Ka përfunduar protesta e 24-të radhazi e qytetarëve në Tiranë, e zhvilluar përballë Kryeministrisë me kërkesën për largimin e kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë së tij.
Pas marshimit në disa akse të kryeqytetit dhe fjalimeve të mbajtura para godinës së Kryeministrisë, protestuesit kanë mbyllur tubimin e sotëm duke përsëritur kërkesën e tyre kryesore, të cilën e cilësojnë si të panegociueshme: “Rama jep dorëheqjen!”
Gjatë protestës, mijëra qytetarë kanë mbajtur pankarta dhe kanë hedhur thirrje kundër qeverisë, ndërsa marshimi ka kaluar në disa zona të Tiranës përpara rikthimit në sheshin Skënderbej.
Protestuesit kanë deklaruar se do të vijojnë protestën edhe në ditët në vijim, duke bërë thirrje për pjesëmarrje edhe më të madhe. “Nesër më shumë”, thirrën ata njëzëri.
Sot ata nuk kursyen as replikat për kryeministrin, ku gjatë marshimit kanë brohoritur njëzëri: “Rama, Rama, f*ck you”, duke iu referuar shprehjes së përdorur nga kryeministri në një intervistë për “Financial Times”.
© Panorama.al














