Antibiotikët, mjekët ua japin pa kriter pacientëve

Apr 8, 2011 | 10:45

Mjekët shqiptarë u japin shpesh pacientëve  antibiotikë si të ishin vitamina. Nuk mungojnë rastet kur vetë të sëmurët nuk këshillohen fare me specialistët.Ata shkojnë e i blejnë vetë në farmaci edhe për një grip të thjeshtë. Por, pak prej tyre e dinë se përdorimi pa kriter i antibiotikëve rrit rezistencën e baktereve e mikrobeve ndaj ilaçeve. E thënë më thjeshtë, duke përdorur antibiotikë atëherë kur nuk është e nevojshme, shtohet risku që për një infeksion të rëndë ata të mos japin efekt dhe pacientëve t’u kërcënohet jeta. Në Europë çdo vit humbin jetën 25 mijë veta për shkak të rezistencës ndaj antibiotikëve. Sipas të dhënave nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, në 5 vitet e fundit është dyfishuar rezistenca ndaj tyre. Për vendin tonë nuk ka të dhëna të sakta për numrin e vdekjeve. Statistikat janë alarmante për rezistencën. Nga sa bën me dije Ministria e Shëndetësisë dhe OBSH-ja, studimet e realizuara tregojnë se rezistenca antimikrobiale është gati dyfishi i mesatares europiane për pothuajse të gjithë antibiotikët e përdorur në praktikën klinike spitalore dhe ambulatore. Veç shkaqeve të tjera, mbikëqyrja laboratorike e rezistencës ndaj antibiotikëve në vendin tonë ende nuk është standardizuar plotësisht. Faktor tjetër ndikues është edhe mungesa e strategjisë dhe e planit veprues për kontrollin e rezistencën ndaj antibiotikëve, e cila është në fokus të politikave dhe reformës së Ministrisë së Shëndetësisë dhe pritet të përfundojë gjatë këtij muaji.
Ndërgjegjësimi
“Qytetari shqiptar duhet të marrë barnat e duhur dhe në kohën e duhur”. Këtë apel bëri dje ministri i Shëndetësisë në Ditën Ndërkombëtare të Shëndetit, gjatë një seminari të organizuar nga OBSH-ja. Sipas ministrit të Shëndetësisë, kriteret e shëndetshme të përdorimit të antibiotikëve duhet të mbizotërojnë dhe në mjekësinë shqiptare. “Besoj se kemi kaluar momentin kur një trajtim quhej koherent vetëm atëherë kur në recetën e një pacienti shkruheshin antibiotikë pa fund”, tha Vasili. Ai shtoi se nevojiten përpjekje urgjente dhe të konsoliduara për të shmangur kthimin mbrapa në erën para antibiotikëve. Edhe përfaqësuesit e OBSH-së  tërhoqën vëmendjen për nevojën për të luftuar rezistencën mikrobike duke përforcuar masat për të luftuar këtë kërcënim. Sipas tyre, infeksionet e shkaktuara nga mikroorganizmat rezistentë shpesh nuk i përgjigjen trajtimit të zakonshëm, duke çuar në zgjatje të sëmundjes dhe një risk më të madh për të vdekur. Shtimi i mikrobeve rezistente ndaj antibiotikëve është kërcënim për jetën e pacientëve në spitale sepse: infeksionet dhe infeksionet e mbivendosura me baktere rezistente zgjasin ditët e qëndrimit të pacientëve në spitale, duke rritur koston e trajtimit”, sqaruan specialistët e OBSH-së. Sipas tyre, në të tilla kushte, sëmundja vështirësohet dhe rritet vdekshmëria.

2 herë
më e lartë se në Europë është rezistenca ndaj antibiotikëve në vendin tonë. Shkaku kryesor është përdorimi pa kriter i tyre. Risku për pacientët e infektuar nga një virus apo mikrob është i lartë

25 mijë
vetë humbin çdo vit në Europë për shkak të rezistencës ndaj antibiotikëve. OBSH-ja bën apel që të rriten masat nga strukturat shëndetësore, në mënyrë që
të ndikohet në uljen e rezistencës.

Masat për përdorimin e drejtë të antibiotikëve

Rekomandohen një sërë masash për promovimin e përdorimit të drejtë të antibiotikëve. Së pari, edukimi i vazhdueshëm i mjekëve dhe personelit tjetër shëndetësor është i domosdoshëm. Po kështu duhet të kufizohet përdorimi i antibiotikëve në spitale pa kriter. Një tjetër masë është dhënia e profilaksisë me antibiotikë në kirurgji, në kohën dhe kohëzgjatjen e duhur.

Rezistenca antimikrobiale

Rezistena antimikrobiale redukton efektivitetin e trajtimit, sepse pacientët mbeten të infektuar për  një kohë më të gjatë, duke i përhapur kështu potencialisht mikroorganizmat te personat e tjerë. Rezistenca antimikrobiale kërcënon kthimin te era e paraantibiotikëve. Shumë prej risqeve të sëmundjeve infektive po bëhen të pakontrollueshme dhe mund të nxjerrin nga rruga progresin drejt arritjes së objektivave të mijëvjeçarit të Kombeve të Bashkuara për vitin 2015.

 

ZIRINA LLAMBRO

© Panorama.al

Te lidhura