjetit me të cilin lëviznin shtetasit A. M., A. N. dhe A. L.. Si pasojë humbi jetën shtetasi A. M., si dhe u plagosën shtetasit A. N. dhe A. L..

Atentati

Atenati ndodhi më 1 nëntor 2019 në autostradën Durrës-Tiranë, në afërsi të mbikalimit të Shkozetit, ku ish-prokurori dhe deputeti i PD-së, Arjan Ndoji udhëtonte me makinë me  Aleksandër Lahon, ndërsa si pasojë e të shtënave humbi jetën shoferi Andi Maloku.

Prokuroria e Posaçme informoi se autorët e identifikuar që kanë marrë pjesë në atentat janë Plaurent Dervishaj, Julian Meçaj, Bledar Polovina, Amar Shkëmbi (alias Dritan), Ramazan Rraja e Endrit Sinani, dhe bashkëpandehurit në një procedim të lidhur Redjan Rraja dhe Ariol Halilaj.

 

Sipas SPAK, të pandehurit kanë ngritur infrastrukturën e nevojshme me qëllim ekzekutimin e personave të targetuar për t’u vrarë, duke siguruar armët e zjarrit, automjetet dhe targat e vjedhura që do të përdornin për të ndjekur viktimat. Nëpërmjet bashkëpunëtorëve të tyre, kanë mundur që të sigurojnë informacione për lëvizjet e shënjestrave edhe nga bazat e të dhënave shtetërore.

“Nga aktet e administruara ka rezultuar e provuar se të pandehurit janë angazhuar për lehtësimin e pozitës së personave të arrestuar, kundrejt garancisë që këta të fundit të mos i implikonin bashkëpunëtorët e përfshirë në këto krime”, raportoi SPAK.

Sipas Prokurorisë së Posaçme, Redjan Rraja dhe Ariol Halilaj, të cilët janë marrë të pandehur dhe ndaj tyre, aktualisht po vijon gjykimi pranë Gjykatës së Posaçme, ndërsa janë veçuar aktet për identifikimin e bashkëpunëtorëve të tjerë, të cilët kanë marrë pjesë në këto ngjarje.

© Panorama.al

Te lidhura