Anis Mehmeti po tregon një formë shumë të mirë edhe në radhët e klubit të Ipsuiç, të cilit iu bashkua disa javë më parë gjatë merkatos së dimrit. Të dy golat e fitores 2-1 ndaj Debrit në këtë javë erdhën nga këmbët e tij, teksa u provua në rolin e organizatorit nga trajneri Kiran MekKena.

Pikërisht ky i fundit i ka thurur elozhe futbollistit shqiptar, të cilin insistoi që ta kishte në ekip që në janar duke e blerë para fundit të kontratës së tij me Bristol, për të mos pritur që të dilte si lojtar i lirë në verë.
“Unë mendoj se ai është një lojtar i jashtëzakonshëm. Edhe si person, ai ka treguar shumë uri që të përmirësohet. Ai ka ardhur në një klub të ri që është në një lloj dimensioni tjetër në krahasim me aty ku ka qenë që kur ka nisur karrierën e tij dhe ka thithur menjëherë gjithçka. Ai dëshiron të mësojë, dëshiron t’i ndihmojë të gjithë të tjerët dhe dëshiron të tregojë se mund t’ia dalë.
Ai ka pasur një impakt shumë, shumë të mirë, duke u bërë pjesë e ekipit dhe luajtur siç di ai. Ne na pëlqen të punojmë me të”, ishin fjalët e MekKena për futbollistin shqiptar.
PANORAMASPORT.AL
© Panorama.al











