Ambasadori holandez: Ka shumë arsye për të mos votuar

Apr 23, 2011 | 10:44
Ambasadori Henk van Den Dool

Në një debat me studentët e Universitetit të Korçës, ambasadori holandez, Henk Van Den Dool, kritikoi ashpër klasën politike shqiptare duke thënë se shfaqja që ajo jep i largon qytetarët nga kutia e votimit. “Në dy javë do të ketë zgjedhje në Shqipëri dhe kam menduar nëse do të isha shqiptar për kë do të votoja në 8 maj, pra se kush vlen që t’i jap votën time. Në fakt, nuk është aq e vështirë të gjesh arsye për të mos votuar. Në Shqipëri mjafton të hapësh gazetat dhe shembujt e korrupsionit dhe abuzimit me pushtetin të përplasen në fytyrë. Mjafton të hapësh televizorin për të qenë dëshmitar i një gjuhe të ashpër, dhune fizike në Parlament, kandidatët e zgjedhjeve që tregohen të dhunshëm kundër njëri-tjetrit siç edhe kemi parë gjatë këtyre javëve. Kur vjen puna për të prezantuar demokracinë si diçka me vlerë dhe të rëndësishme, elita aktuale politike në Shqipëri është një grup shumë i varfër promovuesish, por në 21 janar katër persona u vranë në bulevard në Tiranë, në një kohë që flitet për balancë e procese integrimi uuropian. Rezultat e zgjedhjeve të kaluara në Shqipëri kanë qenë të kontestueshme, por edhe pse ka pasur këshillime për një proces demokratik, ka persona, të cilët nuk shqetësohen aspak të refuzojnë të marrin pjesë në mënyrë demokratike në zgjedhje, por janë të gatshëm të shesin votën e tyre”, tha Van Den Dool para studentëve. Sipas ambasadorit të Holandës, palët duhet t’i përgjigjen apelit të Komisionit Europian për zgjedhje të ndershme dhe përgjegjshmëri, ndërsa citoi edhe njëherë nevojën e shmangies së incidenteve siç kanë ndodhur deri tani. “Komisioni Europian po paralajmëron për këto probleme serioze”, shtoi ambasadori holandez, Henk Van Den Dool.

Arvizu-Burgaj: Policia të jetë neutrale në zgjedhje

TIRANE – Ambasadori amerikan në Tiranë, Aleksandër Arvizu, zhvilloi dje një takim në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë me drejtorin Hysni Burgaj, lidhur me rolin që Policia e Shtetit ka në mbarëvajtjen e procesit zgjedhor të 8 majit. Në qendër të takimit ishin masat e marra nga Policia e Shtetit për përballimin me sukses të procesit zgjedhor për organet e qeverisjes vendore të datës 8 maj 2011. Ambasadori Arvizu shprehu vlerësimet e tij për planin e detajuar dhe shumë të mirë të masave të marra nga Policia e Shtetit për menaxhimin e suksesshëm të procesit zgjedhor, përfshirë garantimin e një mjedisi të sigurt dhe neutral. “Në raportet e OSBE-ODIHR-it është paraqitur roli shumë pozitiv i policisë dhe unë jam dakord me këto raporte, pasi kam konstatuar që në shumë raste policia është gjendur mes dy palëve me bindje të ndryshme politike dhe puna e kryer për zgjidhjen e këtyre situatave nga Policia e Shtetit rezulton pozitive. Punonjësit e policisë kanë manifestuar një qëndrim pozitiv ndaj punës së tyre, detyrës dhe ligjit”, u shpreh ambasadori amerikan Arvizu.

© Panorama.al

Te lidhura