Apel në vend të requiem-eve

Apr 29, 2011 | 10:11

SESILIA PLASARI

Shkasin për të shkruar mbi një problematikë që më brente prej kohësh e mora duke lexuar, në Internet, një intervistë të regjisorit Gëzim Kame.  Gazeta qenkësh e datës 10.09.2007. Më ndodh të lexoj artikuj e intervista njerëzish të teatrit në Shqipëri, veçanërisht atyre që i çmoj, për të mësuar opinionet e tyre në lidhje me problemet e sotme të teatrit shqiptar, veçanërisht edhe për të njohur realitetin shqiptar gjatë kohës kur kam jetuar dhe punuar jashtë vendit. Gazetën në fjalë dhe të tjera gazeta i nderon fakti që shkojnë të “vjelin” mendimin e artistëve të dimensionit të Gëzim Kames dhe t’i kujtojnë publikut se ata ekzistojnë, të japin të reja mbi ta, mbi planet e tyre krijuese. Por ajo që më shokoi, më trishtoi e më bëri të lëviz sadopak për të shkruar diçka në të mirë të këtij misioni që ndërmarrin edhe vetë gazetat, është një lapsus që ndoshta një gazetareje ose gazetari të ri, me siguri krejtësisht dashamirës, i ka shpëtuar. Lapsus i thjeshtë, por që zbulon një mendësi për mua tragjike. Ja se ç’thotë hyrja në intervistë: “Regjisori i njohur i teatrit, Gëzim Kame, ka një periudhë 35-vjeçare që merret me skenën. Ky njeri, edhe në fundin e karrierës së tij vazhdon të krijojë për teatrin. Diku, në një mjedis në periferi të kryeqytetit, ai ka ngritur një teatër veror të titulluar ‘Teatri Park Kame’. Është optimist për të ardhmen e tij dhe nuk e fsheh dhimbjen për gjendjen e teatrit shqiptar sot…”.
Mendoj se ka një lidhje flagrante midis gjendjes së teatrit shqiptar sot dhe faktit që një artist si Gëzim Kame, më i nderuari regjisor shqiptar aktiv për mendimin tim dhe të shumë të tjerëve, në moshën vetëm 60-vjeçare në vitin kur është shkruar shkrimi, të konsiderohet në “fundin e karrierës”. Nuk di në i ka dhembur Gëzim Kames ai përcaktim kur e ka lexuar artikullin. Mua vetë, që pres të shoh ende dekada shfaqjesh prej tij, më dhembi shumë. Me sa kuptoj, “fund karriere” u quakësh në Shqipëri, mbase edhe pa dashje, mosha e daljes në pension. Por ku ka “fund karriere” për artistin kudo në botë, përveç asaj që i dikton ndërrimi i jetës?! Madje edhe pas këtij ata vazhdojnë të veprojnë me gjithë sa më të mirë kanë lënë.
Ndoshta duhet ta themi edhe një herë me të madhe këtë të vërtetë universale dhe kush ka veshë, le ta dëgjojë. Flasim për vlera, për nevojën e vlerave, dhe ç’bëjmë me vlerat që kemi? Është mëse e ligjshme që një regjisor i tejmbushur me dëshira e aspirata si Gëzim Kame, që ka ende aq shumë për të thënë e për të dhënë, të ëndërrojë të ketë një teatër ku të mund të shprehet, të takojë çdo natë spektatorin e vet. Në kushtet e sotme në Shqipëri, ku nuk ekziston teatri privat dhe as profesioni i mirëfilltë i producentit, d.m.th. i atij që do të dinte të bashkonte paranë e gjetur me artistin në gjendje për ta shndërruar këtë para në vlerë, Gëzim Kame u orvat me një përpjekje të fundit prej titani: atë të ndërtimit të një teatri privat. Në intervistat e tij lexohen të citojë aq shumë projekte konkrete, aq shumë ëndrra, për të cilat Gëzimi, ky optimist i përjetshëm që se ku e gjen çelësin e entuziazmit dhe të rilindjes (ku tjetër, përveçse në shpirtin e artistit të torturuar e të mrekulluar njëherësh nga ëndrrat e tij artistike) vë bast se do të bëhen realitet. Por realiteti ynë qenkësh më i fortë se basti i tij. Siç ishte më i fortë edhe me teatrin e tij privat “Publimedia”. Me siguri Gëzimi i ëndërron “Teatër Park Kame-s” një të ardhme më të largët, në ditë më të mira për kulturën, më të përshtatshme. Nuk është dështimi i tij, në rastin konkret. Është një nga dështimet e kulturës sonë.
Por le të mos merrem me mosshfrytëzimin e ndërtesës teatrore: po kthehem te njeriu.
Në trupën e Teatrit të Jean-Paul Belmondos, ku kam pasur fatin të bëj pjesë, aktori më i vjetër ishte 94 vjeç dhe luante në skenë përnatë duke iu nënshtruar tri herë në javë dializës për problemet shëndetësore që kishte. Përfshi madje dhe turnérat në gjithë botën. Kur kam pasur fatin të punoj me regjisorin mitik Armand Gatti, ai ishte 75-76 vjeç, ishte lindur më 1924-n dhe ndodhej në kulmin e energjive krijuese, si dhe në qendër të vëmendjes teatrore europiane. Sot ai është 87 vjeç dhe gjithnjë aktiv, si dhe Piter Brooku, i lindur më 1925-n dhe që nuk ka lënë vit në dhjetëvjeçarin e fundit pa na dhënë të paktën një vënie të re, kur nuk kanë qenë dy ose tri. Kemi në vendin tonë rastin e Mihal Luarasit. Nuk ia kam parë, fatkeqësisht, shfaqjet. Por e di moshën në të cilën ka qenë kur i ka vënë, ia njoh kthjelltësinë dhe pasionin e pashtershëm që e gjallon. Mora shembull Gëzim Kamen, sepse është brezi që më ka rritur, kam qenë “fanse” e tij dikur: është regjisor që më ka mësuar dhe frymëzuar dhe që, për çudi, pas njëzet vitesh nëpër botë, pas gjithë “mostrave të shenjta” që kam pasur fatin të shoh e të admiroj, ka mbetur për mua në Shqipëri po aq shembull admirimi e krenarie. Sepse Gëzim Kame është regjisori autentik shqiptar, ai të cilit kultura e huaj nuk do t’i bënte gjë tjetër veçse do t’i përforconte instinktin e lindur për teatrin, talentin e tij që ka lindur me atë vetë.
Gëzim Kame nuk ka nevojë për kaseta shfaqjesh të huaja për të kthjelluar idetë e veprave, ai i ka ato në gjakun e tij shqiptar. I dëgjon personazhet të flasin dhe për të kjo dhunti prej psikologu e regjisori bashkë është filli përçues që na i sjell personazhet të gjallë, pa gafa e gabime. Teatri i Gëzim Kames është me këmbë në tokë: është teatër i pastër. Teatri i tij nuk ka nevojë për butafori e shkëlqim të jashtëm, as për artifica dhe stërmundime kallpe, të cilat, kur nuk e njohim mirë teatrin, na krijojnë iluzionin e të qenit “in”, e të qenit “si bota”. Gëzim Kame është regjisor me “R” të madhe, i cili të garanton impaktin skenë-publik. I tillë do të ishte kudo që të kishte lindur, për të mos përdorur shprehjen “i kalibrit botëror”, sepse ne na duket sikur tjetërkund gjenitë e profesionit janë të një brumi që nuk është si yni. Jo, aspak: ata vetëm se i kanë mundësitë më të mëdha. Talenti është kudo talent, prandaj le ta njohim dhe t’i heqim kapelën. Një regjisor të këtij lloji teatrot tona ekzistuese duhet ta lusin. Ta miklojnë. Ta afrojnë me çdo kusht. T’i dërgojnë pareshtur pjesë të reja shqiptare ose të përkthyera. Ta vënë para përgjegjësisë qytetare që të punojë me aktorë të rinj për të ndikuar në formimin e një plejade të re aktorësh. Shumë mund të bënte në këtë drejtim edhe Akademia e Arteve. Po me Pirro Manin a është bërë vallë kjo gjithë këtyre viteve? Ai është larg, më i moshuar, por a është nxitur e inkurajuar sa duhet?
Regjisorë të tillë nuk bën të lihen në mëshirën e trokitjes nëpër dyer institucionesh ose sponsorësh, si të rinjtë, ata në konkurrencë e sipër, të cilëve – është e ligjshme kudo në botë – u duhet të kalojnë nëpër sprovat e vështira të të gjitha përpjekjeve për të dalë në sipërfaqe. Fjala është për ata që i kanë dhënë tashmë provat e veta dhe që vazhdojnë të ruajnë brenda vetes gjithë inkandeshencën në moshën kur me përvojën dhe maturinë e tyre kanë ç’të na japin më shumë se kurrë. Atyre u duhet bërë rruga drejt skenës bulevard. Dhe sidomos rruga drejt një pune pedagogjike, me të rinj dhe më pak të rinj, sepse të gjithë kanë nevojë për dorën e mjeshtrit për t’i “shtrënguar rripat” profesionalisht, për të mundur të evoluojnë, në mënyrë që të kemi një teatër për të qenë edhe në vitet kur plejada e aktorëve të vërtetë që na mbeten të jetë zëvendësuar. Kjo lloj pune me mjeshtërit e mëdhenj bëhet kudo në botë. Do të mjaftonte të kujtosh spektaklin e Gëzim Kames, “Shtëpia e Bernarda Albës”, me studentët e Institutit të atëhershëm të Lartë të Arteve – një perlë e skenave tona – dhe ta kuptosh se për ç’humbje bëhet fjalë kur vlera të tilla janë gjallë, në formën e tyre të plotë, kanë aq shumë për të dhënë dhe “rripi” i transmetimit nuk funksionon…Shkojmë në funerale njerëzish që përfaqësojnë vlera dhe mediat mbushen me lavde, me vaje, me brejtje ndërgjegjeje, me pengje. Ndaj një requiem-i le të parapëlqejmë një homazh, një apel.

© Panorama.al

Te lidhura