“Mënyra se si do të zhvillohen zgjedhjet do të ndikojë në rrugën e Shqipërisë drejt BE”. Kështu është shprehur sot ambasadori amerikan në vendin tonë, Aleksandër Arvizu. Duke përsëritur apelin për fushatë të qetë e qytetare, ai u ka tërhequr vëmendjen edhe qytetarëve që të shohin me kujdes kandidatët dhe programin e tyre për t’i dhënë më pas votën.
Arvizu ka kujtuar se fushata po ndiqet me kujdes dhe SHBA, BE, OSBE/ODIHR, do t’i vëzhgojnë nga afër këto zgjedhje, pasi janë përcaktuese për integrimin e vendit dhe shumë të rëndësishme për qytetarët. Por ai ka shtuar se ndërkombëtarët nuk janë arbitra apo gjykatës, pasi ky është roli i KQZ-së dhe Kolegjit Elektoral. Sipas tij, partitë politike duhet të tregojnë vullnet politik për të mirën e qytetarëve, të cilët kërkojnë zhvillimin e vendit.
Ai kërkoi që kandidatët të jenë sa më afër zgjedhësve në këtë proces dhe të flasin me kujdes për projekte zhvillimi, punësim, infrastrukturë e kujdes shëndetësor.











