Ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Eugen Wollfarth, hodhi poshtë pretendimet mbi presione ndaj vëzhguesve të zgjedhjeve të 8 majit, duke deklaruar se misioni i ODIHR-it në Shqipëri po vëzhgon dhe do të vazhdojë të vëzhgojë përgatitjet dhe procedurat e zgjedhjeve, pa kurrfarë presioni. “Misioni i ODIHR-it në Shqipëri po vëzhgon dhe do të vazhdojë të vëzhgojë përgatitjet dhe procedurat e zgjedhjeve. Unë kam një mesazh të qartë nga kryetari i Misionit Vëzhgues të Zgjedhjeve të ODIHR-it, se ndaj tyre nuk po ushtrohet asnjë lloj presioni”, tha ambasadori Wollfarth, duke sqaruar në këtë mënyrë një artikull të shtypit të shkruar dy ditë më parë, ku thuhej se “dy diplomatë të huaj po bëjnë presion ndaj vëzhguesve të zgjedhjeve në përpilimin e raporteve të tyre mbi situatën parazgjedhore në Shqipëri”. Duke e mohuar kategorikisht këtë lajm, ambasadori i OSBE-së në Tiranë ka konfirmuar vëzhgimin e zgjedhjeve vendore të 8 majit 2008, si dhe vërtetësinë e raportit lidhur me to. Po ashtu, ai theksoi se ky raport do të shërbejë edhe si “precedent” për zgjedhje të tjera në të ardhmen. “Ata do të vëzhgojnë, do të përshkruajnë atë që vëzhgojnë dhe në kohën e duhur do të nxjerrin një raport. E rëndësishme është që ky raport do të jetë i vërtetë dhe do të ndihmojë në mbajtjen e zgjedhjeve të mira, si dhe do të shërbejë si bazë gjithmonë e më e mirë për zgjedhje edhe më të mira në të ardhmen”, deklaroi ambasadori Wollfarth. Ndërkaq, ai u ka bërë thirrje romëve që të votojnë në zgjedhjet e 8 Majit, duke qenë se ata sot shënojnë Ditën Ndërkombëtare të Romëve.











