“Zemra e Patriotit” titullohet libri më i ri në gjuhën angleze, i botuar në vendin tonë, që i kushtohet një prej emblemave politike të shtetit dhe shoqërisë turke në 25 vitet e fundit, Binali Yildirim. Bashkëthemelues dhe ish-lider i Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP), këshilltari kryesor i Presidentit Erdogan, ministri më jetëgjatë i Transportit për 11 vjet, ish-deputet nga viti 2002, ish-kryetar i Asamblesë së Madhe Përfaqësuese dhe ish-kryeministri i fundit i Republikës së Turke; aktualisht President i Këshillit të Urtëve të Organizatës së Shteteve Turke.
Vlen të theksohet dhe po vlerësohet lart fakti se autor i librit është Genci Muçaj, diplomat i lartë dhe ekspert i marrëdhënieve ndërkombëtare; krahas të tjerash, ishkëshilltar i Ministrit të Jashtëm, drejtor i përgjithshëm në MEPJ, drejtor i përgjithshëm për Marrëdhëniet Dypalëshe të Kuvendit, përfaqësues pranë Organizatës së Bashkëpunimit të Detit të Zi dhe ambasador në Turqi gjatë viteve 2012–2016 dhe këshilltar diplomatik presidencial. Aktualisht është drejtor ekzekutiv i Këshillit prestigjioz të Ambasadorëve të Shqipërisë.
Siç e pohon i mirënjohuri Peter Tase, “Zemra e Patriotit” është shumë më tepër se një biografi politike, ajo është portreti shumëdimensional i zotit Binali Yildirim, një prej figurave më të shquara dhe më me ndikim në historinë moderne të Turqisë. Me saktësinë e një diplomati dhe kërshërinë e një historiani, autori ndihmon lexuesit të kuptojnë kompleksitetin e lidershipit në kohë të pasigurta rajonale, transformimit ekonomik, trysnisë gjeopolitike dhe ndryshimeve të brendshme politike turke.
Ja pse ndërmarrja e një “aventurë” të tillë botuese ishte sfidë e guximshme për ambasador Genci Muçaj. Këtë ai e pohon qysh në parathënie duke thënë se, “Kur i hyra këtij projekti libri, nuk e bëra këtë si diplomat, por si dëshmitar i një jete të formësuar gjatë shërbimit të palëkundur, kthjelltësisë morale dhe krenarisë së thellë kombëtare nga zoti Yildirim. Sepse, duke treguar historinë e jetës së tij, ne nuk po tregojmë thjesht karrierën e një burri shteti, por po nderojmë vlerat e qëndrueshme të besimit, familjes dhe dashurisë pa kushte për vendin”.
Duke shfletuar librin me 300 faqe dhe 18 kapituj njihesh me kronikën e jetës së djalit që vinte nga një familje e thjeshtë nga Refaihyie, provinca Erzincan në Anadoll, që nuk jeton për vete, por për të tjerët, të cilëve u ka shërbyer me besnikëri. Ai është ndërtues urash besimi dhe uniteti dhe, siç e pohon, Presidenti azerbajxhanas Ilham Alyiev edhe ndërtues i urave të vëllazërimit mes popujve”. Natyrisht, për këtë nismë të lavdërueshme, krahas vizitave në vend, referencave, intervistave me persona dhe personalitete në Turqi dhe në vende të tjera rreth saj, autorin, Genci Muçaj, e ka ndihmuar edhe posti ambasadorial në Turqi në vitet 2012-2016; duke i krijuar mundësi të lidhej ngushtë me botën turke, me vlerat dhe traditat e saj, me sferat më të larta të politikës, artit, kulturës dhe shoqërisë turke. Falë këtyre kontakteve kryesisht pune, ai u njoh dhe u miqësua me zotin Yildirim për vite të tëra deri në ditët e sotme. Kjo edhe falë natyrës së tij pozitive, të hapur, miqësore, të lirshme, pa paragjykime dhe me operativitetin e pashembullt për të zbatuar projekte me interes të ndërsjellë me të huajt. Në fakt, kush ka pasur rastin, si edhe autori i shkrimit ta ketë njohur dhe të ketë bashkëpunuar me autorin në 20 vitet e fundit, e di se zoti Muçaj bën pjesë në aradhen e ambasadorëve operativë, praktikë, që krijon lidhje të shumta bashkëpunimi dhe nismëtar në të gjitha dimensionet e diplomacisë moderne, publike, ekonomike dhe qytetare. Gjithsesi, ajo që ia lehtësoi edhe më shumë sfidën me këtë libër është vetë jeta dhe veprimtaria e jashtëzakonshme politike e Binali Yildirim. Por këtu autori ka devijuar disi nga biografitë klasike me skemat dhe klishetë e deritanishme; ai nuk ka tentuar të na japë një njeri të madh, as ta hiperbolizojë atë, por një njeri dhe udhëheqës tipik turk me këmbë në tokë. Duke filluar nga titulli i gjetur, që të mbetet në mendje. Mbi të gjitha, ai i referohet dhe i jep lexuesit të dhëna dhe informacion të bollshëm mbi veprimtarinë e Yildirim në të gjitha postet e tij të larta. Gjatë librit, në të gjitha situatat, episodet, anekdotat dhe ndodhitë shohim një politikan të mençur, të matur, të urtë, mbi të gjitha të përgjegjshëm, një misionar dhe qenie të thjeshtë njerëzore me shpirt dhe zemër. Autori ka qenë i pranishëm edhe në disa takime të tij në zonat zgjedhore në Erzincan, Stamboll dhe në Izmir ku ka qenë deputet; atje dhe në rastet e tjera private dhe publike, ai pohon se te Yildirim ka parë njeriun që “posti i lartë nuk e ka ndarë dot nga rrënjët e tij”. Më konkretisht, si ministër Transporti për 11 vite rresht, rekord më vete, profesionist i diplomuar në Universitetin Teknik të Stambollit dhe në Malmoe të Suedis, Yildirim mbahet mend si njeriu që modernizoi infrastrukturën turke në tokë, në ajër dhe në det, për t’iu përgjigjur sfidave komplekse të shekullit të ri. Mjafton të përmendet se gjatë asaj periudhe u ndërtuan 17.500 km rrugë të reja autostrade, 29 aeroporte të reja dhe 1213 km trase për trena të shpejtë.
Gjithashtu, numri i pasagjerëve në transportin të brendshëm ajror u shtua pesë ndërsa me jashtë vendit 6 herë! U ndërtua tuneli i famshëm nëndetar i Marmarasë nën Bosfor, i cili lidh pjesën europiane me atë aziatike dhe shumë e shumë veprave të tjera marramendëse monumentale. Për këtë kontribut unikal, Yildirim është nderuar me 15 çmime të larta edhe në Turqi, Gjermani, Zvicër, SHBA, Azerbajxhan etj.. Në libër ka edhe episode me sens të hollë humori për këto arritje me jehonë publike. Kështu, një i moshuar nga Ankaraja, pas inaugurimit të linjës super të shpejtë hekurudhore AnkaraEisekehir i ishte ankuar dhe ministri i habitur e pyeti për shkakun e hatërmbetjes. Qytetari i tha se më parë vjehrri me vjehrrën u vinin nga Eisekehiri në kohë pushimesh, ndërsa tani “java shtatë dhe dita tetë” i kemi këtu! Me shumë ankth dhe makth përcillen në libër ditët e nxehta të 15– 16 korrikut, kur dështoi grushti i shtetit kundër Erdogan dhe Yildirim, si kryeministër dhe bashkëpunëtori më i afërt i Presidentit. Pavarësisht nga kërcënimet, rreziqet dhe sulmet me armë ndaj tij gjatë rrugës për në Ankara kur nxitonte për në selinë e qeverisë, Yildirim këmbënguli dhe qëndroi në krye të detyrës, duke bërë edhe thirrjen e fuqishme në televizionin publik për të mbështetur Presidentin dhe shtetin kundër puçistëve. Këto qëndrime të vendosura përbëjnë një faqe të ndritur të kurajës, vizionit dhe lidershipit të Yildirim. Për këto dhe të tjera merita të shquara, me rastin e nderimit të tij me dekoratën më të lartë shtetërore, Presidenti Erdogan theksoi se, “Forcën Binali Yildirim-it nuk ia jep posti, por vetëmohimi për popullin”.
Megjithatë, edhe në libër Yildirim paraqitet siç është në jetë, shumë njerëzor, pse jo edhe me dritëhijet në jetën e tij politike. Kështu, në vitin 2004 iu kërkua të jepte dorëheqjen për shkak të një aksidenti të rëndë hekurudhor në Pamukova; ai kërkoi publikisht ndjesë, por nuk u tërhoq nga sfida e trenave super të shpejtë, pavarësisht nga kostoja dhe aksidentet, në favor të një Turqie moderne. Gjithsesi, ai mori masat e duhura dhe numri i aksidenteve hekurudhore ra me 82 për qind! Në vitin 2014, ai humbi në zgjedhjet vendore për Bashkinë e Izmirit, ku më vonë u zgjodh deputet; ndërsa, në vitin 2019, me kërkesën e Presidentit Erdogan, Yildirim dha dorëheqjen nga posti i Presidentit të Parlamentit turk dhe u fut në garën për kryebashkiak i Stambollit ku kishte jetuar qysh në moshën 12 vjeçare. Por edhe pse humbi, ai tregoi klasin e tij kalorsiak, duke e pranuar humbjen dhe duke uruar sfidantin e tij të opozitës. Madje, si në gjithë jetën dhe veprimtarinë e vet ku e qeshura, humori dhe anekdotat luanë rolin e tyre në çtensionimin e situatave të vështira, edhe përgjigjen lidhur me interesimin e medias për humbjen e dytë për kryebashkiak, ai e dha me nota humori me buzëqeshjen e tij karakteristike “se shumica e njerëzve më duan të ndërtoj rrugë dhe tunele, por jo të drejtoj qytete”!
Sfida dhe telashe Yildirim ka pasur edhe me median të cilat janë trajtuar më vërtetësi në libër. Ajo e ka sulmuar atë vite më parë, sidomos njërin nga djemtë për lidhje të supozuara me drogën dhe pasuri të paligjshme, të cilat ai i ka mohuar me fakte dhe argumente, duke ia lënë në dorë drejtësisë, sepse fëmijët nuk kanë imunitet. Drejtësia turke i ka shqyrtuar me seriozitet akuzat e ndryshme, por nuk ka gjetur asgjë në kundërshtim me ligjet e vendit dhe ato ndërkombëtare.
Ndërkohë, Yildirim shfaqet familjar i rrallë, duke kaluar megjithë superngarkesën e punës çaste çlodhëse, argëtuese dhe edukative pranë bashkëshortes së tij, Semiha, mësuese veterane e respektuar, dy djemve dhe vajzës, nipërve dhe mbesave, të afërmve, miqve dhe dashamirësve të shumtë edhe jashtë Turqisë. Të gjitha këto dhe shumë aspekte të tjera autori i shoqëron natyrshëm me një stil të zhdërvjellët, të thjeshtë, pa teprime dhe sajesa artificiale, duke shfrytëzuar edhe burime të shumta arkivore. “Zemra e Patriotit” të josh, të thith dhe të lë pa frymë me gjallërinë dhe dinamizmin, me fuqinë treguese, me narrativat tërheqëse dhe me shumë episode, ku nuk mungon humori i lehtë dhe i këndshëm nga të cilat nuk do që të ndahesh. Në këtë drejtim ka ndihmuar edhe bashkëpunimi me një ekip studiuesish, ekspertësh, ambasadorësh deri te redaktorët, sidomos Vanesa Larson; bashkë me djalin, Arbin dhe vajzën, Fionën, të dy të kualifikuar në këtë fushë. Së fundi, “Zemra e Patriotit” është edhe një mesazh i ngrohtë miqësor për popullin vëlla turk, për politikanët elitarë dhe institucionet e tij. Duke u njohur me jetën dhe veprën e një lideri të tillë “24 karat” si Benali Yildirim, shtohet besimi te politika dhe parlamentarizmi turk. Aty gjen mësime edhe për politikanët dhe liderët tanë, që mbi gjithçka të shquhen nga përkatësia dhe besnikëria ndaj vlerave dhe përgjegjësisë qeverisëse; duke dëgjuar me respektin dhe vëmendjen më të madhe zërin e zgjedhësve dhe zgjidhjen e halleve të tyre; me qëllim që ashtu si te Yildirim, edhe zemrat e politikanëve tanë “të mos rrahin për duartrokitje, por për popullin”.
/Gazeta Panorama
© Panorama.al












