Ardit Kaja flet nga spitali: U ruajta kur më qëlluan

Apr 5, 2011 | 10:27
Ardit Kaja në spital

Dy persona me një motor, me skafandra në kokë dhe me një pistoletë me silenciator, ishin autorët e atentatit ndaj kreut të Inspektoratit Ndërtimor në Bashkinë e Tiranës, Ardit Kaja. Vetë ai tregoi dje nga dhoma ku u shtrua në Spitalin Ushtarak, se për një moment e ka parë motorin t’i afrohej makinës së tij në afërsi të Bashkisë së Tiranës në qendër të kryeqytetit.Në një prononcim për gazetën “Panorama”, kreu i Policisë Ndërtimore në Bashkinë e Tiranës, Ardit Kaja, tregon se nuk ka asnjë konflikt me persona të caktuar dhe gjithçka që ndodhi mund të jetë pasojë e konfliktit për heqjen e flamujve të LSI-së, në shtyllat e ndriçimit dhe vendet publike gjatë ditës së diel. “Nuk pata mundësi të fiksoja asnjë detaj të autorëve, pasi ishin me kaska në kokë dhe po i shikoja nga pasqyra e makinës. Nuk kam konflikte me asnjë njeri”, u shpreh dje nga Spitali Ushtarak kryeinspektori Ardit Kaja. Në intervistë ai shpjegon ngjarjen, sipas versionit të tij.
Ku ndodheshit kur ju qëlluan me armë?

Automjeti i ardit kajes dje pas atentatit

Sapo mora makinën që e kisha të parkuar në hapësirën mes Ministrisë së Bujqësisë dhe pjesës së pasme të godinës së Partisë Socialiste. Kisha hipur dhe po lëvizja në drejtim të Bashkisë, aty ku ndahet sheshi “Skënderbej” me bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku aktualisht po bëhen punime. Ndërkohë, po flisja në telefon dhe njëkohësisht po shikoja nga pasqyrat e makinës për të dalë në rrugë. Në një moment shikoj në pasqyrë një motor të madh, të shtrirë që me aq sa pashë mund të ishte rreth 1 mijë kubikësh, sepse dukej që ishte i shpejtë dhe sipër tij dy djem të rinj, të paktën nga mënyra e veshjes, që kishin vënë skafandër në kokë. Teksa ata afroheshin më shumë pranë makinës sime, pothuajse ngjitur fare, po shihja me vëmendje lëvizjet e tyre, sepse dyshova dhe në një moment pashë që nxorën një pistoletë, e cila me sa dallova, ishte me silenciator.
Si reaguat në këtë moment dhe a mundët të fiksonit ndonjë detaj për të përshkruar autorët?
Unë çdo gjë e kam parë nëpërmjet pasqyrave dhe nuk kam mundur të fiksoj absolutisht asgjë, sepse siç ju thashë ata ishin me skafandra në kokë. Por nga mënyra si ishin veshur, m’u dukën djem të rinj. Kur i pashë që po i afroheshin shumë makinës dhe drejtuan armën drejt meje, aty kuptova se e kishin me mua dhe u tërhoqa pak, duke u shtrirë djathtas që t’i shpëtoja plumbave, pasi e kuptova se ata do të qëllonin. Nuk e di sa herë mund të kenë qëlluar se nuk kam dëgjuar krisma, pasi me sa kuptova arma ishte me silenciator, por dëgjova kërcitjen e xhamave të makinës që u thyen dhe një të djegur në këmbën e majtë. Aty e kuptova se më kishin goditur. Ngrita kokën dhe pashë që ata po largoheshin shumë shpejt me motor dhe më pas lajmërova policinë.
Me çfarë e lidhni atentatin ndaj jush, çfarë dyshimesh keni?
Ata njerëz ishin përgatitur për vrasje dhe ishte një mrekulli që u shpëtova plumbave. Unë gjithçka e lidh me atë që ndodhi të dielën pasdite dhe gjatë orëve të natës, kur po hiqnin flamujt e vendosur në shtyllat e ndriçimit dhe vendet publike në Tiranë, ku patëm edhe një përplasje me militantët. Dyshime të tjera nuk kam, sepse nuk kam pasur asnjëherë probleme me natyrë personale, apo probleme të tjera për shkak të punës që bëj.
Çfarë ju kanë thënë mjekët për plagën në këmbë?
Fatmirësisht, nuk kam probleme serioze. Plumbi më ka goditur në mish, pa dëmtuar kockën dhe as venat, megjithatë pas heqjes së plumbit, mjekët më kanë këshilluar të qëndroj për pak në spital. Duhet t’i nënshtrohem terapisë së nevojshme mjekësore, që plaga të mbyllet sa më shpejt dhe të rikthehem në punë.
Jeni marrë në pyetje nga oficerët e policisë?
Sapo kam dhënë një deklaratë për oficerët e policisë dhe nuk kam asnjë dyshim konkret për këtë ngjarje. As për personat që më qëlluan nuk kam mundur t’u jap dot ndonjë përshkrim, që të mund t’i identifikonin.

Ardit Kaja, deputet i PS në 2002, pas betejës gjyqësore

Bashkiaku i qëlluar dje më armë në qendër të Tiranës ka një histori politike me Partinë Socialiste të Shqipërisë. Në mënyrë të vështirë dhe pas një beteje të gjatë administrative e ligjore, ai ka fituar mandatin e deputetit të PS në Bulqizë në vitin 2002. Ai ka kandiduar në këtë zonë përballë Gafurr Mukës, në atë kohë kandidat për deputet i Partisë Demokratike. Përplasja mes dy kandidatëve kaloi në një betejë të gjatë ligjore që mori fund në 26 korrik 2002 në Gjykatën Kushtetuese. Kjo e fundit, me padi të kandidatit të PD, u vu në lëvizje dhe shqyrtoi votimet në zonën ku ishte zgjedhur e mandatar si deputet Ardit Kaja, personi i plagosur dje me armë në qendër të Tiranës. Kandidati i PD në atë kohë, Gafurr Muka, pretendoi se në qendrat e votimit nr.19, 21, 22, 27 e 41 të zonës zgjedhore nr.19, anëtarë të veçantë të familjeve kanë votuar në emër të gjithë familjes. Sipas padisë, kjo procedurë votimi është në kundërshtim të hapur me parimin “një zgjedhës, një votë”. Po sipas padisë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve iu shmang hetimit të rrethanave e fakteve që shoqëronin kërkesën për deklarimin e pavlefshëm të votimit. Partia Konservatore, e cila ishte palë në proces, pretendoi se procesverbalet e komisioneve të qendrave të votimit nuk korrespondonin me votat në kutitë e votimit, duke akuzuar se janë falsifikuar firmat e votuesve në listat e zgjedhësve. Sipas kësaj force politike, janë lejuar individë të paautorizuar të qëndrojnë pranë kutive të votimit dhe të diktojnë në favor të kandidatit të Partisë Socialiste. Po kështu, në padi theksohet se në qendrat e votimit janë futur në kutitë e votimit fletëvotimi për persona të cilët nuk kanë marrë pjesë në votime. Gjykata Kushtetuese në atë kohë shpalli të pavlefshëm vendimin e KQZ që i kishte dhënë mandatin Ardit Kajës. “Gjykata vendosi të shpallë të pavlefshme zgjedhjet në qendrat e votimit nr.19 Boçevë, nr.21 Okshatinë, nr.22 Kovashicë, nr.27 Gjuras e nr.41 Okshtun i Vogël”, thuhet në vendimin i cili urdhëroi zhvillimin e raundit të parë të zgjedhjeve për deputet të drejtpërdrejtë në qendrat e mësipërme të votimit. Pas rivotimeve, Kaja fitoi sërish mandatin e deputetit.

Inspektorati qendror gjobiti Ardit Kajën

TIRANE – Ardit Kaja, drejtor i Policisë së Ndërtimit në Bashkinë e Tiranës, rezulton të jetë gjobitur me 600 mijë lekë nga Inspektorati Ndërtimor Urbanistik Kombëtar. Lajmi bëhet i ditur nga Gjykata e Tiranës, e cila theksoi se shtetasi Ardit Kaja ka qenë person i paditur në një proces gjyqësor të hapur për lëshim urdhri ekzekutimi nga Inspektorati Qendror urbanistik. Ky inspektorat, pasi e kishte akuzuar Ardit Kajën për shkelje të nenit 15 të Ligjit Nr. 9780, date 16.07.2007, “Për inspektimin e ndërtimit”, dhe pikës 16 e VKM nr.862, date 05.12.2008, “Për unifikimin e procedurave të Kontrollit të Territorit nga Inspektorati Ndërtimor Urbanistik Kombëtar e ai Vendor”, nenet 510/e dhe 511/ç të K.Pr Civile. Sipas gjykatës, Inspektorati Qendror Urbanistik ka kërkuar lëshimin e urdhërit të ekzekutimit për gjobën Nr.12 të datës 23.06.2010, në masën 600.000 lekë ndaj inspektorit Ardit Kaja. Sipas gjykatës, ai ka pasur të drejtën e ankimit administrativ ndaj këtij vendimi, të drejtë të cilën nuk e ka ushtruar. Gjykata ka pranuar padinë dhe ka urdhëruar ekzekutimin e gjobës së vendosur ndaj Ardit Kajës.

 

ETLEVA DELIA

© Panorama.al

Te lidhura