“Amerika është e rëndësishme”- Presidenti finlandez, Stubb: Evropa duhet ta pranojë se SHBA-të po ndryshojnë, politika e tyre e jashtme…

Feb 4, 2026 | 16:44

Evropa dhe Finlanda duhet ta pranojnë se Shtetet e Bashkuara po ndryshojnë dhe se ideologjia e qeverisë amerikane, e cila qëndron pas politikës së saj të jashtme, “bie ndesh me vlerat tona”, tha sot, (4 shkurt), presidenti finlandez, Alexander Stubb.

stubb

Finlanda do të përditësojë doktrinën e saj politike në politikën e jashtme dhe të sigurisë, për të reflektuar ndryshimet në situatën ndërkombëtare, tha Stubb në një fjalim para deputetëve.

“Duhet ta pranojmë sinqerisht se Shtetet e Bashkuara po ndryshojnë. Qasja ndaj aleatëve të tyre, si dhe mënyra e tyre e kryerjes së politikës së jashtme, po ndryshojnë gjithashtu”, tha ai, megjithatë duke e përshkruar SHBA-në si një “aleat të rëndësishëm”.

Stubb është përpjekur të mbajë marrëdhënie të ngushta me Trumpin, në mënyrë që të sigurojë mbështetjen e tij për Ukrainën kundër pushtimit rus dhe për të forcuar sigurinë e vetë Finlandës si një vend fqinj i Rusisë.

“Politika e jashtme e administratës aktuale amerikane bazohet në një ideologji që bie ndesh me vlerat tona”, tha Stubb, duke përmendur si shembuj të konflikteve të tilla të vlerave minimin e rendit ndërkombëtar ekzistues nga SHBA-të, veprimet amerikane jashtë institucioneve ndërkombëtare dhe uljen e rëndësisë së Evropës.

Stubb nuk dha një afat kohor për rishikimin e politikës së jashtme dhe të sigurisë, por tha se puna me qeverinë sapo ka filluar.

© Panorama.al

Te lidhura