I dashurisë qoftë mëkati!

Jun 23, 2026 | 9:31

Gelanda ShkurtajASSOC. PROF. DR. GELANDA SHKURTAJ

Federiku i II i Svevia-s, i shquar si intelektual dhe njeri me dëshirë për dijen, bëri një eksperiment, i etur nga kurioziteti të dinte nëse ka një gjuhë të vetme dhe të parë, për të gjithë sapiensët. Ai nuk mori gjuhët e nënës, ose atyre që secili flet sipas kombësisë nga lindja e tej. Hulumtoi i nisur nga dëshira për të zbuluar se cila do të ishte gjuha e gjuhëve.

Më saktë kërkoi t’i përgjigjej pyetjes, nëse kishte një të tillë para lindjes, e fiksuar në një kodim rastësor të geneve brenda gjenomës humane. Ekziston ndonjë gjuhë, që do të mund të konsiderohej unike e që foshnja e mbart me ardhjen në jetë, pa e dëgjuar nga dikush tjetër, qoftë greqisht, hebraisht apo çfarë? Për këtë, eksperimentoi duke izoluar mitakët e sapolindur, të privuar nga komunikimi si me nënat, ashtu me të tjerët, për të parë reagimin. Kështu, do të monitorohej gjuha e padëgjuar më parë dhe e pakushtëzuar nga ndikimi i një leksiku tjetër. Të porsalindurit iu hoqën nënave dhe iu dhanë dadove, duke iu dhënë këtyre të fundit një detyrë të vetme: të mos iu flisnin atyre asgjë, as edhe një fjalë të vetme, pra t’i ushqenin, lanin e ndërronin, por pa iu drejtuar ndonjë tingull zanor.

Fati i pabesueshëm solli që eksperimenti të rezultonte fatal, pasi që të gjithë të vegjlit, të privuar nga gjuha dhe fjala, vdiqën. Mësimi i thjeshtë dhe pa ngjyrime çoi në aksiomën shkencore të provuar: pa fjalën dhe pa përgjigjen e tjetrit, nuk ka jetë! Buka nuk mjaftonte. Nëse do të ishte nëna apo dikush tjetër, ky fakt do të ndikonte dozën e dashurisë, por nuk do përbënte kushtin predominant për ekzistencën e tyre gjallë. U vërtetua se gjuha mësohet dhe nuk është një kod i fjetur brenda një aleli gjenetik që zgjohet me ardhjen në botë. Fjala mësohet edhe larg trupit që jep jetën dhe vdekja e tillë ndodhi vetëm nga privimi afektiv dhënë nëpërmjet fjalës. Ajo gjeneron instinktin e kuptimit pavarësisht se kush e thotë dhe, qenkërka një fuqi që mban frymën gjallë. Eksperimenti empirik, tregoi se fija e lidhjes me botën për njeriun ishte fjala, paçka nëse atë e thoshte nëna, njerka, babai, thjeshtri, apo prindi adoptiv. Mjaftonte fjala për të pasur jetën, e aq më bukur nëse ajo buronte nga dashuria.

DASHURITË QË VRASIN

Frikërat më të mëdha burojnë nga mosdijet e mëdha, duke gjeneruar në ndërgjegje një refuzim instiktiv për të pranuar të ndryshmen, kësisoj edhe lehtësi për ta stigmatizuar, atë si të keqe apo heretike. Shprehja biblike “fali se nuk dinë ç’thonë” është pranuar në qenësinë e faljes nga padijenija. Janë në kontradiktë të pashterueshme, e njohura me të panjohurën, apo raporti i dhënë midis asaj çfarë konsiderohet “normale” me “anormalen”. Që nga paganizmi e deri në erën antropocene, normalë janë konsideruar qëndrestarët pa devijancë të skemës mbizotëruese: martesë, riprodhim sipas standardit shoqëror, e kështu me radhë deri në shuarje të qenies, të plotësuar me vulën e kritereve, për t’u dorëzuar me certifikatën e pranimit matanë kësaj bote.

Nëse ky ekuilibër prishet, sapiensët më fetarë se Dhjata dhe me tagret e profetit gjykojnë që Zoti ka dërguar nëmjen, duke futur në filozofinë e tij mendjen e tyre, edhe pse ka Bibël dhe Kuran. Kështu, për normalët, edhe vdekja e vënë sipas tyre në gojën e Zotit, është verdikti i haqeve që gjykatësit universalë të normales kundër anormales, predikojnë në gjallje të krijesave. Për normalët mjafton forma të jetë brenda standardeve, çdo gjë e ndryshme nga petku i perfeksionit dekorativ, është anormale, në mos herezi dhe mallkim. Për shembull, modeli normal i nënave në mijëvjeçarin e dytë pas vitit zero, kryesisht moralizueset më të ndjeshme ndaj anormales, të lodhura gjatë javës me xhirot midis, kafeneve, parukieres dhe estetistes, kanë nevojë në fundjavë të largojnë stresin në një resort, apo të ikin jashtë shtetit.

Foshnjat e tyre, të braktisura midis gjysheve-dado apo atyre me pagesë, rriten me orare dashurie, ose marrin dashuri prindërore, fjala vjen nga e hëna deri të premten, ose edhe më pak, në varësi të plotësimit social të prindërve. Por dekori fasadë nuk e çon më larg gjykimin e dramës, sepse standardi është plotësuar, paçka nëse foshnja lumturinë e kërkon tek gjoksi i nënës, fjala dhe ngrohtësia. Normalët tremben nga dashuria e të ndryshmes dhe jo nga vrasjet e perfeksionistëve të llojit të tyre, që fshehin fobitë nën fasadën e dashurisë me normat që vetë kanë vënë. Të vegjlit nuk e dinë nëse ardhja e tyre në botë është prej dashurisë së kristaltë, apo prej atyre që vrasin: prej përdhunimit, instinktit kafshëror, oreksit femëror për një vilë paguar nga budallallëku mashkullor për të dominuar në kope’, seksin e bukur. Nuk e dinë nëse normalët nesër do t’ua vrasin nënat e t’i lënë jetimë, apo do t’i nxjerrin në tregun e gjësë për pak lekë. Por normalët gjykojnë anormalët, pa e pyetur ndonjëherë shokun e bankës së tyre, Zotin, se mos vallë ato sajesa apo krijesa të ndryshme, janë edhe të tij. Çështje llogaridhënie, frikë për ta ngacmuar, apo deri këtu shkon gjykimi i përgjysmuar?

VRASJET QË NUK BËRTASIN

Shkarazi një ditë, veshët cekën një grup vajzash të reja që në ecje debatonin me zërin e lartë. Indinjata e kryfolëses ishte me gjasë me partnerin, i cili nuk kthehej në banesë në orarin e duhur, për të shkëmbyer turnin e mbajtjes së foshnjës së tyre gjashtëmuajshe. Në irritim e sipër, kryefolësja i kishte dhënë leksionin më të rëndë të jetës, duke ia futur të dyja këmbët në një këpucë: “Edhe unë e dua një birrë me shoqet në bllok, mër burrë” dhe kishte dalë. Foshnja e dy normalëve ishte në debat-pazarin e hapur të barazisë gjinore, paçka se përhumbjen e saj, shoqëria e normalëve as nuk e njeh dhe as nuk i përgjigjet dot. Mitakët akoma nuk e kanë njohur mëkatin banal të ardhjes në jetë, e aq më pak ta gjykojnë atë, se është me sekse të kundërt apo të njëjtë. Duan vetëm dashuri dhe fjalë, asgjë më shumë, por bota e normalëve e bën këtë gram lëshim, vetëm brenda guaskës së parametrave të saj.

Të qenurit jashtë dekorit është anormalitet, e ndofta bijtë e tyre, nuk meritojnë as fjalë, as përkëdhelje dhe as dashuri. Në moralin e normalëve kriteri i familjes është gjinia e prindërve, jo dashuria, fjala dhe ngrohtësia e tyre. Në universin e tyre egocentrik, nëse një nënë rreh, apo një baba vret, është më normale se fëmija të rritet mbi dy prindër të njëjtë, plot dashuri dhe kujdesje. Divorcet e bëra me frekuencën e dritës janë më të shëndetshme për shoqërinë normale, sesa dashuria e vënë mbi familjen dhe sakrificën e të njëjtëve. Dëshira për të pasur fëmijë, sipas normalëve, është dhe duhet të jetë privilegj vetëm i tyre, dhe jo një aspiratë thelbësisht njerëzore. Harrojnë se e ardhmja duhet fokusuar vetëm te fëmija dhe jo te kush janë prindërit, por tek aftësia për t’u dhënë dashuri. Për cilindo që nuk e pranon, të paktën të ketë aq besim se krijuesi i bëri të gjithë nëpërmjet trupit të femrës, duke e konsideruar mëkatin e njerëzimit, nga i cili nuk po shlyhemi edhe sot. Gjithë këtë, pa e ditur sesi do lindnim në këtë jetë, meshkuj apo femra, në trupin e duhur, apo në trupin e gabuar.

/Gazeta Panorama 

© Panorama.al

Te lidhura