DURRES – Katër persona u arrestuan mbrëmjen e djeshme gjatë një operacioni të Drejtorisë Kundër Krimit Financiar, të akuzuar për prodhim të dokumenteve të falsifikuara. Operacioni i koduar “Trekëndëshi i dytë”, u zhvillua në Durrës dhe Tiranë, ku u zbuluan dy baza që shërbenin si studio për falsifikimin e dokumenteve të ndryshme. Në varësi të rëndësisë së dokumenteve që prodhonin, të arrestuarit kishin vendosur edhe çmimet për to, që varionin nga 50 deri në 2 mijë euro. Sipas burimeve zyrtare nga Policia e Shtetit, mësohet se janë arrestuar Ermal Mana, 24 vjeç dhe Myslim Hysko, 47 vjeç, i dënuar më parë për falsifikim të dokumenteve, i cili duke qenë në proces hetimi të mëparshëm me masë sigurimi “arrest në shtëpi” për të njëjtën vepër penale, ka vazhduar aktivitetin e falsifikimit. Gjithashtu, në pranga përfunduan edhe Tonin Lekgegaj, 41 vjeç, i dënuar më parë për falsifikim të dokumenteve dhe Agim Ahmataj, 29 vjeç, i dënuar më parë për vjedhje me dhunë. Sipas policisë, veç katër të arrestuarve janë shpallur në kërkim edhe dy persona të tjerë, bashkëpunëtor të tyre. Të arrestuarit akuzohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe persona të tjerë, në dy baza falsifikimi në Tiranë dhe Durrës, kundrejt pagesave që varionin nga 50 deri në 2000 euro, pajisnin shtetas të ndryshëm me dokumente të falsifikuara. Dokumentet që ata ofronin ishin; leje qëndrimi për jashtë Shqipërisë, leje qarkullimi, siguracione për automjete, pasaporta të shteteve të ndryshme etj. Hetimi që bëri të mundur zbulimin e aktivitetit të tyre kriminal, filloi bazuar në mashtrimin bërë një qytetari se do t’i prodhonin dokumente të rregullta.











