Apeli s’fal, Shkumbini pret Besën në Pogradec

Apr 23, 2011 | 10:30

Shkumbini do ta presë Besën në stadiumin e Pogradecit, ndërkohë që Komisioni i Apelit ka lënë në fuqi vendimin e dhënë nga Disiplina për dënimin e fushës së Peqinit me 4 ndeshje. Këto vendime u morën dje në FSHF, teksa zhvillimi i ndeshjes në fushë asnjanëse ishte kthyer në një rebus, sepse klubi bardhekaltër kërkonte ta luante në Ballsh. Megjithatë, duke qenë se shkelej rregullorja, pasi stadiumi duhet të ishte 100 kilometra larg Peqinit, u gjet një zgjidhje tjetër. Klubi i Shkumbinit mendoi që ta luante ndeshjen në Pogradec dhe këtë variant FSHF-ja e miratoi. Kishte zëra se ndeshja mund të luhej në Korçë, por gjithsesi dje u ra dakord që të zhvillohet të dielën në stadiumin “Gjorgji Kyçyku” të Pogradecit. Qyteti liqenor do të presë një sfidë mbijetese, në një kohë që Shkumbini-Besa mund të quhet edhe si derbi, nisur nga afërsia gjeografike mes dy qyteteve. Nga ana tjetër, klubi peqinas ka marrë një lajm të keq, sepse Komisioni i Apelit nuk ia uli dënimin e fushës. “Pas ankimimit të klubit të Shkumbinit, ndaj vendimit të KD-së, dt. 19.04.2011, u administrua  dokumentacioni i paraqitur nga ana e Sekretarisë Teknike të FSHF-së dhe, pasi u studiuan materialet e vëna në dispozicion, Komisioni i Apelit vendosi lënien në fuqi të vendimit të Disiplinës”,- thuhej në njoftimin e zyrës për shtyp në FSHF.
Veliaj – Mesfushori i Shkumbinit, beratasi Emiljano Veliaj e ka konsideruar jetike përballjen ndaj Besës, madje e quan si ndeshjen e sezonit. Sipas Veliajt, skuadra e tij do të kërkojë me çdo kusht fitoren, jo vetëm për të hedhur një hap të sigurt drejt realizimit të objektivit, që është qëndrimi në Superiore, por gjithashtu kërkon suksesin edhe për tifozërinë peqinase.
“Fatkeqësisht, pas fitores me Flamurtarin kemi marrë një ndëshkim ndoshta disi të ekzagjeruar, por gjithsesi kjo nuk do të ndikojë aspak në realizimin e objektivit tonë, që është sigurimi i mbijetesës në Superiore. Mendoj se me grupin e lojtarëve që ka skuadra e Shkumbinit, nuk duhet ta diskutojmë mbijetesën. Gjithashtu, duhet të japim maksimumin për të siguruar pikët e nevojshme”. Sa i përket ndeshjes së radhës ndaj kavajasve, mesfushori Veliaj tha: “Padyshim që është një sfidë mjaft e rëndësishme për ne. Fakti që edhe Besa ndodhet në pozita aspak komode dhe lufton për mbijetesë, e rrit akoma edhe më shumë shkallën e vështirësisë së këtij takimi. Ne jemi duke u përgatitur dhe po punojmë me ritëm të lartë, në mënyrë që të jemi në lartësinë e duhur në këtë ndeshje finale. E konsiderojmë finale, pasi jemi të bindur që ndaj verdhezinjve do të marrim vetëm fitoren dhe asnjë rezultat tjetër. Suksesi ndaj tyre nuk ka thjesht vlerën e tri pikëve, por do të jetë një sukses ndaj një kundërshtari direkt për objektivat tona, por natyrisht edhe për të kënaqur tifozërinë e Peqinit”.

Superiore/ Java 30

Nesër

Dinamo–Bylis    16:30
Shkumbini–Besa    16:30

Të hënën

Laçi–Flamurtari    16:30
Tirana–Skënderbeu    16:30
Vllaznia–Elbasani    16:30
Kastrioti–Teuta    14:00

© Panorama.al

Te lidhura