Arvizu: Në zgjedhje të mendohet për njerëzit

Apr 13, 2011 | 13:27

ELBASAN – Ambasadori amerikan në Tiranë, Aleksandër Arvizu, gjatë një vizite të parë zyrtare në qytetin e Elbasanit i është përgjigjur edhe pyetjes së mediave rreth situatës aktuale të zgjedhjeve vendore në vend. “Unë shqetësohem përherë kur dëgjoj incidente të dhunshme dhe jo të dhunshme, për shkak të zgjedhjeve. Sigurisht apeli im ndaj të gjitha forcave politike është për qetësi, qofshin këto komisionet elektorale PS apo PD, dhe sigurisht e kuptojmë se përse është politika, esenca e saj është për fitoren”, tha ambasadori, duke cilësuar të rëndësishme për Shqipërinë jo vetëm se kush do të fitojë, por si do të fitojë dhe sa i butë do të jetë ky proces. “Dëshira ime është që të gjithë ata që kandidojnë të mos mendojnë shumë për fitoren se sa për njerëzit nga të cilët do të zgjidhen. Kam dëgjuar disa njerëz të thonë se këto zgjedhje janë politike dhe disa të tjerë janë administrative, unë personalisht nuk e kuptoj se cili është ndryshimi mes të dyjave, e rëndësishme është se këto zgjedhje dhe ky proces elektoral nuk do t’i shkaktojë njerëzve ankth dhe dëshpërim, këto zgjedhje duhet t’i japin njerëzve shpresë për të ardhmen e këtij vendi”. Ndër të tjera ambasadori amerikan në Tiranë është ndalur tek kureshtja që ka hasur tek shumë njerëz rreth këtij procesi elektoral. “Shpesh njerëzit më thonë kujt i shkon mesazhi juaj, sigurisht është për çdokënd që unë përmenda. Qeveria duhet të bëjë ç’është e mundur që këto zgjedhje të jenë transparente dhe fusha e lojës të jetë e barabartë për të gjithë, dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve duhet të bëjë punën e vet. PS-ja bashkë me PD-në dhe partitë e tjera të vogla duhet të zbatojnë këto rregulla, duhet të shohin për mënyrën se si të ndihmojnë njerëzit, dhe jo për fitoren, duhet të dinë të humbasin edhe humbja dërgon një mesazh të mirë për njerëzit”, përfundoi ai. m.s

© Panorama.al

Te lidhura