Ashpërsohet konflikti, Gedafi minon territorin afër rebelëve

Apr 1, 2011 | 10:54

Ditën që NATO mori kontrollin e plotë të situatës në Libi, u zbulua se forcat e Gedafit kanë minuar territorin pranë qyteteve rebele.“Human Rights Watch” ka denoncuar praninë e minave anti-njeri dhe antitank ne Ajdabiya. Minat e prodhimit rus, brazilian dhe egjiptian, janë fshehur në një zonë mbrojtëse në lindje të Sirtës, një nga bazat e rëndësishme të Gedafit, prej ku nisi edhe ofensiva e fundit e forcave të tij. Vëzhguesit e respektimit të të drejtave të njeriut kanë zbuluar dy fusha të mëdha të minuara, pas tërheqjes së besnikëve të Gedafit. Fusha e parë ndodhej pranë rrugës Ajadabiya-Benghazi, prej nga pastruesit e minave nxorën 24 mina antitank dhe 40 anti-njeri. Fusha e dytë ishte pranë disa ndërtesash një kilometër më larg. Prej aty u nxor i njëjti numër minash. Gedafi duket se po ashpërson tonet e konfliktit në vend më këtë lëvizje. Libia nuk e ka nënshkruar Traktatin e Ndalimit të Minave të vitit 1997. Vendimi duket se është parë pas rritjes së zërave në arenën ndërkombëtare për armatimin e rebelëve. Ndërkohë, Gjenerali i lartë amerikan, Majk Mullen, ka raportuar në Kongres se nuk është e vërtetë që armatimi i Gedafit është dobësuar. Dje, Presidenti amerikan, Barak Obama, ka nënshkruar urdhrin që mbështet armatosjen e rebelëve libianë në përpjekjet e tyre për rrëzimin e Gedafit. Sipas “Reuters”, Obama firmosi një dokument ‘sekret’, të quajtur ‘finding’ që lejon mbështetjen për rebelët libianë. Agjencia sqaron se me këtë nënshkrim, presidenti autorizon agjencitë sekrete të Shteteve të Bashkuara për operacione të fshehta në Libi. Por leja e Obamës për armatosjen e rebelëve ka hasur në një kundërshtim të fortë të NATO-s. Aleanca Veriatlantike ka marrë dje në mëngjes komandën e plotë të koalicionit mbi operacionet në Libi, duke u dhënë fund të gjitha procedurave të transferimit. Kryeministri i Turqisë, forca e dytë në NATO, Rexhep Tayip Erdogan, tha dje gjatë një takimi me homologun britanik, David Kameron, se nuk e mbështet idenë e armatosjes se rebelëve libianë, që të luftojnë në rrëzimin e Gedafit nga pushteti. “Po ta bëjmë këtë, do të krijonim një situatë ndryshe në Libi dhe ne nuk e konsiderojmë të përshtatshme këtë”, tha Erdogan para gazetarëve në Londër. Pas kësaj, anëtarë të NATO-s kanë paralajmëruar rebelët në Libi që të mos sulmojnë civilët, ndërsa luftojnë kundër regjimit të Gedafit, pasi do të bëhen pre e bombardimeve njëlloj si forcat e Gedafit, sipas disa zyrtarëve të qeverisë.
Dezertuesi, një ministër-spiun që rrihej me djemtë e Gedafit

Ish-ministri i Jashtëm i Libisë, Mousa Kousa, i konsideruar si numri dy i elitës politike në vend, pas dezertimit të së mërkurës në mbrëmje drejt Britanisë, ka deklaruar ndarjen e tij nga regjimi i Gedafit. Ai ka qenë një funksionar i lartë në qeverinë libiane prej më shumë se tre dekadash. Në vitin 1979, ai u bë ambasador “de facto” i kolonel Gedafit në Londër. Kousa ka mbështetur vrasjet e komiteteve revolucionare ndaj disidentëve libianë në Britani. Në vitet ’90 ai ka luajtur një rol kyç në zgjidhjen e tensioneve mes Libisë, SHBA-së dhe Britanisë mbi kërkesat se shkaktarët e bombardimit në Lokërbi duhej të silleshin para drejtësisë. Për 15 vjet ai ka qenë kreu i shërbimeve sekrete në Britani (1994-2009). Ai përflitet si autor i shumë rasteve të krimeve kundër njerëzimit. Kousa, i cili besohet se ka vazhduar ende detyrën në krye të shërbimeve sekrete libiane, ka treguar se regjimi i Gedafit po “shembet nga brenda” dhe u ka bërë thirrje më shumë anëtarëve të kabinetit që të largohen prej tij dhe nga Libia. Kousa ka luajtur një rol të rëndësishëm në negociatat për heqjen e sanksioneve ndërkombëtare mbi Libinë në vitin 2004. Në vitin 2009, Kousa u bë ministër i Jashtëm. Si një shtyllë e besueshme, ai ka siguruar informacione për Uashingtonin mbi aktivitetet e Al-Kaedës në Libi dhe në Afrikën Veriore. Megjithatë, “Financial Times” raporton se përpara nisjes së krizës në Libi, reputacioni i Kousa nuk ka qenë i fortë si më parë në qarqet qeverisëse. Ka pasur informacione të pakonfirmuara mbi sherre fizike mes tij dhe një prej djemve të Gedafit. Kryeminsitri britanik, David Kameron, tha se Kousa nuk do të përfitojë imunitet.

Ikën zyrtari i dytë

Një zyrtar i dytë libian ka dezertuar të enjten, vetëm një ditë pasi Mousa Kousa, ministri i Jashtëm libian, mbërriti në Britani.
Të enjten pasdite, Ali Abdussalam Treki, një ish-ministër i Jashtëm i Libisë, përfaqësues i vendit në OKB, tha në një deklaratë dërguar “Reuters”, se nuk mban më asnjë pozicion zyrtar dhe se e dënon “gjakderdhjen”. “Unë kam vendosur të mos punoj më dhe të mos pranoj asnjë lloj detyre”, tha ai në një deklaratë. “I lutem Zotit të më ndihmojë të marr pjesë në shpëtimin e vendit tim të shtrenjtë”. Treki bëri thirrje për një dialog nacional për të diskutuar aspiratat e Libisë. Treki ka qenë këshilltar i ngushtë i Gedafit.

CIA në Libi

Sipas prestigjiozes amerikane “New York Times”, anëtarë të shërbimit sekret amerikan CIA, po veprojnë prej disa javësh në Libi, duke mbledhur informacione mbi forcat e Gedafit. Sipas NYT, me ta janë bashkuar edhe dhjetëra agjentë britanikë të MI6, të cilët po mbledhin të dhënat mbi forcat e Gedafit dhe objektivat e sulmeve ajrore e bombardimeve. Lajmi u publikua vetëm pak pasi “ABC news” raportoi nënshkrimin “sekret” të Obamës për rebelët dhe misionet e spiunazhit në Libi. Zyrtarë të CIA-s dhe Shtëpisë së Bardhë kanë refuzuar të komentojnë këtë njoftim.

© Panorama.al

Te lidhura