Vitin që vjen Anglishtja do të jetë provim i detyrueshëm i Maturës Shtetërore.Në të gjitha shkollat e mesme, do të jenë dy gjuhë të huaja si pjesë e kurrikulave. Më tej studentëve shqiptarë do t’u ofrohen testet më të njohura ndërkombëtare TOEFLI dhe TOEIC ekskluzivisht nga Universiteti i Tiranës. Gjithçka u zyrtarizua dje, gjatë ceremonisë së firmosje marrëveshjes së mirëkuptimit mes UT-së dhe ETS Global. I pranishëm në këtë aktivitet ishin edhe kryeministri i vendit, Sali Berisha. Ambasadori i SHBA-së në Tiranë, Aleksandër Arvizu, drejtori i përgjithshëm i ETS Global, Zoubir Yazid, pedagogë e studentë.”Në të gjitha shkollat e mesme do të jenë 2 gjuhë të huaja. Në maturë, anglishtja do të jetë gjuhë e detyrueshme. Ne veçse operojmë me një dhunti të pamohueshme të shqiptarëve, dhuntinë për të qenë ndër më të mirët poliglotë.”,tha Berisha. Ai e cilësoi marrëveshjen e re si një nga më të rëndësishmet që firmoset me një institucion privat të SHBA-së, si ETS Global. “Duhet të theksoj faktin se për një vend të lirë, gara është konstantja e tij më e madhe dhe gjuha e garës është anglishtja. Ndaj edhe vendimi i qeverisë e bën Shqipërinë, sipas dijenisë sime, vendin e vetëm në Europë; “anglishtja me ligj”, nënvizoi Kryeministri. Sipas tij, kombi duhet të jetë bi-linguard, me gjuhë shqipe dhe anglisht. “Të gjitha kombet që kanë arritur këtë standard kanë përfituar shumë prej tij dhe kanë arritur nivele të larta të zhvillimit, natyrisht jo vetëm nga ky standard, por, para së gjithash e mbi të gjitha, sepse kanë qenë kombe të lira. Por ne sot jemi një komb i liri dhe duhet të lakmojmë standarde të larta.”, tha Kryeministri.
Marrëveshja
Rektori i UT-së tha se në sajë të bashkëpunimit me ETS-në, studentët shqiptarë kanë mundësinë të japin testet me të njohura ndërkombëtare me të gjitha standardet. “Është tregues dhe vlerësim për Universitetin e Tiranës, nënshkrimi i kësaj marrëveshje sot. Por mbi të gjitha ajo u vjen në ndihmë të gjithë studentëve për testet më të njohura të gjuhës angleze dhe me garancinë e standardet që ofron ETS Global. Shpresojmë që memorandume të tilla të zgjerohen më tej”, tha Kule. Ndërsa drejtori i përgjithshëm i ETS Global, Zoubir Yazid, u shpreh se përzgjedhja e Universitetit të Tiranës u bë duke parë traditën e tij shumëvjeçare dhe kapacitetet akademike që ofron. Ndërsa ambasadori amerikan, Aleksandër Arvizu, tha se është emocionuese, se si sistemi arsimor në Shqipëri përfaqëson standarde bashkëkohore. “Ky partneritet do të përfshijë të gjitha grupmoshat, për t’u përballur me sfidat globale. Kjo marrëveshje do të përfshijë edhe teste të tjera në gjuhën frënge, gjermane, testime në fushën ekonomike, teknologji, teste për administratën publike si dhe testime për bizneset”, tha Arvizu. Nga sa përcakton marrëveshja, partneriteti do të fillojë me ofrimin e dy testimeve të gjuhës angleze të lëshuara nga ETS-ja, të cilat janë TOEFL dhe TOEIC, nga Universiteti i Tiranës. Këto dy testime të cilat jepen në formën “paper-based”, do t’i jepen Universitetit të Tiranës si ekskluzivitet për Shqipërinë. Së treti, të dyja institucionet ranë dakord që partneriteti i tyre të vazhdojë në përfshirjen edhe të testimeve të tjera të njohura ndërkombëtarisht të lëshuara nga ETS-ja. Testime të tjera përfshijnë edhe fushën e psikometrisë, ku ETS është lider në botë. Gjithashtu, ETS ofron testime dhe në fusha specifike si: në fushën Ekonomike, Teknologji dhe Informacion, Teste për Administratën Publike si dhe testime për bizneset private, sipas kërkesave specifike që ata kanë.
Testi i TOEFL-it
TOEFL, “Test of English as a Foreign Language”, vlerëson aftësitë e një individi për të përdorur dhe kuptuar gjuhën angleze, zakonisht për anglishten e përdorur nga amerikanët “American English”. Rezultatet e këtij provimi u kërkohen aplikantëve në kolegjet dhe universitetet që përdorin gjuhën angleze. Pikët e marra nga provimi i TOEFL-it janë të vlefshme vetëm për dy vite dhe pastaj ato fshihen nga baza e të dhënave zyrtare. Pa TOEFL nuk do t’i jepet mundësia asnjë studenti të vazhdojë një cikël studimi pasuniversitar “Master” apo “Doktoraturë”.
Universiteti Bujqësor, Berisha përuron godinën e re
Paraditen e djeshme, kryeministri Berisha ka qenë i pranishëm në ceremoninë e përurimit të godinës së re të Universitetit Bujqësor të Tiranës, nga ku ka premtuar një infrastrukturë moderne për të gjithë sistemin arsimor. Ai tha se tashmë vëmendja do të përqendrohet në cilësinë e përgatitjes së studentëve, ndërsa vlerësoi rezultat të rëndësishëm faktin që 91% e nxënësve që mbarojnë 9-vjeçaren, ndjekin shkollën e mesme dhe 70% e maturantëve ulen në auditorët e universiteteve. “Do të bëjmë gjithçka që universitetet tona të kenë laboratorët më modernë, do të bëjmë çdo gjë që pedagogët dhe pedagoget të kenë kualifikimet më të mira, studentët të arrijnë rezultatet më të mira të cilësisë më të lartë”, tha Berisha. Punimet për godinën e re të Universitetit Bujqësor nisën në tetor të 2009-s, në një sipërfaqe ndërtimi 5400 metra katrorë dhe investimi kap vlerën e 300 milionë lekëve.
ZIRINA LLAMBRO
© Panorama.al











